LAJMET E MBRËMJES

22 të arrestuar e qindra mijëra euro të ngrira e të sekuestruara në operacionin antidrogë

Një operacion policor i koduar “Qielli i Thyer” është zhvilluar të martën në disa rajone të Kosovës, me qëllim goditjen e krimit të organizuar. Gjatë aksionit janë arrestuar 22 persona dhe sipas prokurorisë është shkatërruar një grup i krimit të organizuar të trafikimit me narkotikë. Gjatë operacionit janë sekuestruar 29 vetura dhe janë ngrirë mbi gjysmë milioni euro.

22 persona janë arrestuar, 29 vetura janë sekuestruar e janë ngrirë gjysmë milioni euro pas një operacioni policor të zhvilluar të martën me kërkesë të Prokurorisë Speciale.

Operacioni antidrogë i koduar si “Qielli i Thyer”, është realizuar në rajonet e Prishtinës, Pejës, Prizrenit dhe të Gjilanit, ku janë bastisur 47 lokacione.

Prokuroria Speciale së bashku me Policinë kanë theksuar se përmes këtij aksioni, ku kanë marrë pjesë rreth 600 zyrtarë të Policisë, është arritur shkatërrimi i një grupi të krimit të organizuar të trafikimit me narkotikë.

“Gjatë realizimit të urdhërkontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: lëndë narkotike, 29 vetura, 134 e 900 mijë para të gatshme, 20 mijë e 40 franga zvicerane, 490 dollarë, 13 mijë euro para të falsifikuara, 9 orë dore të markave të njohura, 36 armë të llojeve të ndryshme, 1.569 fishekë të ndryshëm, 1.292 copë municione të ndryshme, një prese për paketimin e heroinës dhe kokainës, laptopë, telefona, usb dhe dokumente të ndryshme. Po ashtu janë ngrirë mjete në llogari bankare në vlerë prej 500 mijë eurosh, dhe janë vënë nën urdhër ndalues të gjitha paluajtshmëritë e të pandehurve në këtë rast”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë.

Sipas njoftimit, në operacion ka asistuar edhe Agjencia Evropiane e Policisë.

“Operacioni i koduar ‘Qielli i Thyer’ është përkrahur nga autoritetet e Belgjikës, Holandës, Europolit, dhe është udhëhequr nga Prokurori i PSRK-së, i cili ka qenë prezent gjatë realizimit të urdhërkontrollit. Ky operacion është rezultat i një hetimi të gjatë kundër grupeve të krimit të organizuar që janë marrë me trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve, pastrimin e parave dhe formave të tjera të krimit të organizuar”, thuhet në komunikatë.

Sipas Prokurorisë, personat janë arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “krim i organizuar”, në lidhje me trafikimin e narkotikëve dhe pastrimit të parave. Veprat penale, të pandehurit dyshohen se i kanë kryer përmes aplikacionit “SkyECC”.

Njësiti antidrogë në Policinë e Kosovës ka zhvilluar operacion në Prishtinë edhe një muaj më parë, ku ka konfiskuar 626 gramë marihuanë dhe ka arrestuar dy persona për përfshirje në aktivitete të shpërndarjes së substancave narkotike.