Kulturë

“Selfie Mundi” vazhdon rrugëtimin si ekspozitë virtuale

Që nga data 16 qershor, punime të shumta kanë qëndruar të ekspozuara në Galerinë e Ministrisë “Qafa”.

Ekspozita “Selfie Mundi” e artistes së re Engji Jaha është mbyllur para afatit për të kaluar rrugëtimin si ekspozitë virtuale.

Për galerinë mbetet e rëndësishme përshtatja me situatën e krijuar dhe promovimi i artistëve që këtë vit artin e tyre do ta shpalosnin në hapësirën e këtij institucioni.

Artistja Engji Jaha, përmes artit të saj, shfaq dy anët e personalitetit të saj.

Përmes punës me autoportrete shtjellon rrëfime nga jeta e saj.

Hapja e kësaj ekspozite kishte bërë që muret e galerisë të mbuloheshin me art pas më shumë se tre muajve që nga mbyllja e parë e saj, për shkak të masave parandaluese kundër koronavirusit.

Së fundi, meqë numri i të prekurve është rritur ndjeshëm, Qeveria sërish ka rikthyer masën që institucionet e kulturës si muzetë dhe galeritë ta pezullojnë punën.