Botë

Gjykata lëshon urdhërarrest të ri për kryebashkiaku e burgosur të Stambollit, Ekrem Imamoglu

Ekrem Imamoglu

Foto: Associated Press

Një gjykatë turke ka lëshuar të hënën një urdhër të ri arresti për kryebashkiakun e burgosur të Stambollit, Ekrem Imamoglu, nën dyshimin për "spiunazh politik", duke shënuar një fazë të re në një goditje të paprecedentë ndaj kundërshtarëve të presidentit, Recep Tayyip Erdogan.

Nuk është e pazakontë që gjykatat turke të lëshojnë urdhëra zyrtarë arresti për njerëz që janë tashmë në paraburgim kur nis një hetim i ri. Kritikët thonë se gjykatat janë të politizuara, një akuzë e hedhur poshtë nga qeveria, e cila thotë se ato janë të pavarura, raporton Reuters.

Disa analistë thanë se masa kundër Imamoglut, rivalit kryesor politik të Erdoganit, mund të çojë në marrjen e kontrollit nga shteti të bashkisë së Stambollit, i cili është qyteti më i madh i Evropës.

Hetimi për spiunazh shënon një përshkallëzim të një goditjeje ligjore njëvjeçare ndaj partisë kryesore të opozitës turke, Partisë Republikane Popullore (CHP), të cilën kritikët e qeverisë e shohin si dëmtuese të kredencialeve demokratike të Turqisë.

Imamoglu dhe partia e tij tashmë po përballen me një sërë akuzash që ata i mohojnë. Imamoglu ka qenë në burg që nga marsi në pritje të gjyqit për akuza të veçanta për korrupsion, dhe gjithashtu mori një dënim të ri me burgim në korrik për fyerje dhe kërcënim ndaj kryeprokurorit të Stambollit.

Vendimi i fundit i gjykatës akuzon Imamoglun për përfshirje në korrupsion për të mbledhur fonde për kandidaturën e tij presidenciale dhe për "spiunazh" për të siguruar mbështetje ndërkombëtare, ka raportiar agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.

Imamoglu i ka hedhur poshtë akuzat e reja në një deklaratë nga burgu të premten dhe përsëri në gjykatë të dielën.

"Shpifje, gënjeshtra dhe konspiracioni i tillë as nuk do t'i kalonte ndërmend djallit!", ka thënë ai në X.

"Po përballemi me një imoralitet të turpshëm që nuk mund të përshkruhet me fjalë”, ka shtuar ai.