Kulturë

Skena e pavarur kulturore një vit vonë me Këshill, rregullorja në draft

Këshillit të Skenës së Pavarur Kulturore

“Propozon prioritetet, kriteret dhe modalitetet e skemave mbështetëse për skenën e pavarur kulturore; Miraton shumat e mbështetjes financiare për organizatat dhe individët e skenës së pavarur kulturore, bazuar në thirrjet publike të hapura gjatë vitit...”, janë disa prej detyrave të Këshillit të Skenës së Pavarur Kulturore

Ministria e Kulturës është vonë me krejt rregulloret e parapara me Ligjin për art dhe kulturë të miratuar në janarin e vitit 2024, me të cilin parashihet edhe rregullorja e Këshillit të Skenës së Pavarur Kulturore që del prej akteve nënligjore, që nxirren në afat prej një viti prejse Ligji – i cili prek goxha strukturën organizative edhe të institucioneve – hyn në fuqi. Tek tash Draftrregullorja është në diskutim publik. Ligji për artin dhe kulturën obligon shtetin për një sërë reformash

Ministrisë së Kulturës i janë dashur dy vjet për të hartuar dhe për të nxjerrë në diskutim publik Draftrregulloren për funksionimin e Këshillit të Skenës së Pavarur Kulturore. Ky derivat i Ligjit për artin dhe kulturën është dashur të jetë i miratuar qysh para një viti. Ligji është në fuqi prej janarit të vitit 2024. E, vetë Ligji përcakton se aktet nënligjore të parapara me këtë ligj “nxirren në afat prej një (1) viti nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji”. 

Ministria e Kulturës është vonë me krejt rregulloret e parapara me këtë ligj, pa të cilat nuk mund të shtrihet efekti juridik i ndryshimit më të madh strukturor e organizativ që MKRS-ja – tash Ministri e Kulturës e Turizmit dhe Ministri e Sportit e Rinisë – ka ndërmarrë viteve të fundit. 

Rregullorja e re, e para e këtij lloji në vend, u hap rrugë mënyrës së organizimit dhe funksionimit, përbërjes, kompetencave, mandatit, emërimit dhe shkarkimit të anëtarëve të Këshillit të Skenës së Pavarur Kulturore. Ky forum, sipas Draftrregullores, e cila është në konsultime publike, përcakton se Këshilli do të jetë organ këshillëdhënës i emëruar nga ministri përkatës për kulturë. Këshilli do të ketë pesë anëtarë. Prej tyre, dy përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, një  anëtar i jashtëm nga fusha e artit dhe kulturës, i emëruar nga ministri dhe dy përfaqësues të skenës së pavarur kulturore, të përzgjedhur përmes thirrjes publike.

“Anëtarët e Këshillit emërohen me vendim përfundimtar në procedurë administrative nga ministri”, shkruhet në Draftrregullore. Dy  përfaqësuesit e skenës së pavarur kulturore përzgjedhin përmes thirrjes publike ku pranohen nominimet për anëtarë, thirrje e cila shpallet nga Ministria e Kulturës në përputhje me këtë rregullore.

“Të drejtë nominimi kanë individët dhe përfaqësuesit e organizatave të skenës së pavarur kulturore, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në thirrjen publike dhe në aktet përkatëse nënligjore”, shkruhet në Draftrregullore. Përvoja profesionale së paku 5-vjeçare në fushën e artit, kulturës ose menaxhimit kulturor është kriteri bazë për nominim. Midis kritereve të tjera është edhe të mos ndodhet në gjendje të vazhdueshme të konfliktit të interesit. Anëtarët e Këshillit të Skenës së Pavarur Kulturore emërohen me mandat pesëvjeçar dhe në rast të dorëheqjes apo shkarkimit të ndonjërit nga anëtarët e Këshillit, ministri ka të drejtë të përzgjedhë personin zëvendësues nga lista e thirrjes së fundit ose të hapë thirrje të re. Ministri i Kulturës po ashtu gëzon të drejtën e shkarkimit të anëtarëve të Këshillit. Ky forum, sipas Draftrregullores do të hartojë dhe propozon politika dhe strategji afatgjate për zhvillimin e skenës së pavarur kulturore përmes mbështetjes publike financiare apo mjeteve të tjera ligjore; Propozon ndërhyrje ose masa në ndryshimin dhe plotësimin e kornizës së politikave publike që prekin skenën e pavarur kulturore, si dhe të legjislacionit përkatës; Rekomandon orientimin dhe planifikimin programor dhe financiar të mbështetjes publike për skenën e pavarur kulturore.

“Propozon prioritetet, kriteret dhe modalitetet e skemave mbështetëse për skenën e pavarur kulturore; Miraton shumat e mbështetjes financiare për organizatat dhe individët e skenës së pavarur kulturore, bazuar në thirrjet publike të hapura gjatë vitit; Monitoron rezultatet e mbështetjes publike financiare dhe, mbi bazën e tyre, nxjerr rekomandime për përmirësimin e politikave dhe skemave mbështetëse në të ardhmen”, janë disa prej detyrave të tjera. Do të udhëheqë me procesin e përzgjedhjes së vlerësuesve dhe autorizimit të tyre për kryerjen e detyrave të përcaktuara me aktet ligjore në fuqi që rregullojnë fushën e mbështetjes publike financiare për skenën e pavarur kulturore.

Këshilli ka për detyrë që të mbajë mbledhje të rregullta së paku një herë në muaj. 

“Këshilli i Skenës së Pavarur Kulturore harton raporte vjetore mbi veprimtarinë e tij, përdorimin e fondeve publike dhe rezultatet e mbështetjes financiare, analizën e veprimtarisë së skenës së pavarur, analizën e performancës së projekteve të mbështetura, rekomandimet për prioritetet, skemat mbështetëse dhe orientimet financiare për vitin vijues, dhe konkluzione me rekomandime për plotësime/ndryshime të politikave publike që prekin skenën e pavarur kulturore”, shkruhet në Draftrregullore. Po sipas këtij dokumenti, raporti miratohet nga Këshilli dhe i dërgohet ministrit për shqyrtim dhe përfshirje në strategjinë e përgjithshme të zhvillimit kulturor. MKRS-ja do të jetë e detyruar që ta përkrahë Këshillin me sekretariat. 

“Kompensimi i anëtarëve të Këshillit bëhet çdo dy muaj kalendarik në vlerën e një page. Kompensimi është i barasvlershëm me vlerën e koeficientit të pagës së zyrtarit kryesor administrativ, të përcaktuar me legjislacionin në fuqi”, shkruhet në Draftrregullore. 

Dramaturgu e udhëheqësi i qendrës “Multimedia”, Jeton Neziraj, ka thënë se ka përshtypjen që përbërja e Këshillit nuk është menduar mirë. 

“Them se, një përfaqësues i MKRS-së në Këshill do të mjaftonte, për t'ia lëshuar ndoshta vendin një përfaqësuesi të jashtëm, por që jodomosdo vjen nga skena e pavarur kulturore. Pra, do të mund të ishte dikush që ka eksperiencë në ndërmarrësi, ose në shoqëri civile e profile të ngjashme”, ka thënë ai. 

Ligji për artin dhe kulturën obligon shtetin për një sërë reformash. Ky Ligj, që edhe kishte polarizuar komunitetin kulturor, përcakton që  dy vjet prej miratimit, Baleti Kombëtar i Kosovës, ansambli kombëtar i këngëve dhe i valleve “Shota” dhe Opera e Kosovës do të ishin një institucion nën emrin Opera, Baleti dhe Ansambli Kombëtar. Kjo nuk është bërë ende. Por për dallim nga institucionet e tjera kombëtare të kulturës, njësitë e Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor do të kenë edhe udhëheqës artistikë. Kurse tek institucionet e tjera kjo pozitë do të shuhet me përfundimin e mandateve të udhëheqësve artistikë që ishin kur u miratua Ligji. Bashkë me këtë pozitë nuk do të ketë më edhe këshilla drejtuese në institucione. Do të zëvendësohen me këshilla artistike që kanë rol këshillëdhënës e jo vendimmarrës. Kurse deri diku rolin e këshillave aktuale drejtuese do ta ketë Këshilli Kombëtar i Arteve, që nuk është themeluar ende. Në krahasim me funksionimin aktual, zgjedhja e drejtorëve do të jetë më e centralizuar nga ministri i Kulturës edhe me rregullimin ligjor, pasi indirekt ashtu ka qenë në shumicën e rasteve edhe me legjislacionin paraprak. Ligji i miratuar para dy vjetësh ka zëvendësuar katër ligje paraprake.