Kulturë

“Shota” humb ritmin me drejtorë, rokadë me inspektorin e trashëgimisë

“Shota” humb ritmin me drejtorë, rokadë me inspektorin e trashëgimisë

Mosmarrëveshjet midis drejtorit të përgjithshëm dhe Këshillit Drejtues dalin të jenë telashet që e kanë çuar “Shotën” te rokada në udhëheqje. Përderisa ish-drejtori i “Shotës”, Mehmed Xhemajli, thotë se këshilli Drejtues e ka penguar shumë, Këshilli thotë se ai s’ka arritur ta kuptojë mbështetjen e organit drejtues

Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota”, është i radhës që u bashkohet institucioneve të kulturës e të trashëgimisë kulturore, që janë pa drejtorë. Mehmed Xhemajli – një vit e gjysmë pa i skaduar mandati – është transferuar në pozitën e zëvendësuesit të zëvendësdrejtorit të Agjencisë Shtetërore e Arkivave të Kosovës. Akuzon Këshillin Drejtues, i cili për këtë rast ka tjetër version. E, pozitën e zëvendësuesit të drejtorit të “Shotës” e mban Xheladin Krasniqi, i cili paraprakisht ka qenë inspektor në Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore

Ministria e Kulturës ka kohë që nuk rehatohet me udhëheqësit e institucioneve. Ka institucione, që menaxhmenti aktual i MKRS-së i ka gjetur pa drejtorë, përderisa edhe pas katër vjetësh s’është bërë gjë në atë drejtim. Tash listës me ushtrues detyre i është shtuar edhe ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve, “Shota”.

Mehmed Xhemajli, që e ka mbajtur pozitën e drejtorit prej fillimit të vitit 2023, tash e dy muaj që nuk është drejtues i “Shotës”. Aktualisht aty pozitën e zëvendësuesit të drejtorit e mban Xheladin Krasniqi, i cili paraprakisht ka qenë inspektor në Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore.

Xhemajli është transferuar në pozitën e zëvendësuesit të zëvendësdrejtorit të Agjencisë Shtetërore e Arkivave të Kosovës.

Mosmarrëveshjet midis drejtorit të përgjithshëm dhe Këshillit Drejtues dalin të jenë telashet, që e kanë çuar “Shotën” te rokada në udhëheqje. Përderisa ish-drejtori i “Shotës”, Mehmed Xhemajli thotë se Këshilli Drejtues e ka penguar shumë, Këshilli thotë se ai s’ka arritur ta kuptojë mbështetjen e organit drejtues.

“Më ka penguar shumë Këshilli Drejtues. Më ka bërë presion. Më 2023, 2024, e as më 2025 nuk ma kanë aprovuar planin e punës. I kam thënë ministrit që nuk mund të vazhdoj me ata. Ose largojeni Këshillin, ose mua. Pastaj u transferova në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës. I kam thënë ministrit: ‘të lutem ta bëjmë një zgjidhje’”, ka thënë Xhemajli. Sipas tij, e ka dorëzuar pozitën në mënyrën më të mirë te zëvendësuesi i drejtorit, Agron Syla. Por, këto ditë Syla është zëvendësuar më Xheladin Krasniqin. Ish-drejtori Xhemajli ka thënë se sukseset kanë qenë të shumta me disa prezantime jashtë vendit e çmime të rëndësishme. Por, sipas tij, s’ka pasur se si të vazhdohet bashkëpunimi me anëtarët e Këshillit Drejtues. Por, sipas Këshillit Drejtues, situata është ndryshe.

Lëvizjet e fundit, Këshilli Drejtues i ka parë dhe i ka kuptuar si ndryshime të domosdoshme e pozitive për institucionin. Sipas kryetarit të këtij organi, Visar Munishi, këto lëvizje janë në funksion të funksionimit të mirë të Ansamblit, dhe si të tilla, edhe duhet të shihen nga të gjithë.

“Ish-drejtori e ka pasur bashkëpunimin më të sinqertë të mundshëm me Këshillin Drejtues. Vetëm se ai kurrë nuk e ka kuptuar që bashkëpunimi duhet të jetë institucional dhe vetëm në fryme të tillë duhet të funksionojë”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shtuar se nuk beson se ka ndonjë drejtor në institucionet kulturore të vendit, që ka pasur, ose e ka mbështetjen, ashtu siç e ka pasur Mehmed Xhemajli.

“Me siguri ai nuk ka arritur ta kuptojë si të tillë”, ka thënë ai. Sa i përket planit të punës për vitin e kaluar, ka thënë se ka qenë jo i mirë e i dorëzuar shumë vonë.

“Këshilli Drejtues për të mos e bllokuar punën e institucionit dhe të drejtorit,  rrjedhimisht, bashkërisht kemi vendosur që të veprojmë me plane mujore të veprimit. Këtë vit, ish-drejtori e ka dorëzuar më herët planin, por prapë ne kemi pasur vërejtjet tona, te cilat ia kemi përcjellë, e ai nuk i ka përfillur pyetjet e dilemat tona”, ka thënë Munishi. Sipas tij, duhet thënë theksueshëm se plani i dorëzuar nuk nënkupton plan të miratuar.

“Prandaj, ky ka qenë dhe vazhdon të jetë problemi të cilin ish-drejtori nuk e ka pasur parasysh. Pra, ne kurrë nuk ia kemi refuzuar planet e Xhemajlit, vetëm se ai ka refuzuar të përgjigjet në dilemat e pyetjet e Këshillit Drejtues. Prandaj, edhe nuk i janë miratuar si të tilla”, ka thënë Munishi, i cili udhëheq me Këshillin, që tash ka veç tre veta në përbërje. Anëtarë janë Dafina Bacaliu dhe Haki Mulliqi.

KOHA e ka pyetur ministrin në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku, se përse janë bërë këto transfere. Por, ai nuk është përgjigjur.

Zëvendësuesi aktual i drejtorit të “Shotës”, Xheladin Krasniqi ka konfirmuar se e ka marrë këtë detyrë. Paraprakisht ai ka qenë inspektor në Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore, kurse më herët zëvendësues i sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së.

Gjysmë viti “Shota” kishte ngelur pa drejtor në vitin 2022, kur i skadoi mandati i dytë ish-drejtorit Shefqet Gjocaj.

Konkursi ishte hapur më 3 qershor të vitit 2022. Qenë katër kandidatë. Por,  Naser Shatrolli dhe Ylber Asllanaj pas testit me shkrim nuk ishin kualifikuar për më tej.

Shefqet Gjocaj kishte kandiduar për mandat të tretë. Kurse kandidati i dytë qe Mehmed Xhemajli, i cili drejtonte shoqërinë kulturo-artistike “Kosova”. I pari, dramaturg me përvojë tetëvjeçare në drejtim të institucionit, kurse i dyti me një master për koreografi në Shqipëri e i angazhuar në stafin akademik të një kolegji privat. Dyshja kishte hyrë në test me shkrim dhe Shefqet Gjocaj printe me 83.88 poenë, kurse Xhemajli ishte i dyti me 70.58 poenë.

Ish-përbërja e Këshilli Drejtues kishte mbajtur edhe intervistat. Bazuar në vlerësimin e testit me shkrim dhe, po ashtu, edhe nga pikët e fituara në intervistë, rezultati final ishte 86.85 poenë për Shefqet Gjocajn dhe 65.39 poenë për Mehmed Xhemajlin. Siç edhe ndodh rëndom, Ministria e Kulturës kishte njoftuar publikisht se kandidati i suksesshëm ishte Shefqet Gjocaj.

Por, Mehmed Xhemajli kishte vërejtur një “vjegëz” nëpërmjet së cilës mund të ankohej. Gjatë vlerësimit të testit të tij ishte ndërhyrë disa herë, duke poentuar e duke fshirë shifrat, për të vendosur poenë të tjerë.

Ankesa e tij ishte shqyrtuar në Ministrinë e Kulturës dhe e njëjta ishte aprovuar. Në këtë situatë të re duhej që anëtarët e Këshillit Drejtues të mblidheshin prapë në mënyrë që të bëhej rivlerësimi. Por, shkarkimi i përbërjes së Këshillit, ku ishin Fahredin Spahija, Riza Bytyçi, Xhevdet Gashi, Visar Munishi dhe Taibe Selmani, kishte përmbysur krejt situatën. Ishte anuluar edhe konkursi. Më pas ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte emëruar anëtarë të Këshillit Drejtues, Feim Lekën, Arbnora Dushin, Sanije Matoshin e  Dafina Bacaliun. Ky organ drejtohej nga Visar Munishi.  Në konkursin e radhës kishte zgjedhur për drejtor të përgjithshëm Mehmed Xhemajlin. Gjocaj kishte bërë ankesë, duke pretenduar se ishin bërë një varg shkeljesh në këtë proces. Aktualisht pos “Shotës”, pa drejtor është Filharmonia e Kosovës dhe Galeria Kombëtare e Kosovës. Kurse sa i përket institucioneve të trashëgimisë kulturore, pa drejtorë janë Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.