Galeria Kombëtare e Kosovës ka hapur thirrjen publike për programin e vitit të ardhshëm. Prej të mërkurës, për dy muaj, krejt ata që synojnë të kenë ekspozita apo projekte të tjera brenda fushëveprimtarisë së institucionit më të lartë të artit pamor, duhet të aplikojnë nëpërmjet postës elektronike ose duke dorëzuar aplikacionin fizikisht.
GKK-ja shkaku i procesit të restaurimit të ndërtesës është zhvendosur në atë që deri vonë ishte Galeria e Ministrisë së Kulturës e njohur edhe si “Qafa”. Për këtë arsye institucioni thirrjen publike e ka hapur duke emëruar veten si Galeria Kombëtare e Kosovës – “Qafa”.
“Përmes kësaj thirrje mirëpresim propozime për ekspozita ndërdisiplinare (duke përfshirë mediumin e pikturës, skulpturës, grafikës, instalacionit, fotografisë, videos, performancës, etj.) si dhe për projekte edukativo-arsimore, hulumtuese, botuese, multimediale. Ekspozitat dhe projektet mund të implementohen brenda ose jashtë objektit të GKK – QAFA, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me stafin e galerisë”, shkruhet në thirrjen që do të qëndrojë e hapur deri në ditën e 23-të të dhjetorit. Nëpërmjet kësaj thirrjeje, inkurajohen projektpropozimet nga artistë dhe kuratorë, organizata dhe komunitete kulturore, hulumtues dhe praktikues të tjerë të arteve pamore që të dorëzojnë propozimet e tyre.
Sipas thirrjes, aplikuesit duhet të plotësojnë formularin për aplikim, të përshkruajnë projektin e tyre deri me një mijë fjalë, të bëjnë gati reproduksionin vizual të veprave, një biografi të shkurtër, portfolio dhe CV e po ashtu edhe një dokument identifikues të Republikës së Kosovës.
Juria që do t’i vlerësojë projektet janë anëtarët e Këshillit Drejtues të GKK-së: Renea Behluli, Agron Blakçori, Bariu Zenelaj, Guri Çavdërbasha, Somer Şpat, Linda Gusia.
Prej fillimit të këtij viti, ajo që qe Galeria e Ministrisë së Kulturës e njohur edhe si galeria “Qafa”, është mbyllur pas më shumë se dy dekadash funksionimi. Hapësira që asnjëherë s’kishte status institucioni, por funksiononte në kuadër të Departamentit të Kulturës në MKRS ka qenë ambient ku kryesisht kanë ekspozuar artistët e rinj, pa përjashtuar as rastet kur aty janë paraqitur edhe vepra të artistëve me nam, vendorë e ndërkombëtarë. Galeria e Ministrisë së Kulturës do të jetë ambient i Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe ka marrë emrin “Galeria e Vogël”. Me vendim të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, ishte shpërbërë funksioni i Galerisë së Ministrisë së Kulturës.
“Materialet arkivore të Galerisë së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe të gjitha pasuritë e tjera institucionale duhet të akomodohen në kuadër të Galerisë Kombëtare të Kosovës...”, shkruhej në vendim. Për të marrë këtë vendim, ministri Çeku ishte thirrur në Ligjin për artin dhe kulturën, i cili ka hyrë në fuqi në janarin e vitit 2024. Sipas këtij ligji, institucionet publike qendrore të artit dhe kulturës janë Teatri Kombëtar i Kosovës, Opera, Baleti dhe Ansambli Kombëtar, Filharmonia e Kosovës, Galeria Kombëtare e Kosovës, Muzeu i Artit Bashkëkohor, Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës.
Aktualisht në ambientet e GKK – QAFA qëndron e hapur ekspozita “Nga arkivi: Të fala shoqërore”. Janë komunikime personale e deri te dokumentacioni zyrtar, materialet arkivore dëshmojnë rolin e institucionit të sapokrijuar kulturor më 1979 e deri te zhvillimi dhe vizioni për të.