Muret e vjetra të ish-objektit të Klubit të Boksit, janë kufijtë ndarës midis tri veprave. Në çdo hyrje, në njërën nga kthinat e objektit historik, publiku thellohet në dimensione të kundërta me njëra-tjetrën. Qysh në ndalesën e parë, në anën e djathtë të korridorit, një zë i lehtë femëror teksa shqipton shkronjat e alfabetit shqip bashkë me delikatesën e ritmit pianistik ia merr vëmendjen publikut. Me minimalizëm pamor, me skica bardhë e zi në vizatimet sensuale të trupave njerëzorë dhe të transformimeve të ndryshme që sollën shumëkuptimësi, Enxhi Mehmeti është e kualifikuara në garën për çmimin “Artistët e së nesërmes 2021”, të cilën e ndan qendra për art bashkëkohor “Stacion”.
Pak metra më tutje, zëri i Uresa Ahmetit kumbon bashkë me pamjen e saj prej vajze të re që revoltohet. Përmes një videoprojeksioni, me një grim të veçantë në fytyrë, diell të zi në hapësirën e gojës e rroba në po këtë ngjyrë, ajo jetëson poezinë “Penetrating Air”. Çdo shkallë që kalon në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve – objekt i përzgjedhur paqëllimshëm, por që edhe ndërlidhet me mesazhin e ndryshimit të mendësisë së rinisë – ajo lufton patriarkatin, pabarazinë sociale dhe tenton të çrrënjosë gjendjen aktuale të trajtimit të grave.
Për dallim nga dy konkurrentët paraprakë, në ekspozitën e hapur të mërkurën mbrëma, e kuruar nga Lek Gjeloshi, e cila në dhjetor do të sjellë përfundimisht edhe fituesin e çmimit për të cilën organizohet, Endrit Jashanica ka vendosur të sjellë dimensione digjitale. Radha ishte e gjatë pranë një muri të bardhë. Sytë e të gjithëve ishin te syzet që dërgonin në një “virtual reality”. E këtë mund ta bënin vetëm në një vetmi të plotë, duke u thelluar në një zonë “monadologjike”.
Koordinatorja e programit në “Stacion”, Laureta Hajrullahu, ka folur për KOHËN për parapërgatitjet e çmimit që ndahet në dhjetë shtete të regjionit.
“Ka pasur shumë aplikime dhe kanë qenë shumë interesante. Në këso rastesh ndihemi keq që duhet të përzgjidhen vetëm tre”, ka thënë ajo.
Kuratori Lek Gjeloshi ka theksuar se të tre eksplorojnë mediume krejt të ndryshme.
“Endrit Jashanica punon me videon digjitale me pajisje ‘Virtual Reality’, Uresa Ahmeti bën një performancë, por në pamundësi të ardhjes pa vizë është shfaqur vetëm dokumentimi i performancës dhe Enxhi Mehmeti që eksploron mediumin e hershëm të vizatimit e alternon me objekte instalative të vogla dhe me tinguj të alfabetit shqip”, ka theksuar Gjeloshi.
Për Enxhi Mehmetin, studenten e artit në Hochschule für Gestaltung Offenbach, kjo është ekspozita e parë në Kosovë.
“E shoh si mundësi të njoftoj artistë të tjerë dhe skenën e artit në Prishtinë”, ka thënë ajo për KOHËN. Për veten, artistja e cila nuk mundi të jetë prezent në ekspozitë, ka thënë se e sheh si “mjet që i realizon krijimet, të cilat i mban në ëndrra dhe shpresa”.
“Vizatoj për të jetuar me ta, sepse më mësojnë si të jetoj e përmbushur me lojë dhe lehtësi. Gëzohem që edhe ju e ndjeni atë ngrohtësi që unë e ndjej teksa vizatoj”, u shpreh për KOHËN, duke aluduar te publiku. Deri tani veprat e saj janë ekspozuar në Vjenë, Frankfurt e shumë vende evropiane.
Në një qoshe të dhomës ku ekspozohen veprat e saj, janë disa lugë të renditura, teksa njëra ndër to është më poshtë dhe mban një copë llokum.
“Në Gjermani ndodh që vendosen gjëra të papërdorura në rrugë, në mënyrë që të tjerët mund të marrin me vete çfarë të duan. Aty i gjeta lugët dhe i deformova për qejf në studion time”, rrëfen ajo. “Ka qenë vendim i shpejtë t’i vendosi si piramidë hierarkike. Luga e thyer që është e vendosur në fund mban një llokum për ata që janë kaq të nënshtruar sa që përjashtohen plotësisht prej komunitetit”.
Sipas saj, kjo ishte një mënyrë e shprehjes së privilegjeve që marrin të pasurit nga të tjerët.
Për vajzën e rritur në Kassel të Gjermanisë, alfabeti shqip të cilën e ka të dëgjuar të recitohej nga një familjare, është këngë më vete.
Mungesa e vizës për lëvizje të lirë, ia pamundësoi studentes së sociologjisë dhe studimeve feministe, gjinore dhe seksuale në SHBA, Uresa Ahmetit, ardhjen në ekspozitë ku u shfaq video-performanca e saj.
“Kjo performancë në thelb shpërfaq botën e brendshme, por edhe se si shikohet prej jashtë subjekti i kohës moderne nën sistemet shtypëse”, u shpreh për KOHËN artistja veprat e së cilës u shfaqën për herë të parë në një ekspozitë në Kosovë.
Video-performanca, e cila në një skaj të hapësirës ekspozuese shfaqet në mënyrë vizuele ku duken veprimet e Ahmetit, e që në anën tjetër në një hapësirë të bardhë mund të lexohej poezia e shkruar, që sipas autores është një thirrje për mendim kritik kundër padrejtësive e dhunës.
“Në këtë vepër, unë reflektoj mbi temat e natyrales, jonatyrales, njerëzores, jonjerëzores, mbinjerëzore ose nën-njerëzores në lidhje me identitetet e gjinisë, shprehjes gjinore dhe seksualitetit”, ka rrëfyer aktivistja feministe.
Kjo performancë buron nga e vërteta e saj personale, teksa e cilëson si fatkeqësi pamundësinë e lëvizjes së lirë të të rinjve të Kosovës.
“E vetmja mënyrë që kam mund të udhëtoj lehtësisht ka qenë për shkak të vizës studentore. Mirëpo, statusi i Kosovës si shtet i lirë dhe i pavarur që nuk njihet si i tillë në diskurs politik botëror, ka rezultuar që të kem probleme të vazhdueshme”, ka thënë ajo, teksa ka treguar se ka marrë së fundmi një dokument, i cili nëse largohet nga vendi ku studion, nuk mund të rikthehet.
“Në plan të parë aspekti demoniak i sjelljes së saj nuk është një raport që kërkon rikuperim gjithë atë nostalgjinë që ka përfaqësuar kjo godinë për jetën kulturore të qytetit, ajo thjesht është iniciuar nga një shoqe e vetja”, shprehet kuratori duke aluduar te Pallati i Rinisë. “Ajo çliron poezinë e shpërbërë në formë, që s’kërkon të përshkruajë, por që e lëshon në mënyrë fragmentare”, përfundon ai.
KOHA ka provuar të marrë intervistë edhe artistin Endrit Jashanica, mirëpo ai nuk ka dashur të prononcohet.
Shpallja e fituesit të çmimit “Artistët e së nesërmes 2021” do të bëhet më 11 dhjetor.