Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Eurovisioni” planifikon ndryshimin e votimit, shkaku i Izraelit

Izraeli ne Eurovision

Foto: Associated Press

Organizatorët e Garës Evropiane të Këngës “Eurovision” kanë njoftuar se planifikojnë të ndryshojnë sistemin e votimit të garës më të famshme muzikore në Evropë për të siguruar drejtësi, lëvizje kjo që vjen pas pretendimeve për ndërhyrje nga qeveria e Izraelit.

Unioni Evropian i Transmetuesve që organizon garën ka bërë të ditur të premten se ndryshimet janë bërë “me qëllim për të forcuar besimin, transparencën por edhe angazhimin e audiencës”.

Izraeli ka garuar në “Eurovision” për më shumë se 50 vjet dhe e ka fituar katër herë. Por thirrjet që Izraeli të përjashtohet u shtuan pas nisjes së luftës ndaj Hamasit në Gazë. Pretendimet që qeveria e Izraelit ka ndërhyrë i frynë edhe më shumë debatit.

Në shtator, transmetuesi publik holandez AVROTROS – duke cituar vuajtjet e njerëzve nga lufta në Gazë – pati thënë se nuk mund ta justifikojë më gjatë pjesëmarrjen e Izraelit në garë. Edhe shtete të tjera shprehën të njëjtin qëndrim. Transmetuesi holandez vazhdoi duke thënë se “ka prova të ndërhyrjes nga qeveria e Izraelit gjatë edicionit të fundit të garës, dhe se ngjarja ishte përdorur si instrument politik”. Deklarata nuk pati dhënë hollësi.

Në të njëjtin muaj, Golan Yochpaz, shefi ekzekutiv i transmetuesit publik të Izraelit, Kan, pati thënë se “nuk ka arsye përse të mos jenë pjesë e rëndësishme e ngjarjes kulturore, që nuk duhet të bëhet politike”.

Edhe Izraeli në garë, disa shtete nisin bojkotin e “Eurovisionit” Kulturë Izraeli në garë, disa shtete nisin bojkotin e “Eurovisionit”

Kan po ashtu pati thënë atë kohë se ishte i bindur që EBU-ja “do të vazhdojë të ruajë karakterin apolitik, profesional e kulturor të garës, sidomos në prag të edicionit jubilar të 70-të të ‘Eurovisionit’” vitin e ardhshëm.

Si pjesë e masave të reja të “Eurovisionit”, në garën e edicionit të ardhshëm – që pritet të mbahet në maj në Vjenë – numri i votave për metodën me pagesë do të përgjysmohet. Pra tash shikuesit mund të votojnë deri në 10 herë, sipas EBU-së.

Pos kësaj, juritë profesionale do të rikthehen në gjysmëfinale për herë të parë që prej vitit 2022 – lëvizja mundëson ndarjen e peshës së votës mes audiencës dhe jurisë në raportin 50:50.

Organizatorët kanë thënë po ashtu se do t’i forcojnë masat mbrojtëse për të penguar aktivitete të dyshimta ose të koordinuar të votimit dhe do të forcojnë sistemet e sigurisë që monitorojnë, zbulojnë ose parandalojnë modele mashtruese.

Edhe Irlanda bojkoton Eurovisionin për të dytin vit për shkak të Izraelit Showbiz Irlanda bojkoton Eurovisionin për të dytin vit për shkak të Izraelit

Drejtori i garës, Martin Green, ka thënë se neutraliteti dhe integriteti i garës është i rëndësisë së madhe për EBU-në, anëtarët e saj dhe audiencën, duke shtuar se ngjarja “duhet të mbetet hapësirë neutrale dhe nuk duhet të instrumentalizohet”.

Asambleja e përgjithshme e EBU-së më 4-5 dhjetor pritet të shqyrtojë nëse Izraeli mund të marrë pjesë në garën e vitit të ardhshëm. Votimi për pjesëmarrje do të ndodhë nëse transmetuesit anëtarë vendosin se hapat e rinj janë “të pamjaftueshëm”, ka thënë Green.