Nga jashtë, kaherë i ngjan një hapësire të lënë në harresë e të papërdorshme, mirëpo me ta hapur derën, dhe ecja nëpër korridoret e ngushta, në çdo stacionim shpalosen perspektiva të ndryshme. Edhe këtë vit objekti që njihet si “Klubi i Boksit”, u shndërrua në hapësirën ku ekspozohen veprat e tre finalistëve të çmimit prestigjioz, “Artisët e së nesërmes”, e që laureati do ta ketë shansin e një rezidence artistike dymujore në “Residency Unlimited” në New York. Pas kthimit nga SHBA-ja, artistët fitues bëhen pjesë e programit vjetor të qendrës për art bashkëkohor “Stacion” me ekspozitën personale që rikthehet po në ish-objektin e Klubit të Boksit.
Nga dera e cila është e vendosur në anën e djathtë të korridorit – e prej zhurmës shenjon vjetërsinë e saj – ndeshen 18 piktura. Secila me dimensione, kolorite e forma të ndryshme ngacmon vëmendjen sidomos me portretimin e grave në to. Diku në formën e siluetave, të portretit e të ekspozimit trupor, ato shfaqen secila si karaktere të ndryshme. Me shprehje abstrakte e prezencë të kafshëve, gratë shfaqen si të dashura, të çrregullta, luftarake, por edhe shpesh të papërcaktuara.
Autorja Mimoza Sahiti kursehet të thotë se ka qasje feministe, preferon ta drejtojë si përjetim personal. Mirëpo, jo veç si hallkë vetanake emocionale, por edhe si shtresim ndjesish nga përjetimet e të tjerëve: sidomos grave të familjes në kohët e mëparshme.
“Kudo kyçe për shpëtimin e saj”, “Every cunt face a fool”, “Qumësht dhe mjaltë”, “Zgjidhja jote nuk është zgjidhja ime”, janë disa prej veprave të cilat Sahiti i krijon dhe i sjell në Kosovë.
“Unë e ndiej veten si kosovare ende”, thotë ajo. S’e sheh veten të shkëputur nga prejardhja, pavarësisht që është lindur dhe rritur në Gjermani dhe po vazhdon studimet për pikturë në Vjenë. Madje Kosova për të është frymëzim për krijim. “Sa herë po vij në Komogllavë, në katundin ku jam rritur ose edhe në Kosovë përgjithësisht, po më vijnë shumë ndjenja që më shtyjnë të pikturoj”.
Në anën tjetër, pikënisje të krijimit të veprave pati njërën nga hapësirat e Pallatit të Rinisë, nga nëntori i vitit të kaluar.
“Janë rrëfime që unë i tregoj, qysh i shoh senet. Unë s’mund të dal nga trupi i një vajze, janë një karakter që e kam në vete. Janë të lidhura me imagjinata e ëndrra, çka më ka bërë përshtypje është se në takim me një kurator, kur pikturoj s’e mendoj veç e pikturoj dhe e qes qysh dua”, thotë ajo për mënyrën se si krijon.
Pak metra ecja tutje dhe kthim në anën e majtë të sallës tjetër të “Klubit të Boksit” në sy të bie një ulëse e thjeshtë të drurit. Përballja e parë me të krijon përshtypjen nëse është vepër arti apo një mjet për pushim të çastit. Mirëpo, ajo është shumë më shumë se kaq. E mbështjellë me një material ngjyrë gri, kuptimi i ngjan pamjes. Quhet “Pallati i akullit” dhe për Agrina Vllasaliun simbolizon migrimin jashtë Kosovës, e cila ka shumë variante emocionale.
“Banka përmban nxemjen, nëse lëkura merr kontakt me të, nxehet. Motivimi për të ka qenë që jam rritur në Gjermani. Në Kosovë e kemi një shtëpi, por ajo ka mbetur e zbrazët, është shumë e ftohtë, ngrohet vetëm kur vijmë për pushime. Është një lloj nostalgjie”, tregon finalistja tjetër. Edhe ajo e ka rrëfimin e artisteje që është rritur jashtë vendit, duke qenë se prindërit iu larguan për në Gjermani në kohë lufte.
Ndikimi i rritjes në mërgatë dhe nostalgjia për Kosovën kanë rol të rëndësishëm për krijimet artistike. Te studentja e Universitetit të Arteve në Berlin, kjo dallohet edhe në veprën “Rozafa nuk ka qenë kurrë këtu”, e cila është një intrigim tjetër me mënyrën e ekspozimit dhe sidomos me zërin prej së cilës dëgjohet.
“Kjo vepër e kombinon mitologjinë shqiptare dhe moderne. Qeremidhet formën e kanë marrë nga mintoni – veshja tradicionale e shqiptarëve. Për fundi këtyre ka një lloj motori që troket, është një lloj rezistence”, thotë ajo.
Në anën tjetër, vetë emri është tejet tërheqës. Meqenëse rrëfimin e sakrificës së Rozafës për familjen e saj e ka dëgjuar që nga fëmijëria, secilën herë e ka përjetuar me rrëqethje. Pikërisht kjo e ka shtyrë që të sjellë një vepër kritikuese për historinë.
“Titulli është kritik, se pse Rozafa është sakrifikuar për këtë shtëpi. Për mua është shumë me rëndësi me pasë një pozitë feministe, sepse mitologjitë e hapin një histori tjetër për modernen”, thotë ajo.
Pak metra më tutje e ka veprën “Thaumatrope” e cila kulmin e shtëpisë e ndërlidh me ironinë e braktisjes së vendit.
“Pse aq errësirë? Sepse edhe në këtë pikturë e ka domethënien e zbrazëtisë së kulmit të shtëpisë, e ftoftë, edhe këtu është një lloj nostalgjie. Më është dukur shumë ironike pse kulmi është i zbrazët, se normal është i mbushur me gjëra që s’të vyejnë, por kur është i zbrazët, është ironike se pse s’jeton dikush dhe pse e ka këtë kulm”, përfundoi ajo.
Juria e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2022 sivjet është e përbërë nga Anne Barlow, Milana Dungjerin, Laura Raicovich, Bernhard Rüdiger dhe Driton Selmani.
E në hapësirën tjetër të sallës, nga juria është vendosur që mitologjia të shtrihet në një version tjetër. Ajo vjen përmes abstraktes e lojës me publikun. Tri shkallë të vogla druri janë pikëtakim me skulpturën e një lepuri, i cili besohet të ketë rrënjë nga mitologjia gjermane.
Valdrin Thaqi kështu provokon publikun për kontakt me veprën.
“Skulptura është lepur me brirë. Unë e kam marrë veç këtë pjesë pa krahë. E shoh njëlloj nënvetëdije kolektive që me dashtë me ndërru një formë natyrale, që tash është e mundur nëpërmjet modifikimit gjenetik. E kemi mundësinë në një botë post-natyrale, ne mund të jemi kuratorë të asaj që mund të ndërrohet përmes shkencës e teknologjisë”, shpjegon ai. Rithekson me ngulm se s’dëshiron të jetë krijues për gjëra konkrete.
Mirëpo pjesë e projektit “Empatik, sintetik” të të diplomuarit të Fakultetit të Arteve në UP – që kryesisht frymëzohet nga filozofia ekzistencialiste – është edhe tavolina me kuti drite, në të cilat ka pozicionuar forma abstrakte që vënë pikëpyetje për prezencën e tyre. Skulpturat e lateksit të ndryshme në madhësi, fije flokësh, një përafrim me degët e drurit janë krejt ato që shfaqen nën dritën e bardhë.
“Është abstrakte, s’kam dashur të krijoj diçka konkrete”, thotë ai për veprën e dytë.
Nga njëzet aplikues gjithsej përzgjedhja e tre finalistëve për çmimin “Artistët e së nesërmes”, i cili organizohet nga “Stacioni”, ka qenë proces që iu ka marrë kohë organizatorëve. Mirëpo inkurajues është fakti që sivjet interesim kanë shprehur edhe artistë nga komuniteti jo-shumicë, serb. Për Albert Hetën njëri prej bashkëkuratorëve – përveç Vala Osmanit e cila edhe është marrë me arkitekturën e ekspozitës – organizimi në “Klubin e Boksit” përherë është intrigues për publikun, për vetë faktin historik.
“Këtu me kuru një ekspozitë i ka sfidat e veta, ekipi është që punon në ekspozita dhe e njeh hapësirën, produksioni është zgjeruar sipas një plani të caktuar. S’ka ngrohje, ka probleme teknike që s’është dashur të ndodhin në një hapësirë ekspozuese, sidomos të profilit të tillë që shpërblen artistët e rinj me çmim prestigjioz”, ka thënë Heta.
Ka theksuar se tre artistët aq sa janë të kundërt në stile, po aq kanë të përbashkëta.
“E kanë një gjë të përbashkët, secili ose me një këmbë ose me të dyja jeton jashtë Kosovës, (kanë) interesim për vendin. Temat janë shumë të vendit, por edhe prekin çështje që janë globale, ideja e shtëpisë a është ftohtë nëse kurrë s’jeton në të. Hyrja në mitologji që shpesh e definon kulturën e vendit që e vëreni te puna e Valdrinit”, shpjegon Heta, duke theksuar edhe faktin që të tre garojnë për të parën herë për këtë çmim.
Fituesi i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2022 do të shpallet më 3 dhjetor. Ekspozita do të jetë e hapur deri më 10 dhjetor.