Kulturë

“Siparantum” ia bashkon Tajlandës ngjyrat e muzikën e Kosovës

Kori Siparantum

Mbi 30 veta të korit “Siparantum” midis kulturave aziatike, në ceremoninë hapëse të Festivalit Ndërkombëtar të Koreve në Tajlandë, të dielën mbrëma, sipas orës lokale, në Qendrën Kulturore të Tajlandës në Bangkok kanë shpërfaqur talentin e traditën (Foto: Arben Llapashtica)

Në Tajlandë jo se jo, por pakkush mund ta zbërthejë me të parën se “Siparantum” është emri i moçëm i Pejës qysh nga koha e dardanëve, e kori që mban këtë emër gërmon nëpër traditën e lashtë muzikore të këtyre anëve dhe ia prezanton atë botës. Stacioni i radhës: Bangkoku. Një kapitull i ngjyrave dhe muzikës së Kosovës është shpalosur qysh në hapje të Festivalit Ndërkombëtar të Koreve në Tajlandë, të dielën mbrëma, sipas orës lokale, e rrugëtimi në një vend plot kolorit vazhdon

Është festival relativisht i ri si organizim, por realizohet në një vend ku muzika korale ka traditë jo të vogël. Me saktësi sekondëshe, nisi edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Koreve në Tajlandë. Nga Evropa aty zë vend një kor vullnetarësh i shtetit më të ri të Kontinentit të Vjetër. 

Kori “Siparantum” është midis 24 formacioneve të tjera vokale që vijnë nga pesë shtete. Qendra Kulturore e Tajlandës në Bangkok është institucioni, i cili i hap dyert për ceremoninë hapëse të Festivalit i cili organizohet nga Asociacioni i Koreve të Tajlandës. 

Të shtunën paradite anëtarët e korit kosovar, që ka nëntë vjet prej themelimit, kanë përfunduar rrugën prej 8 mijë kilometrash për të çuar pak muzikë shqiptare e traditë korale të Kosovës në qytetin e themeluar më 1782 që njihet për alamet tempujsh budistë. 

Vepra “Pax” e Memli Kelmendit, njëherësh dirigjent i Korit, është e para që para vendasve ka sjellë frymën e krijimtarisë korale të Kosovës. Vepra njihet për dramacitet. Të tillë e ka krijuar edhe atmosferën në pallatin e inauguruar në vitin 1987 dhe i cili është qendër që bashkon shprehjet artistike në një vend. Mbi 30 veta të korit “Siparantum”, midis kulturave aziatike në ceremoninë hapëse kanë shpërfaqur talentin e traditën. Vendi juglindor aziatik ka ambicie të mëdha sa i përket festivalit. 
“Fire” e kompozitores së njohur kanadeze Katarina Gimon ka qenë vepra e dytë dhe e fundit në prezantimin e “Siparantum” në ceremoninë hapëse të Festivalit.

“Ky interpretim përçon një mesazh paqeje, bashkimi dhe energjie të re, duke vendosur Kosovën në qendër të një ngjarjeje ndërkombëtare ku marrin pjesë kore nga e gjithë bota”, ka thënë dirigjenti i Korit, Memli Kelmendi, derisa ka komentuar veprat e zgjedhura për ceremoninë hapëse të Festivalit. Janë dy grupe me 12 kategori garash. “Siparantum” bën pjesë te kategoria “Mixed Adult Choir”. Synon që pos kategorisë ku garon të jetë pretendues edhe për atë që është “Çmimi i madh”. 

Vepra “Pax” e Memli Kelmendit, njëherësh dirigjent i Korit, është e para që para vendasve ka sjellë frymën e krijimtarisë korale të Kosovës. Vepra njihet për dramacitet. Të tillë e ka krijuar edhe atmosferën në pallatin e inauguruar në vitin 1987 dhe i cili është qendër që bashkon shprehjet artistike në një vend (Foto: Arben Llapashtica)

Presidenti i Asociacionit të Koreve i Tajlandës, Kittiporn Tantrarungroj, ka thënë se janë shumë të lumtur që mund ta realizojnë këtë ngjarje. 

“Qëllimi është që Tajlandën ta bëjmë edhe destinacion të muzikës korale”, ka thënë ai për shtetin që njihet për plazhet e klimën tropikale e po ashtu edhe si vend i buzëqeshjes. Ka pasur një përshëndetje të veçantë për korin “Siparantum”. 

“Jemi shumë të lumtur që këtu kemi miq nga Kosova. Prezenca juaj këtu do ta bëjë ngjarjen më të gjallë”, ka thënë shefi i organizimit që ka mbledhur kore nga pesë vende. Dominojnë ato aziatike. Pas ceremonisë hapëse të dielën mbrëma, sot (e hënë) nis agjenda e Festivalit. 

Dirigjenti Memli Kelmendi do të mbajë në Bangkok punëtori për muzikën korale të Kosovës. “Choral Music Culture in Kosovo – History & Traditions” është tema e përzgjedhur. Kelmendi, i cili ka depërtuar goxha në rrjetet e muzikës korale në botë, ka zgjedhur që të flasë për traditën e muzikës korale në Kosovë, atë të korit që udhëheq. Është kënga e njohur “Moj e bukura More”, të cilën do t’ua mësojë mbi 100 koristëve të pranishëm. Do ta rrëfejë po ashtu edhe historinë prej nga buron kjo këngë.

“Ky prezantim do të sjellë një pasqyrë të gjerë mbi historinë dhe zhvillimin e muzikës korale në Kosovë, duke treguar rrugëtimin nga tradita deri te skena moderne. Në fund pjesëmarrësit nga vende të ndryshme të botës do të punojnë së bashku mbi një vepër korale, duke krijuar një përvojë të rrallë ndërkulturore dhe artistike”, ka thënë ai pas ceremonisë hapëse. 

Në ditën e dytë të këtij muaji, “Siparantumi” është pjesë e koncertit të miqësisë në Bangkok që mbahet në skenën e “Central Rama 9”. Sipas organizatorëve, ky koncert unik mbledh ansamble nga vende të ndryshme pjesëmarrëse dhe i është dedikuar miqësisë, bashkëpunimit dhe dialogut nëpërmjet muzikës.

“Kori nga Kosova do të prezantohet me një repertor të përzgjedhur nga kompozitorë ndërkombëtarë dhe kosovarë, duke e vendosur kulturën dhe krijimtarinë shqiptare përballë audiencës botërore në një prej qendrave kulturore më të mëdha të Azisë”, ka thënë Kelmendi. 

Po atë ditë në Qendrën Kulturore të Tajlandës, “Siparantum” merr pjesë në gara. Vepra “Amor io fallo” e kompozitorit belg Jan Van der Roost do të jetë e para përderisa “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” e Baki Jasharit është e dyta. Kelmendi ka punuar për ta ndryshuar pak koreografinë e kësaj vepre në mënyrë që dramaciteti të ketë tjetër efekt. 

“Ky program i balancuar ndërmjet traditës evropiane dhe krijimtarisë kombëtare sjell në skenë një identitet të fuqishëm artistik dhe është dëshmi e përkushtimit të korit ‘Siparantum’ për të përfaqësuar Kosovën në skenën ndërkombëtare”, ka thënë ai. 

Kori “Siparantum” është midis 24 formacioneve të tjera vokale që vijnë nga pesë shtete (Foto: Arben Llapashtica) 

Kori nga Kosova është midis formacionesh korale të shteteve ekzotike si Filipinet, Tajlanda, Indonezia e Tajvani. Por edhe për organizatorët tingëllon goxha ekzotike pjesëmarrja e një ansambli koral nga një shtet i vogël evropian. 

Paraprakisht në qershorin e vitit 2023, Orkestra Simfonike Mbretërore e Bangkokut ishte nikoqire e solistëve dhe interpretuesve të Kosovës në atë që është quajtur “Koncerti i miqësisë midis Tajlandës dhe Kosovës”. Me sopranon Besa Llugiqi e violinisten Sihana Badivuku si soliste, me Visar Kuçin si koncert-mjeshtër në koncertin e dirigjuar prej Toshio Yanagisawas, dirigjent nderi i Filharmonisë së Kosovës, institucioni më i lartë i muzikës serioze në vend e përfaqësoi kulturën vendore. U interpretuan veprat shqipe. Hapja u bë me “Simfoninë nr. 2” të Kreshnik Aliçkajt e mbyllja me “Bareshën” ikonike të Rexho Mulliqit. 

Dy vjet më pas “Siparantum” çon një tjetër traditë, atë të muzikës korale gjë për të cilën njihet goxha shteti që, sipas regjistrimit të vjetëm, ka mbi 71 milionë banorë. Mikpritja e ngrohtë është veçori e popullit tajlandez, ashtu sikurse ushqimi tropikal e kultura vibrante. Përtej njohjes së reduktuar që kanë evropianët për këtë shtet, Tajlanda ka zona të veçanta gjeografike, plazhe unike, xhunglën atraktive dhe në aspektin kulturor u konkurron krejt shteteve aziatike. E kësisoj diversiteti i “Siparantumit” ia shton ngjyrat edhe me traditë e muzikë shqiptare.