Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Mungesa e nominimeve zgjat afatin për kandidaturat e Këshillit Kombëtar të Arteve

MKRS

“Njoftohen institucionet e artit dhe kulturës, institucionet akademike, arsimore e shkencore, organizatat joqeveritare të fushës së artit dhe kulturës, organizmat e tjerë relevantë të artit dhe kulturës dhe të fushave të ndërlidhura me kulturën se Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka shtyrë afatin për dorëzimin e nominimeve për anëtarë në Këshillin Kombëtar të Arteve. Afati i fundit për dorëzimin e nominimeve është data 24.05.2026”, shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit

Foto: Driton Paçarada

Institucioni më i lartë në vend s’ia ka dalë të marrë nominimet e duhura për të emëruar trupën, e cila pritet të ketë rol mjaft të madh në raport me institucionet qendrore të kulturës. Megjithëse ky proces ka nisur me vonesë, duket se edhe interesimi institucional dhe i akterëve të tjerë të kulturës për të bërë nominime s’ka qenë i duhuri. Afati i rregullt për nominime ka qenë deri më 13 maj. Është shtyrë deri më 24 maj. KOHA ka marrë vesh se në disa fusha kanë munguar nominimet

Ministria e Kulturës e ka zgjatur afatin e nominimeve për anëtarë të Këshillit Kombëtar të Arteve. Institucioni më i lartë në vend s’ia ka dalë të marrë nominimet e duhura për të emëruar trupën, e cila pritet të ketë rol mjaft të madh në raport me institucionet qendrore të kulturës. Megjithëse ky proces ka nisur me vonesë, duket se edhe interesimi institucional dhe i akterëve të tjerë të kulturës për të bërë nominime s’ka qenë i duhuri.

“Njoftohen institucionet e artit dhe kulturës, institucionet akademike, arsimore e shkencore, organizatat joqeveritare të fushës së artit dhe kulturës, organizmat e tjerë relevantë të artit dhe kulturës dhe të fushave të ndërlidhura me kulturën se Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka shtyrë afatin për dorëzimin e nominimeve për anëtarë në Këshillin Kombëtar të Arteve. Afati i fundit për dorëzimin e nominimeve është data 24.05.2026”, shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Afati i rregullt për nominime ka qenë deri më 13 maj. KOHA ka marrë vesh se në disa fusha kanë munguar nominimet.

“Në disa fusha ka nominime në numër të konsiderueshëm, por në disa të tjera jo, dhe kjo është arsyeja e zgjatjes së afatit”, kanë treguar në Ministrinë e Kulturës.

KOHA ka raportuar se shumica e institucioneve qendrore të kulturës udhëhiqen nga ushtruesit e detyrës së drejtorit. Primatin e mban Galeria Kombëtare e Kosovës, që në gusht mbush gjashtë vjet me ushtrues detyre. Shpesh, arsyetim për këtë gjendje ka qenë reforma shtetërore në art e kulturë. Megjithëse Ligji për Artin dhe Kulturën – nëpërmjet të cilit është shfuqizuar legjislacioni paraprak me të cilin qeveriseshin dhe funksiononin institucionet kulturore – ka hyrë në fuqi qysh në janar të vitit 2024, Ministria e Kulturës ende s’ia ka dalë ta implementojë atë.

Aktet nënligjore, bazuar në këtë ligj, duhej të nxirreshin një vit pas miratimit, por Ministria s’ia ka dalë ta bëjë këtë. Në janar të këtij viti është publikuar në Gazetën Zyrtare Rregullorja për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit Kombëtar të Arteve, e miratuar në Qeveri në ditën e fundit të vitit 2025.
Ky Këshill do t’i “rrëzojë” të gjithë ata që janë këshilla drejtues të institucioneve të artit dhe kulturës. Këshilli Kombëtar i Arteve do të ketë përgjegjësi të konsiderueshme në raport me institucionet qendrore të kulturës.

Sipas ftesës publike dhe vetë Rregullores që përcakton përbërjen dhe detyrat e Këshillit, ky grupim është organ këshillëdhënës, përzgjedhës dhe mbikëqyrës, i cili emërohet dhe shkarkohet nga Qeveria e Kosovës, me propozimin e ministres së Kulturës dhe Turizmit. Pas emërimit, Këshilli ka raport pune me Ministrinë e Kulturës dhe mbikëqyret nga ministrja së cilës i raporton si nivel i parë për punën sipas përgjegjësive dhe detyrave të tij.

“Qeverisë së Republikës së Kosovës, Këshilli i raporton një herë në vit në formë të shkruar, apo sipas kërkesës edhe në formë të takimit fizik. Mandati i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Arteve është pesë (5) vjet nga dita e emërimit. Këshilli përbëhet nga njëmbëdhjetë (11) anëtarë”, shkruhet në ftesën publike për nominime.

Nominimet për anëtarë të Këshillit bëhen nga institucionet e artit dhe kulturës; institucionet akademike, arsimore e shkencore; organizatat joqeveritare të fushës së artit dhe kulturës; si dhe organizmat e tjerë relevantë të artit dhe kulturës dhe të fushave të ndërlidhura me kulturën.

Sipas ftesës për nominime të publikuar më 22 prill, e po ashtu sipas Rregullores, Këshilli do të përbëhet nga një përfaqësues nga fusha e arteve pamore, një nga fusha e muzikës klasike dhe operës, një nga teatri, për të vazhduar me përfaqësues të filmit, letërsisë e librit, këngëve dhe valleve folklorike, baletit e vallëzimit modern, institucioneve akademike e kërkimore në fushën e artit dhe kulturës, sektorit të pavarur kulturor, dizajnit e arkitekturës, si dhe një përfaqësues i administratës nga Ministria e Kulturës.

Në thirrjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit bëhet e ditur se Këshilli analizon, rekomandon dhe jep sugjerime për krijimin e politikës kulturore, propozon zhvillimin dhe përmirësimin e veprimtarive kulturore, shqyrton dhe jep rekomandime për strategjinë e zhvillimit kulturor, jep sugjerime dhe propozime për rregullimin e çështjeve të tjera të fushës së kulturës, si dhe për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.

“Udhëheq procedurën për rekrutimin e drejtorëve të institucioneve publike të artit dhe kulturës në nivel qendror; i propozon ministrit emrat e kandidatëve të kualifikuar për drejtorë të institucioneve publike qendrore të artit dhe kulturës; monitoron punën e institucioneve publike qendrore të artit dhe kulturës dhe harton raporte tremujore dhe vjetore; bazuar në vlerësimin e performancës së drejtorëve mund të iniciojë procedurën për shkarkimin e tyre; përcjell punën e institucioneve publike lokale të artit dhe kulturës dhe, bazuar në performancën e tyre, programet vjetore, projektet specifike, si dhe lartësinë e financimit nga komunat përkatëse, rekomandon nivelet e financimit për institucionet lokale të artit dhe kulturës nga buxheti i Ministrisë së Kulturës”, shkruhet në thirrje.

Po sipas thirrjes dhe Rregullores, përcaktohet se Këshilli harton plane veprimi bazuar në politikat kulturore të Qeverisë, i propozon ministres emrat për juritë profesionale për ndarjen e çmimeve në fushat përkatëse të artit dhe kulturës, harton plane dhe analiza mbi bazën e të cilave përgatit rekomandime për ministren në lidhje me politikat kulturore, financimin e institucioneve ose fushave specifike të artit dhe kulturës, si dhe ndarjen e çmimeve në fusha të ndryshme të kulturës.
Sipas thirrjes, anëtari i nominuar për Këshillin Kombëtar të Arteve duhet të posedojë ekspertizë dhe përvojë të dëshmuar në fushën e artit dhe kulturës, të ketë pasur përfshirje aktive në zhvillimin e politikave kulturore ose në realizimin e projekteve dhe programeve artistike e kulturore, si dhe të ketë dhënë kontribut në avancimin e artit dhe kulturës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

“Të gëzojë reputacion dhe integritet në komunitetin e artit dhe kulturës, të ketë të përfunduara studimet e larta në njërën nga fushat e artit dhe kulturës ose në fushat e ndërlidhura me kulturën. Fushat e ndërlidhura me artin dhe kulturën përfshijnë, por nuk kufizohen në histori arti, sociologji të artit, studime ndërdisiplinare kulturore, menaxhim të kulturës, politika publike kulturore, filozofi, arkitekturë etj.; të ketë përvojë pune në sektorin e kulturës prej të paktën pesë (5) vjetësh. Një institucion ka të drejtë të nominojë deri në 3 persona, të ndarë në 3 profile të ndryshme”, shkruhet në thirrje.

Dramaturgu dhe drejtuesi i qendrës “Multimedia”, Jeton Neziraj, kishte thënë se e kupton që pothuajse të gjitha proceset kulturore në vend, siç është, për shembull, zgjedhja e drejtorëve të institucioneve dhe hapja e thirrjeve për mbështetje financiare, kanë stagnuar në pritje të funksionalizimit të Këshillit Kombëtar të Arteve.

“Dhe kjo është jashtëzakonisht problematike për disa arsye: Këshillit do t’i duhet kohë, së paku gjashtë muaj, që të mësohet të navigojë brenda kompetencave dhe autorizimeve dhe që të nisë të bëjë punë”, kishte thënë ai.

Sipas Nezirajt, po aq problematike do të jetë edhe natyra, formati dhe rezultatet e këtij Këshilli, që, siç dihet, nis së operuari për herë të parë në vendin tonë.

“Kam përshtypjen që këtij këshilli në ardhje po i vihet një peshë e madhe përgjegjësie, pritjet janë të mëdha, sikur të kishim të bënim me një magjistar, por realiteti di të na befasojë. Prandaj e shoh problematike që shumë procese kanë mbetur peng në pritje të themelimit të këtij Këshilli. Përndryshe, vonesat janë bërë emri i dytë i Ministrisë së Kulturës”, kishte thënë ai.

Sipas Rregullores për punën e Këshillit, kompensimi i anëtarëve bëhet çdo dy muaj kalendarikë dhe është i barasvlershëm me vlerën e koeficientit të pagës së zyrtarit kryesor administrativ, të përcaktuar me legjislacionin në fuqi.

Prej punëve të para që e pret Këshillin është propozimi te ministrja e Kulturës i emrave për juritë profesionale për ndarjen e çmimeve në fushat përkatëse të artit dhe kulturës. E më pas, procesi i konkurseve për zgjedhjen e kandidatëve për drejtor të Galerisë Kombëtare të Kosovës, Filharmonisë së Kosovës, Baletit Kombëtar të Kosovës, Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës.