Arbëri

Osmani thotë se SHBA-ja ka vendosur të vazhdojë zbatimin e Kompaktit të MCC-së

osmani

Qeveria amerikane ka marrë vendim për të vijuar me zbatimin e Kompaktit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në Kosovë, ka thënë presidentja Vjosa Osmani e njoftuar nga Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau.

Osmani ka thënë se kjo konfirmon përkushtimin e palëkundur të SHBA-së për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe sigurinë energjetike të Kosovës. 

“Ky vendim me rëndësi të veçantë, vjen pas letrës që Presidentja Osmani i ka dërguar Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, si dhe pas takimit të suksesshëm të Presidentes Osmani me Zëvendës Sekretarin Landau, gjatë vizitës së saj zyrtare në Washington, ku është diskutuar në detaje për përfitimet e dyanshme të këtij programi. Vetëm pak ditë pas këtij takimi të nivelit të lartë, administrata amerikane dha dritën e gjelbër për vazhdimin e Kompaktit, ndërsa Zëvendës Sekretari Landau ka luajtur një rol kyç në këtë vendimmarrje”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Osmani ka theksuar se Kompakti i MCC-së, jo vetëm që rritë sigurinë energjetike të vendit, por gjithashtu krijon mundësi të reja për investime të ndërsjella dhe hap rrugë të reja për bizneset amerikane në tregun kosovar.

Pasi presidenti amerikan, Donald Trump, mori detyrën, ishte raportuar se pritej mbyllja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për të reduktuar shpenzimet qeveritare amerikane.  

Programi Kompakt u lansua më 2024 si investim në vlerë prej mbi 200 milionë dollarë në energji mes qeverisë amerikane dhe të Kosovës.