Irlanda do ta bojkotojë Eurovisionin për të dytin vit radhazi për shkak të “vrasjeve të tmerrshme” që vazhdojnë në Gaza, ka njoftuar transmetuesi kombëtar i vendit.
Irlanda është një nga pesë shtetet - së bashku me Islandën, Holandën, Spanjën dhe Slloveninë - që këtë vit refuzuan të merrnin pjesë në Garën Evropiane të Këngës, në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit.
RTÉ njoftoi se nuk do të marrë pjesë në edicionin e vitit 2027. Edhe transmetuesi holandez Avrotros njoftoi muajin e kaluar se do ta bojkotonte garën, duke e cilësuar Eurovisionin si një “platformë për përçarje”.
“RTÉ mendon se pjesëmarrja e Irlandës nuk mund të justifikohet, duke pasur parasysh humbjen e tmerrshme dhe të vazhdueshme të jetëve në Gaza dhe krizën humanitare atje, e cila vazhdon të vërë në rrezik jetën e kaq shumë civilëve”, u tha në deklaratën e transmetuesit irlandez.
Eurovisioni i vitit të ardhshëm do të mbahet në qytetin bullgar Burgas, pasi Bullgaria sivjet fitoi për herë të parë, raportoi Guardian.
Edhe
Holanda, e vendosur në bojkotimin e “Eurovisionit”
Transmetuesi holandez Avrotros tha se nuk do të marrë pjesë, duke argumentuar se gara “nuk mund të konsiderohet më neutrale, për sa kohë që një shtet pjesëmarrës është ende i përfshirë në një konflikt ushtarak në shkallë të gjerë”.
Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), i cili organizon Eurovisionin, është në bisedime me transmetues të tjerë holandezë, me shpresën që një nga televizionet e tjera publike të vendit të marrë pjesë në garë.
Drejtori i Eurovisionit, Martin Green, ka shprehur keqardhje por theksoi se e respekton vendimin e RTÉ-së.
“Ata mbeten një pjesë e çmuar e familjes sonë dhe do të na mungojnë. Aftësia për t’i bashkuar njerëzit është në thelb të asaj që e bën këtë garë kaq të veçantë dhe është edhe më e rëndësishme tani, në një botë gjithnjë e më të vështirë dhe të përçarë”, theksoi ai.
EBU është përpjekur t’i adresojë shqetësimet e transmetuesve mbi pjesëmarrjen e Izraelit. Vitin e kaluar, reduktoi numrin e votave që mund të hynin online ose nga telefoni përmes një individi, mes pretendimeve se Izraeli kishte ndërmarrë një fushatë disproporcionale për votat e publikut.
Muajin e kaluar, EBU njoftoi se transmetuesit nuk do të mund të organizojnë garën e këngës nëse shtetet e tyre janë të përfshirë në një konflikt të armatosur ose në një situatë të ndjeshme gjeopolitike.
Edhe
“Eurovisioni” ndalon organizimin e konkursit nga vendet në konflikt
Eurovisioni është përballur me protesta brenda dhe jashtë ngjarjeve të garës në vitet e fundit për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit, një garues prej vitit 1973.
Autoritetet palestineze raportojnë për mbi 73 mijë njerëz të vrarë në luftën që po e bën Izraeli në Gazë. Pavarësisht përpjekjeve për armëpushim, sulmet izraelite vazhdojnë.