Vendi fitues zakonisht organizon konkursin e vitit pasardhës, por sipas rregullave të reja, vendi fitues do të jetë “automatikisht i papërshtatshëm për të organizuar konkursin nëse një konflikt i armatosur, një situatë e ndjeshme gjeopolitike ose çfarëdo situate tjetër ndikon në mënyrë thelbësore në sigurinë, mbrojtjen ose stabilitetin e shtetit të tij apo të rajonit të tij të afërt”, njoftuan organizatorët e “Eurovision Song Contest”
“Eurovisioni”, konkursi më i madh ndërkombëtar i këngës në botë, nuk do t’u lejojë më vendeve në luftë të organizojnë konkursin.
Vendi fitues zakonisht organizon konkursin e vitit pasardhës, por sipas rregullave të reja, vendi fitues do të jetë “automatikisht i papërshtatshëm për të organizuar konkursin nëse një konflikt i armatosur, një situatë e ndjeshme gjeopolitike ose çfarëdo situate tjetër ndikon në mënyrë thelbësore në sigurinë, mbrojtjen ose stabilitetin e shtetit të tij apo të rajonit të tij të afërt”, njoftuan organizatorët e “Eurovision Song Contest”.
Ndryshimi vjen pasi disa vende evropiane bojkotuan konkursin e sivjetshëm për shkak të përfshirjes së Izraelit. Izraeli u rendit i dyti si në konkursin e vitit 2025, ashtu edhe në atë të vitit 2026, duke ngritur pikëpyetje nëse do t’i lejohej organizimi i konkursit në rast se do të fitonte.
Trupi drejtues i konkursit e miratoi ndryshimin pasi mori reagime nga transmetuesit pjesëmarrës.
“Këto ndryshime kanë të bëjnë me ofrimin e një qartësie më të madhe për të gjithë të përfshirët, mbrojtjen e artistëve dhe sigurimin që konkursi të vazhdojë të ofrojë një mjedis të sigurt dhe mikpritës, duke ruajtur frymën dhe integritetin që e bëjnë ‘Eurovision Song Contest’ kaq të veçantë”, ka deklaruar Martin Green, drejtor i “Eurovision Song Contest”.
Edhe
“Eurovisioni” lejon flamurin palestinez dhe fishkëllimat kundër Izraelit
Organizatorët e “Eurovisionit” bënë edhe disa ndryshime të tjera në rregullat e konkursit, përfshirë rritjen e moshës minimale për interpretuesit, duke e çuar atë nga 16 në 18 vjeç, me kusht që të kenë mbushur 18 vjeç në ditën e parë të provave.
Pesë vende – Spanja, Islanda, Irlanda, Holanda dhe Sllovenia – bojkotuan konkursin e sivjetshëm në Vjenë të Austrisë, në maj, pasi “European Broadcasting Union” (EBU) refuzoi thirrjet për pezullimin e Izraelit nga konkursi. Transmetuesi publik irlandez, RTÉ, në një deklaratë të shtatorit tregoi se “pjesëmarrja e tij do të ishte e papranueshme, duke pasur parasysh humbjen e vazhdueshme dhe të tmerrshme të jetëve në Gaza”. José Pablo López, presidenti i transmetuesit publik spanjoll RTVE, deklaroi po atë muaj se “kishte ardhur koha që të thyhej heshtja brenda EBU-së lidhur me gjenocidin në Gaza”.
Transmetuesit argumentuan gjithashtu se konkurrentët e “Eurovisionit” nuk janë thjesht interpretues të zakonshëm, por përfaqësues të shteteve të tyre. “’Eurovisioni’ nuk është thjesht një konkurs këngësh’, deklaroi López. Ai është “festivali më i politizuar që ekziston”.
Vendimi i transmetuesve për t’u tërhequr nga konkursi shënoi bojkotin më të madh politik shumëkombësh në historinë e “Eurovisionit”.
Bojkoti erdhi në mes të reagimit të fortë publik ndaj përfshirjes së Izraelit në konkurs, pavarësisht pushtimit ushtarak dhe bombardimeve të Gazës nga Izraeli, ku, sipas tekstit të mospjesëmarrjes, kanë humbur jetën më shumë se 73 mijë njerëz që nga 7 tetori 2023.
Izraeli merr pjesë në “Eurovision” që nga viti 1973, duke u bërë vendi i parë joevropian që iu bashkua konkursit. Meqë “Eurovisioni” organizohet nga transmetues publikë që janë pjesë e EBU-së, ai përfshin edhe anëtarë të EBU-së jashtë Evropës, si Kanadaja, e cila do të ketë të drejtë të marrë pjesë në konkursin e vitit 2027, pasi transmetuesi i saj iu bashkua Unionit në vitin 2026. Bullgaria pritet të organizojë konkursin e vitit 2027.
Edhe
Izraeli në garë, disa shtete nisin bojkotin e “Eurovisionit”
Por përfshirja e Izraelit në vitet e fundit ngriti pikëpyetje nëse konkursi po mbante një qëndrim të njëjtë ndaj vendeve në luftë. “Eurovisioni” e ndaloi Rusinë të merrte pjesë në konkurs pasi ajo pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022, duke argumentuar se përfshirja e saj do ta dëmtonte reputacionin e konkursit. Më vonë po atë vit, EBU-ja pezulloi për një kohë të pacaktuar transmetuesit shtetërorë rusë nga strukturat drejtuese dhe anëtarësia e unionit.
Pasi Izraeli u rendit i dyti në konkurset e viteve 2025 dhe 2026 – rezultate që gjithashtu u vunë nën vëzhgim për shkak të akuzave për ndërhyrje të qeverisë, të cilat Izraeli i mohoi – disa transmetues, sipas raportimeve, shprehën shqetësime për sigurinë nëse konkursi do të organizohej atje në të ardhmen.
Një hetim i “Eurovision News Spotlight” zbuloi se qeveria izraelite kishte financuar një fushatë të gjerë online për përfaqësuesin e saj në konkursin e vitit 2025. EBU-ja këmbënguli se rezultati ishte i vlefshëm, por këtë vit vendosi kufizime të reja që ndalojnë promovimin joproporcional, përfshirë fushatat e mbështetura nga shteti. EBU-ja e paralajmëroi zyrtarisht transmetuesin izraelit, KAN, për videot që u bënin thirrje shikuesve të jepnin të 10 votat e tyre për Izraelin. Transmetuesi mohoi çdo shkelje dhe EBU-ja tha se videot nuk ndikuan në rezultatet e konkursit.
Eurovisioni i ka zhvendosur edhe më parë konkurset për shkak të çështjeve gjeopolitike, megjithëse deri tani nuk kishte ekzistuar një rregull formal për këtë. Ukraina organizoi Eurovisionin në vitin 2017, pavarësisht luftimeve mes forcave ukrainase dhe separatistëve në lindje të vendit, të mbështetur nga Moska. Vendi fitoi sërish në vitin 2022, por konkursi i vitit 2023 u organizua përfundimisht në Liverpool të Mbretërisë së Bashkuar, në emër të Ukrainës.
Rregulli i ri institucionalizon gjithashtu një proces për të përcaktuar nëse një vend fitues që nuk është në luftë është i përshtatshëm për të organizuar konkursin. EBU-ja tregoi se mund të angazhojë një vlerësim të pavarur të sigurisë për të përcaktuar nëse një vend fitues mund ta organizojë konkursin në mënyrë të sigurt dhe, nëse kjo nuk është e mundur, EBU-ja do të caktojë një vend tjetër organizator.
Edhe
Spanja e vendosur për përjashtimin e Izraelit nga “Eurovisioni”
Sipas rregullave të reja, vendi i caktuar si organizator do ta organizojë konkursin “në të drejtën e vet” dhe “nuk do të jetë i detyruar ta zhvillojë aktivitetin në emër të një anëtari tjetër”. Ky ndryshim dallon nga konkursi i vitit 2023, për të cilin transmetuesit britanikë dhe ukrainas bashkëpunuan në prodhimin e konkursit.
Marrë nga “Time”