LAJMET E MBRËMJES

Administrata Trump konfirmon vazhdimin e marrëveshjes së Kosovës me MCC-në

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trumpit, do ta vazhdojë marrëveshjen e Kosovës me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit. Presidentja Vjosa Osmani ka thënë të mërkurën se rikonfirmimi i marrëveshjes për investimin e mbi 200 milionë dollarëve amerikanë në bateri, është lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën

Programi Kompakt i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) për Kosovën, i cili është i përqendruar në ofrimin e zgjidhjeve për energji të pastër dhe i cili u pati nënshkruar gjatë administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, do të vazhdojë të zbatohet edhe nën udhëheqjen e Donald Trumpit. 

Presidentja Vjosa Osmani e ka dhënë të mërkurën lajmin për miratimin e këtij programi nga administrata Trump, teksa në një postim në rrjete sociale e ka vendosur edhe një fotografi me zëvendëssekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau, të cilin e ka takuar para dy javësh. 

Osmani, në postimin e saj në Facebook, ka shkruar se vazhdimi i këtij programi është lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën. 

“Pas takimeve të shkëlqyeshme në Washington D.C, ku diskutuam për rëndësinë e Kompaktit të MCC për Kosovën, jam informuar edhe zyrtarisht nga Zv. Sekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, se Administrata Trump ka miratuar vazhdimin e këtij programi për Kosovën — një program me ndikim transformues për sektorin e energjisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën! Mirënjohje e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, ka shkruar ajo. 

Sipas njoftimit nga Presidenca, vetëm pak ditë pas takimit Osmani-Landau dhe pas një letre që presidentja ia ka dërguar sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, administrata e SHBA-së e ka dhënë “dritën e gjelbër për vazhdimin e Programit Kompakt”, ndërsa në të thuhet po ashtu se “zëvendëssekretari Landau luajti rol kyç në këtë vendimmarrje”.

Mundësia e përjashtimit të Kosovës nga ky program u pat shprehur si frikë pas ndryshimeve që presidenti Trump i ka bërë me agjenci të shumta në SHBA. 

Transmetuesi amerikan CNN pati raportuar në prill të këtij viti se Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit do të mbyllet si shumë agjenci të tjera, me propozim të shefit të atëhershëm të Departamentit për Efiçiencë Qeveritare, Elon Musk.

Në prill të vitit 2024, MCC-ja dhe Qeveria e Kosovës kanë nisur zbatimin e këtij programi që e kap vlerën e 236.7 milionë dollarëve. Nga kjo shumë, 202 milionë janë nga MCC-ja dhe 34.7 milionë të tjera janë kontribut i Qeverisë së Kosovës. Programet kompakt të MCC-së janë grante pesëvjeçare, të cilat lëshohen nga kjo korporatë për shtetet që i plotësojnë kërkesat për kualifikim për programe të tilla.

Më 2022, Kosova ka arritur marrëveshje me MCC-në për programin kompakt. Sipas marrëveshjes, projekti kyç i këtij programi është ai i ruajtjes së energjisë. Nëpërmjet tij, Kosova do të ketë rezerva të energjisë elektrike nëpërmjet baterive të kapacitetit të lartë prej 170 megavatësh. Këto bateri do të mundësojnë sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë.

Në ceremoninë e lansimit të zbatimit të programit, zyrtarë të Qeverisë kanë thënë se me anë të programit, Kosova parashikohet që deri në fund të vitit 2027 të ketë kapacitetin më të madh të baterive në botë për kokë banori.

Në atë kohë, në Ekzekutiv patën thënë se kompakti i MCC-së synon të prezantojë një sistem të avancuar të ruajtjes së energjisë për të krijuar brime të besueshme, të ripërtërishme të energjisë të cilat do të integrohen në rrjetin e Kosovës dhe duke reduktuar nevojën që energjia të prodhohet nga thëngjilli.

E në MCC kanë deklaruar se kompakti do të shërbejë si “gurthemel i transicionit të Kosovës drejt energjisë së gjelbër, duke rritur sigurinë energjetike të vendit dhe duke nxitur transformimin e tij socio-ekonomik”.

Kosova prodhon shumicën e energjisë nëpërmjet djegies së thëngjillit, në dy termocentralet: Kosova A dhe B.

Sipas Strategjisë për Energjinë, e cila është miratuar më 2023, Kosova synon që deri në vitin 2031 të arrijë që 35 për qind të nevojave për energji elektrike t’i gjenerojë nga energjia e ripërtërishme.

Strategjia, po ashtu, parasheh që thëngjilli të hiqet tërësisht nga përdorimi deri në vitin 2050. 

MCC-ja ka bashkëpunuar me Kosovën që nga viti 2016. Përveç programit kompakt për energji, MCC-ja ka pasur edhe programe të tjera për zhvillimin ekonomik në Kosovë në vlerë prej 50 milionë dollarësh. Kjo agjenci e SHBA-së po ashtu ka ofruar bursa për shkollimin e grave në fushën e energjisë.