Kulturë

“Siparantum” i artë dhe me Çmim Special në Tajlandë

Kori i Kosovës, “Siparantum”, fitues i dyfishtë në Festivalin Ndërkombëtar të Koreve të Tajlandës (Foto: Arben Llapashtica)

Kori i Kosovës, “Siparantum”, fitues i dyfishtë në Festivalin Ndërkombëtar të Koreve të Tajlandës (Foto: Arben Llapashtica)

Për ta vlerësuar korin e Kosovës “Siparantum”, nuk ka mjaftuar vetëm një çmim. Në edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Koreve në Tajlandë ka marrë Medalje të Artë duke u renditur i dyti në kategorinë e vet garuese, por një tjetër konfirmim për profesionalizimin e tij ka qenë Çmimi Special për rrëfim mbresëlënës. Çmimet e “Siparantumit” në Tajlandë përtej rëndësisë profesionale e kanë edhe simbolikën e madhe. Atje ka dërguar rrëfime që prekin edhe luftën e aso që flasin për historinë e re të vendit duke lënë në këtë shtet ngjyrat e historisë së Kosovës

Bangkok, Tajlandë - – Kori “Siparantum” ka artësuar edhe njëherë emrin e Kosovës. Kësaj radhe në Bangkok të Tajlandës. Ansambli koral ka fituar Medaljen e Artë në kategorinë “Mixed Adult Choir”, duke u renditur i dyti me 86,15 pikë midis katër koreve garuese. Kjo kategori është fituar nga kori “Medan Community” nga Indonezia. Por Kori nga Kosova nuk e ka lënë me kaq. Juria e ka vlerësuar edhe me Çmim Special për rrëfim mbresëlënës. 

“Siparantum”  qe kualifikuar në garën për “Grand Prix”. Por, Çmimi i Madh u fitua nga kori “PSM-ITB” nga Indonezia. 

“Ne pasqyrojmë kulturën tonë si popull dhe imazhin e Kosovës. Nëpërmjet korit e interpretimeve mendoj se kemi krijuar një identitet të ri në muzikën korale dhe kjo po vlerësohet. Këto dy çmime për ne janë shumë të rëndësishme”, ka thënë dirigjenti dhe themeluesi i “Siparantumit”, Memli Kelmendi (Foto: Arben Llapashtica)

E mërkura e ka gjetur korin “Siparantum” prapë në Sallën e vogël të Qendrës Kulturore të Tajlandës. Kësaj radhe në interpretim për “Grand Prix”, si garues për Çmimin e Madh pasi ishte kualifikuar për këtë rang nga gara e kategorive së bashku me një prej konkurrentëve. Kori nga Kosova ka mbajtur ritmin me veprën “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” të Baki Jasharit, përderisa kësaj radhe në vend të “Amor io fallo” të kompozitorit belg, Jan Van der Roost, kanë interpretuar “Nyon, Nyon” të Jake Runestad. Vepra e Jasharit edhe në interpretimin e dytë e ka mbajtur publikun tejet të vëmendshëm duke sjellë një rrëfim tipik të Kosovës. Performanca me bukë në duar prek historinë e thirrjeve për liri në vitet ‘90, përderisa drejt dramacitetit shëtit nëpër historinë e Kosovës deri te lufta e fundit. E, “Nyon, Nyon” ka sjellë një interpretim muzikor më argëtues. 

Juria në përbërje të filipinasit Joel Navarro, amerikanit Ethan Sperry, indonezianit Daud Kosasih, kanadezit Jamie Hillman dhe turkut Burak Onur Erdem ka vendosur që “Grand Prix” t’i jepet korit indonezian, “PSM-ITB”. Kurse “Siparantum” të jetë i artë në kategorinë e vet, por i dyti pas korit indonezian “Medan Community” që grumbulloi 89,33 pikë, fiks 3,18 më shumë se ansambli nga Kosova. Kjo arritje për “Siparanrumin” në ceremoninë e ndarjes së çmimeve nuk qe e fundit. 
Çmimi Special i jurisë për rrëfim mbresëlënës është vlerësimi i radhës në edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Koreve në Tajlandë ku kanë marrë pjesë 24 kore nga pesë vende. “Siparantum” qe kori i vetëm evropian. Koreografia e “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” e ka bërë të veten e po ashtu interpretimi ku ndjeshmëria midis skenës dhe publikut bëhet thuajse një. 

Çmimi Special i jurisë për rrëfim mbresëlënës është vlerësimi i radhës në edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Koreve në Tajlandë ku kanë marrë pjesë 24 kore nga pesë vende. “Siparantum” qe kori i vetëm evropian. Koreografia e “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” e ka bërë të veten e po ashtu interpretimi ku ndjeshmëria midis skenës dhe publikut bëhet thuajse një (Foto: Arben Llapashtica)

Tommyanto Kandisaputra i cili është bashkëdrejtor artistik i Festivalit, ka thënë se  ishin me fat që kishin një kor nga Kosova në këtë edicion. 

“Është një kor që zgjon interes. Është dramatik dhe paraqet interpretime jo të zakonshme. Mendoj se ka interpretues shumë të mirë me zë të mirë dhe ekspresiv. Dirigjenti di shumë mirë t’i shtjellojë e t’i tregojë rrëfimet nëpërmjet performancave", ka thënë ai. 

Anëtari i jurisë, amerikani Ethan Sperry, ka thënë se koristët nga Kosova nuk e humbin përqendrimin dhe kjo është shumë domethënëse. 

“Shumë kore edhe mund të reflektojnë nervozë. Ata paraqesin storje që kanë ndikim kulturor. As në Amerikë prej nga vij nuk dimë shumë për Kosovën e mendoj se në Azi edhe më pak. Kurse ‘Siparantum’ paraqet rrëfime shumë të mira”, ka thënë ai. Por sipas tij, nëse synohet të fitohet një garë nuk mund të qëndrohet vetëm në një linjë. 

“Nëse qëllimi është të fitohet gara rekomandoj ta kenë një pikë që paraqet rrëfim Kosove dhe një tjetër që është muzikë tradicionale e koreve. Edhe vepra e dytë në garën finale ‘Nyon, Nyon’ nuk është muzikë tradicionale korale. Me të vërtetë do të doja të dëgjoja një vepër ku interpretojnë akorde të bukura”, ka thënë ai. Sipas Sperryt, ka më shumë arsye për të shkuar në një garë sesa për të fituar. 

“Ata (Siparantum v.j.) kanë bërë një punë shumë të madhe me rrëfimet që kanë sjellë. Ishe kori i vetëm jo aziatik në garë dhe mendoj se ajo që kanë bërë është shumë e rëndësishme”, ka thënë ai.  

 

E mërkura e ka gjetur korin “Siparantum” prapë në Sallën e vogël të Qendrës Kulturore të Tajlandës. Kësaj radhe në interpretim për “Grand Prix”, si garues për Çmimin e Madh pasi ishte kualifikuar për këtë rang nga gara e kategorive së bashku me një prej konkurrentëve. Kori nga Kosova ka mbajtur ritmin me veprën “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” të Baki Jasharit, përderisa kësaj radhe në vend të “Amor io fallo” të kompozitorit belg, Jan Van der Roost, kanë interpretuar “Nyon, Nyon” të Jake Runestad

Dirigjenti Memli Kelmendi menjëherë pas ndarjes së çmimeve ka thënë se vetë prezenca e Korit në Bangkok për vetë ata është tejet domethënëse. 

“Ne pasqyrojmë kulturën tonë si popull dhe imazhin e Kosovës. Nëpërmjet korit e interpretimeve mendoj se kemi krijuar një identitet të ri në muzikën korale dhe kjo po vlerësohet. Këto dy çmime për ne janë shumë të rëndësishme. Mendoj se ‘Siparantum’ luan një rol të rëndësishëm në skenën shqiptare pasi mision i yni mbetet përfaqësimi i vlerave tona në skenën ndërkombëtare”, ka thënë ai. 

Sipas tij, Medalja e Artë tregon se po arrijnë t’i mbajnë lart vlerat për të cilat punojnë. 

“Te 'Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr’ mendoj se duhet të ketë edhe lëvizje koreografike dhe të sjellë rrëfime për periudhën e vështirë të shqiptarëve të Kosovës e po ashtu edhe për sakrificën e luftës. Mendoj se puna jonë hap edhe rrugë të reja për ansamblet e reja korale që mund t'i kemi në të ardhmen”, ka thënë ai. Kjo vepër ka dërguar në Tajlandë një pjesë domethënëse të mozaikut historik të Kosovës në aspektin kulturor e historik. 

Sopranoja Anjeza Marku ka thënë se performanca e së mërkurës shkoi me të vërtetë shumë mirë. Sipas saj, ishte një performancë shumë emocionale, duke qenë se përfshihej edhe një pjesë ku flitej për Kosovën. 

“Përtej emocioneve, treguam profesionalizëm dhe kulturë. Për mua, kjo do të mbetet një nga eksperiencat më të paharrueshme, jo vetëm sepse ndodhemi në një shtet shumë të largët nga i yni, por edhe sepse përqafimi i kulturës sonë nga koret pjesëmarrëse vendase dhe të huaja ishte pozitivisht befasues”, ka thënë ajo. Ka shtuar se do të largohet me shijen e mrekullueshme të një eksperience ku, me plot gojë, mund të thotë se bënë më të mirën dhe u vlerësuan si të tillë.  
“Dhe, si profesioniste e kësaj fushe, mësova shumë gjëra të reja. Muzika dhe kultura na bashkojnë, pavarësisht largësisë dhe dallimeve që kemi, dhe padyshim që profesionalizmi na dallon”, ka thënë ajo. 

Lavdrim Morina i cili në Kor është bas, ka thënë se këto ditë kanë pasur mundësinë që të njohin një kulturë përtej asaj evropiane. 

“Për mua është hera e parë që jam në një vend aziatik. Kjo ishte eksperiencë e mrekullueshme e sidomos me dy çmimet që na janë ndarë”, ka thënë ai. Çmimet e “Siparantumit” në Tajlandë përtej rëndësisë profesionale e kanë edhe simbolikën e madhe. Një kor nga Kosova është prezantuar në shtetin e Azisë Juglindore ku shteti më i ri i Evropës zor se përmendet ndonjëherë. Tajlanda me popullsi mbi 71 milionë banorë është vend i rëndësishëm aziatik dhe shquhet për shprehje të ndryshme kulturore. Historia e këtij vendi njeh shumë të arritura në këtë fushë. E pas pjesëmarrjes së disa solistëve të Filharmonisë së Kosovës më 2023 në koncert të përbashkët me Orkestrën Simfonike Mbretërore të Bangkokut, ku janë interpretuar vepra shqiptare, “Siparantum” ka dërguar rrëfime të tjera. Ato që flasin për historinë e re të Kosovës. Aso që prej tash sa i përket interpretimit janë kurorëzuar me çmime në Tajlandë duke lënë në këtë shtet ngjyrat e historisë së Kosovës.