Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur keqardhje që profesori Bekim Sejdiu ka vendosur të tërhiqet nga kandidatura për president të Kosovës.
Vetëvendosja ka thënë se marrëveshja për të propozuar Sejdiun si kandidat konsensual u arrit pas bisedimeve politike dhe vullnetit për t’i dhënë Kosovës një zgjidhje.
“Fatkeqësisht, pas arritjes së marrëveshjes, një pjesë e deputetëve të LDK-së doli kundër kandidaturës së miratuar edhe nga partia e tyre. Ndërsa PDK-ja dhe Aleanca u deklaruan se nuk do të merrnin pjesë në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Kështu u krijuan rrethanat që e pamundësuan zgjedhjen e Presidentit në Kuvend. Në këto rrethana erdhi edhe vendimi i profesorit Sejdiu për t’u tërhequr”, është thënë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Vetëvendosje ka falënderuar Sejdiun për gatishmërinë e tij.
“Kuvendi është vendi ku dallimet politike shprehen me votë. Mund të votosh për, mund të votosh kundër. Por kur mospjesëmarrja përdoret për ta pamundësuar votimin, atëherë nuk kemi më dallim politik rreth një kandidati, por pengim të vetë procesit kushtetues dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të përsëritura. E falënderojmë profesor Bekim Sejdiun për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për dinjitetin e treguar gjatë këtij procesi. Kosova e pati marrëveshjen dhe kandidatin e përbashkët. E pati mundësinë që çështja e Presidentit të zgjidhej në Kuvend. Por u bllokua, sërish”, thuhet nga VV.
Sejdiu ishte propozuar kandidat konsensual dy javë më parë. Por, gjashtë deputetë të LDK-së u deklaruan se s’do të votojnë Sejdiun. Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Janina Ymeri u deklaruan kundër kësaj kandidature.