Në qendër të ekspozitës është Leutrim Morina, fitues i çmimit të edicionit të sivjetmë. Praktika e tij në pozicionin mes Kosovës dhe Gjermanisë prej disa vjetësh i ka vendosur identitetin, përvojën personale dhe qëndrimin politik në zemër të punës artistike. Morina lëviz lirshëm mes pikturës, performancës dhe ndërhyrjeve në hapësira publike, duke krijuar një zë të dallueshëm që e artikulon brishtësinë dhe rezistencën brenda të njëjtit gjest
Ideja për t’i dalë përballë frikës dhe për ta luftuar nënvetëdijen ka triumfuar në garën për çmimin “Artistët e së nesërmes”, një prej mekanizmave që krijon ritëm, pritje dhe standard për brezat që vijnë. Emrat e tre finalistëve, artistë të rinj, kanë ndërtuar një prani të qëndrueshme në skenën e artit bashkëkohor kosovar e ekspozita e edicionit të sivjetmë është e hapur në qendrën për art bashkëkohor “Stacion”, që funksionon në atë që dikur shërbente si klubi i boksit “Prishtina”. Aty është shënjuar një tjetër kapitull i këtij programi që prej fillimeve të veta ka synuar ta forcojë kulturën vizuale duke u ofruar artistëve të rinj një platformë të dukshme dhe një horizont ndërkombëtar.
Në mbrëmjen e së shtunës çmimi i është ndarë Leutrim Morinës, artistit që prej disa vjetësh ka ndërtuar një praktikë të kthjellët konceptuale, të vendosur mes pikturës, performancës dhe ndërhyrjes publike.
Ekspozita e sivjetme ka strehuar tre finalistët e përzgjedhur: përveç Morinës, edhe Ermir Zhinipotokun dhe Blerta Hashanin. Juria, e përbërë nga kuratori Alper Turan, historiania e artit dhe arkitektja Florina Jerliu dhe artisti Lulzim Zeqiri, ka vendosur që vlerësimi të mbështetet mbi vazhdimësinë, angazhimin dhe aftësinë që praktikat e tyre të krijojnë hapësira diskutimi brenda skenës vendore.
Në qendër të ekspozitës është Leutrim Morina, fitues i çmimit të edicionit të sivjetmë. Praktika e tij në pozicionin mes Kosovës dhe Gjermanisë, prej disa vjetësh i ka vendosur identitetin, përvojën personale dhe qëndrimin politik në zemër të punës artistike. Morina lëviz lirshëm mes pikturës, performancës dhe ndërhyrjeve në hapësira publike, duke krijuar një zë të dallueshëm që e artikulon brishtësinë dhe rezistencën brenda të njëjtit gjest.
Në ekspozitën e sivjetme, përveç dy pikturave me titujt “Flower”, Morina ka sjellë një performancë – me të njëjtin titull – që e trajton frikën dhe procesin e vetëpranimit, duke e kthyer ekspozitën në një hapësirë të dialogut të hapur mes trupit të vet dhe shikuesve. Përballë pikturës “Flower”, ku paraqitet një grua shamibardhë teksa gatuan, artisti ka performuar një lloj vallëzimi për tri minuta nën tingujt e këngës “Baby One More Time” nga Britney Spears.
Kjo edhe ia ka sjellë fitoren e ëndërr të moçme e ka konsideruar triumfin në këtë garë.
“Është shumë ëndërr e moçme, e vitit 2013, kur unë për herë të parë kam ardhur në Prishtinë prej fshatit dhe qysh në atë kohë, gjithmonë e kam ëndërruar ta marr këtë çmim dhe erdhi dita edhe e mora, jam shumë i lumtur, pak i stresuar, sepse dy muaj në Amerikë është pak shumë, edhe atje besoj që do t’ia dal”, ka thënë Morina për KOHËN pak çaste pas shpalljes së fituesit.
Për rezidencën e fituar, ka thënë se kërkon të krijojë sa më shumë kontakte që të jetë e mundur.
“Qëllimi im është New Yorku. Ëndrra ime është skena e artit në New York dhe mendoj që kur të arrij atje të kem kontakte me ata të huajt e New Yorkut, besoj që do të më ndihmonte shumë në karrierën time si artist dhe qëllimi është që të shkoj atje për dy muaj, ta shfrytëzoj çdo mundësi të mundshme me kuratorë, artistë e galeristë dhe të lidh kontakte”, ka shtuar ai.
Në shpjegimin e tij për performancën, Morina e ka vënë theksin te përballja me brendësinë, me nënvetëdijen që e ka shoqëruar për vite, si dhe te mënyrat se si arti ka qenë mjeti për ta përballuar stigmën dhe ndrojtjen që e ka ndjekur.
“Performanca është ide për t’i dalë frikës përballë dhe nënvetëdijen ta luftoj. Unë si artist i ri prej zonave rurale, pas të 2000-tave nuk ka pasur vend shumë për artistë, për djem që bëjnë art, më shumë ka pasur vend për djem që punojnë dhe mësojnë. Si artist kam qenë gjithmonë i paragjykuar dhe kam jetuar gjatë me këto paragjykime dhe një ditë e mendon që është diçka keq me ty”, ka thënë ai.
Ka folur hapur për rrugën personale, për paragjykimet dhe për momentin kur arti ndalon së qeni diçka që fshihet dhe kthehet në mjet afirmimi.
“Mua më ka ardhur marre të kallëzoj më herët se jam artist. Gjithmonë kur më ka pyetur dikush se çka jam me profesion ose se çka më pëlqen të bëj, kam gjetur përgjigje të tjera, artin asnjëherë nuk e kam përmendur se më ka ardhur marre prej vetes. Ajo ideja që unë përnjëmend jam artist brenda dhe atëherë s’ka pse të më vijë marre dhe performancën e bëj për ta mundur frikën time para njerëzve që ta luftoj nënvetëdijen”, është shprehur Morina.
Përzgjedhja nga juria ka ardhur pas një procesi të ngjeshur, që ka reflektuar edhe gatishmërinë e një brezi për t’i shtyrë kufijtë e vet dhe për të gjetur forma të reja të shprehjes në mes të realitetit social dhe kërkesave estetike.
“Ka qenë një konkurrencë mjaft e fortë, e ngjeshur mes artistëve. Kanë qenë tre finalistë këtë vit, të cilët i kemi përzgjedhur bashkë me jurinë. Ka qenë mjaft e vështirë me vendosë, për shkak se kanë vendosur nuancat, të tretë kanë ardhur me koncepte përafërsisht të fuqishme do të thosha, me koncepte, të cilat përkojnë edhe me kohën dhe premtojnë një të ardhme në aspektin artistik”, ka thënë Lulzim Zeqiri, i cili ka qenë pjesë e jurisë.
Fituesi do të qëndrojë dy muaj në rezidencë në New York në bashkëpunim me “Residency Unlimited” dhe programin “YVAA”, ndërsa në horizont qëndron edhe mundësia për një ekspozitë personale në programin vjetor të “Stacionit” në vitet 2027-2028.
Në këtë treshe qasja e Ermir Zhinipotokut ka sjellë një vizualitet të ndërtuar mbi momente të shkurtra, të heshtura, që lëvizin mes figuracionit dhe abstraksionit. Pikturat e tij, të cilat shpesh i ndërthur me vizatime, grafikë dhe elemente digjitale, funksionojnë si mbështjellje të brendshme të kujtesës, mistikes dhe përvojës psikologjike. Në to shikimi ngadalësohet, rrëshqet në shtresa të buta tonale dhe rikthen idenë se piktura mund të jetë edhe proces meditimi e përqendrimi, jo vetëm imazh i gatshëm.
Në ekspozitë, Zhinipotoku ka sjellë një cikël që e vazhdon këtë kërkim, duke ndërtuar një univers që e ftillon përkohësinë dhe e vë në qarkullim tensionin mes dukshmërisë dhe së padukshmes. Katër vepra të tij janë të ekspozuara në “Stacion”: instalacioni “Kur retë virren”, me shumëllojshmëri eshtrash, pikturat “Qeni dhe gjahu”, “Pastrimi”, si dhe “Dhelprat”.
Krahas tij, Blerta Hashani ka prezantuar tri piktura në formatin e saj të njohur 40x40 centimetra, të krijuara mbi materiale që ajo i rikthen nga e përditshmja rurale. Përdorimi i thasëve, dërrasës, jutes apo pëlhurave të fshatit është bërë prej vitesh pjesë e identitetit të saj vizual dhe ka krijuar një praktikë që ndërton ura mes teksturës, kujtesës dhe peizazheve të mikrohistorive të jetës së përditshme. Tri veprat e saj përfshijnë “Memorizonim”, “Milvus” dhe “Imagjinata, një orbitë larg realitetit”.
Ajo ka folur për procesin e prezantimit të veprave prej kur ka aplikuar për çmimin prestigjioz.
“Procesi ka qenë goxha sfidues dhe goxha i mirë për mua dhe duke e vlerësuar se si artiste gjithmonë procesin, është njëra prej punës më të rëndësishme që e bëjmë deri në finale. Ka shkuar shumë mirë, duke e marrë parasysh kohën. Sivjet ka qenë një kohë shumë e shkurtër për të krijuar dhe për të aplikuar në Stacion”, ka thënë Hashani.
Nëpërmjet procesit të ngadalshëm, me ngjitje, shtresa vaji, spreji dhe letre, Hashani krijon sipërfaqe që mbajnë gjurmë të përvojave të jashtme dhe të brendshme, të cilat në këto punime lidhen edhe me dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore në zonat rurale.
“Janë piktura në materiale të ndryshme, duke filluar prej thesit, dërrasës dhe ngjyrës së vajit. Është e veçantë dhe ia vlen ta cek se është një projekt në vazhdimësi, por është hera e parë që më ka ardhur mundësia ta realizoj idenë prej 2021-tës, kur atëkohë kam filluar ta dokumentoj objektin e trashëgimisë kulturore në vendet rurale dhe ideja ka qenë t’i vendos brenda murit si lloj dritaresh”, ka thënë ajo.
Me këtë edicion, çmimi “Artistët e së nesërmes” ka vazhduar të afirmojë rolin e vet si mekanizëm që u hap rrugë ndërkombëtare artistëve të rinj nën moshën 35 vjeç. Përtej shpalljes së një emri, edicioni i sivjetmë ka rikujtuar se arti bashkëkohor në Kosovë ka krijuar tashmë një brez të ri, të konsoliduar, i cili flet hapur për të tashmen, e rikthen të shkuarën si material krijimi dhe e sheh të ardhmen si hapësirë të mundshme të nismave të reja.