Kulturë

Spanja e vendosur për përjashtimin e Izraelit nga “Eurovisioni”

Spanja e vendosur për përjashtimin e Izraelit nga “Eurovisioni”

Spanja është e vendosur t’i përmbahet vendimit të saj për të mos marrë pjesë në “Eurovision” nëse Izraeli nuk përjashtohet, pavarësisht ndryshimeve që po promovohen aktualisht nga EBU-ja në rregullore.

Të enjten në mbrëmje presidenti i radios dhe televizionit spanjoll RTVE, José Pablo López, ka thënë se sa kohë që Izraeli mbetet, Spanja, një nga pestë finalistët e përhershëm, nuk do të marrë pjesë në konkursin e ardhshëm që do të mbahet në Vjenë.

Ai ka theksuar se armiqësitë nga ana e Izraelit ishin “provokuese” dhe kishin çuar në një “situatë jashtëzakonisht të rëndë humanitare në Gazë”.

Siç raportohet nga gazeta “El Pais”, kur u pyet për këtë çështje nga një anëtar i Parlamentit nga grupi socialist, disa ditë para diskutimeve mbi masat e reja për Garën Evropiane të Këngës dhe pjesëmarrjen e Izraelit, të cilat do të zhvillohen javën e ardhshme në Asamblenë e Përgjithshme të Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU), López deklaroi se “qëndrimi i RTVE për këtë çështje nuk ka ndryshuar”.

“Ne mbajmë të njëjtin qëndrim për dy arsye kryesore: së pari, për shkak të gjenocidit që është kryer në Gazë. Si president i RTVE-së, unë ende besoj se ‘Eurovisioni’ është një garë, por të drejtat e njeriut nuk janë. Dhe mendoj se duhet ta mbajmë mend këtë. Por dua të ngre një çështje tjetër: mosrespektimin sistematik të vetë rregullave nga Izraeli”, citohet të ketë thënë ai. 

Lopez akuzoi gjithashtu Izraelin për “shfrytëzim politik të garës” dhe përpjekje për të ndikuar në votim.

“Çdo vend tjetër i përfshirë në këtë lloj përdorimi të konkursit, ju siguroj, do të ndëshkohej dhe do të pezullohej përkohësisht ”, ka thënë ai, duke shtuar se disa ditë më parë mori një letër nga drejtori i përgjithshëm i EBU-së, Noel Curran, në të cilën pranohet se “falë presionit nga RTVE, organizata do të miratojë masa shtesë për të parandaluar ndërhyrjen e qeverisë dhe votat e manipuluara”.