Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Siparantum” drejt Malajzisë në festivalin ku bashkohen 200 kore

“Siparantum” drejt Malajzisë në festivalin ku bashkohen 200 kore

Motoja e festivalit sivjet është “Echoes of Light” (Zërat e dritës). Siparantum tash e një dekadë është shndërruar në formacion me goxha zë gjithandej festivaleve botërore. Në Azi kthehen pasi vitin e kaluar u shpërblyen me Medalje të Artë dhe Çmim Special në Bangkok të Tajlandës (Foto: Arben Llapashtica)

Formacioni koral nga Kosova ka njoftuar se më 17 gusht do të udhëtojnë drejt Malajzisë, duke nisur kështu një tjetër kapitull të rëndësishëm në rrugëtimin ndërkombëtar. “Në mesin e qindra koreve dhe zërave nga e gjithë bota, Siparantum Choir do të përfaqësojë Kosovën, duke sjellë në këtë skenë ndërkombëtare muzikën, identitetin dhe kulturën tonë. Gjatë festivalit, ‘Siparantum’ nën drejtimin e dirigjentit Memli Kelmendi, do të garojë në dy kategori: ‘B4 – Vocal Ensemble’ dhe ‘A5 – Mixed Choir’, duke u përballur me ansamble korale nga vende të ndryshme të botës”, shkruhet në njoftimin për pjesëmarrje në festivalin ndërkombëtar “MCE International Choir Festival”

Kori “Siparantum” këto ditë është duke bërë përgatitje për një festival të madh. Ndër më të madhin në botën aziatike. Kori nga Kosova do të jetë mysafir në Malajzi. Është garues në dy kategori në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lampur. Bëhet fjalë për edicionin e 24-të të festivalit ndërkombëtar “MCE International Choir Festival”.

Formacioni koral nga Kosova ka njoftuar se më 17 gusht do të udhëtojnë drejt Malajzisë, duke nisur kështu një tjetër kapitull të rëndësishëm në rrugëtimin ndërkombëtar.

“Në mesin e qindra koreve dhe zërave nga e gjithë bota, Siparantum Choir do të përfaqësojë Kosovën, duke sjellë në këtë skenë ndërkombëtare muzikën, identitetin dhe kulturën tonë. Gjatë festivalit, ‘Siparantum’ nën drejtimin e dirigjentit Memli Kelmendi, do të garojë në dy kategori: ‘B4 – Vocal Ensemble’ dhe ‘A5 – Mixed Choir’, duke u përballur me ansamble korale nga vende të ndryshme të botës”, shkruhet në njoftim.

Ka bërë të ditur se përveç garës, Kori do të jetë pjesë edhe e koncertit ndërkombëtar “Songs Around the World – Echoes of Light”, ku do të performojnë kore nga Rusia, Singapori, Tajlanda dhe Filipinet, duke e shndërruar këtë koncert në një takim të veçantë të kulturave dhe traditave të ndryshme përmes muzikës.

“Pjesëmarrja në këtë festival është një tjetër dëshmi e rrugëtimit të Siparantum Choir në skenën ndërkombëtare dhe e përkushtimit për ta prezantuar Kosovën në ngjarje të rëndësishme të artit koral botëror”, shkruhet në njoftim.

Edhe Kori “Siparantum” drejt Tajlandës me rrëfimin e historisë muzikore shqiptare Kulturë Kori “Siparantum” drejt Tajlandës me rrëfimin e historisë muzikore shqiptare

Motoja e festivalit sivjet është “Echoes of Light” (Zërat e dritës). Siparantum tash e një dekadë është shndërruar në formacion me goxha zë gjithandej festivaleve botërore. Në Azi kthehen pasi vitin e kaluar u shpërblyen me Medalje të Artë dhe Çmim Special në Bangkok të Tajlandës.

Dirigjenti i korit “Siparantum”, Memli Kelmdi ka thënë se Malajzia është një tjetër sfidë e madhe në rrugëtimin ndërkombëtar.

“Po shkojmë në një festival ku do të jenë mbi 200 kore nga e gjithë bota, dhe për ne kjo është një mundësi e jashtëzakonshme që ta përfaqësojmë Kosovën në një prej skenave të mëdha të artit koral”, ka thënë ai. Ka treguar se do të paraqiten me një program që e kanë ndërtuar me shumë kujdes, duke ndërthurur repertorin bashkëkohor me identitetin muzikor të Kosovës. “Nuk po shkojmë vetëm për të marrë pjesë, po shkojmë për të konkurruar, për të dhënë maksimumin dhe për ta lënë gjurmën tonë. Në fund, ajo që na motivon më së shumti është që, mes qindra koreve nga e gjithë bota, të dëgjohet edhe zëri i Kosovës”, ka thënë Kelmendi.

“Siparantum” në dekadën e parë ka udhëtuar në mbi 20 shtete dhe ka marrë 21 çmime ndërkombëtare. Në pjesën dërrmuese të ngjarjeve është kthyer në Kosovë me çmime, edhe prej atyre ku ka dalë fitues absolut. Këto suksese e kanë bërë atë të renditet lart në ranglistën e koreve botërore.

Kori “Siparantum” tashmë është pjesë e të gjitha rrjeteve të skenës muzikore korale në botë dhe gjithë këtyre vjetëve kemi ndërtuar imazh dhe lidhje të drejtpërdrejtë me artistë të shumtë anë e mbanë globit.

Viti i kaluar ka qenë një prej më të ngarkuarve. Kanë qenë pjesë e Festivalit të Koreve në Greqi, ku kanë marrë Medalje të Argjendtë, vjet për herë të pestë ishin në sallën prestigjioze të Filharmonisë së Berlinit, por kësaj here në një bashkëpunim të veçantë në festivalin “Walking in the beauty”.

Tradita korale shqiptare nis me këngët liturgjike dhe zhvillohet deri te krijimtaria e kompozitorëve të shquar shqiptarë të kohës së sotme. “Siparantum” është njëri prej formacioneve korale, që këto krijime nuk i shohin veç si strukturë vokale, por edhe si mision kulturor. Është një prej shembujve më domethënës të qasjes moderne në këto vepra.

Paraprakisht, po në vitin e kaluar nga Danimarka u kthyen me Medaljen e Argjendtë në “Grand Prix of Nations” në kuadër të Lojërave Evropiane të Korit, që janë mbajtur në qytetin norvegjez Aarhus. Midis 130 koreve me rreth gjashtë mijë pjesëmarrës nga 35 vende, “Siparantum” në kategorinë ku ishte në konkurrencë ia kishte dalë të jetë i argjendtë.  

Edhe “Siparantum” i Kosovës kualifikohet për “Grand Prix” në Tajlandë Kulturë “Siparantum” i Kosovës kualifikohet për “Grand Prix” në Tajlandë

Dirigjenti Kelmendi ka thënë se sipas tij, prezantimet e veprave shqiptare në skenën ndërkombëtare janë mision e vizion i Korit.

“Çdoherë kudo që shkojmë është e pamundur që pjesë e rrugëtimit tonë të mos jetë edhe muzika jonë dhe të paraqitet në arenën ndërkombëtare. Mendoj se kjo është rruga më e mirë për të përfaqësuar kulturën dhe për të treguar imazhin e muzikës së vendit tonë në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Kelmendi.