Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria në detyrë po tejkalon kompetencat me emërimet e reja, çka sipas tij, po cenon rendin institucional.
Tahiri ka theksuar se një qeveri në detyrë nuk është thjesht “në pritje”, por funksionon me kompetenca të kufizuara, të përcaktuara qartë me Ligjin për Qeverinë. Ai i është referuar nenit 31 të këtij ligji, i cili ndalon inicimin e procedurave të reja për emërime në pozita publike gjatë kësaj periudhe.
Sipas tij, kjo ndalesë vlen edhe për periudhën pas shpërndarjes së Kuvendit, deri në zgjedhjen e një qeverie të re me legjitimitet të plotë.
Në këtë kontekst, Tahiri ka shprehur shqetësim për shpalljen e konkurseve për rreth 20 pozita të larta udhëheqëse nga ana e qeverisë në dorëheqje.
“Këto veprime jo vetëm që bien ndesh me frymën e kufizimeve ligjore, por krijojnë edhe perceptimin e kapjes së institucioneve në një moment tranzicioni, kur vendimet e mëdha duhet t’i lihen legjitimitetit të ri”, ka deklaruar ai.
Në fund, Tahiri ka theksuar se respektimi i ligjit nuk është çështje zgjedhjeje, por detyrim për çdo institucion dhe bartës të pushtetit.
-
Aleanca dorëzon kallëzim penal për 17 vendime të Qeverisë
-
Aleanca thotë se do t’i çojë në Prokurori 18 vendimet e Qeverisë në detyrë
-
Aleanca paralajmëron kallëzim penal ndaj Qeverisë
-
PDK-ja e Aleanca nga Kuvendi e akuzojnë Kurtin për cenim të rendit kushtetues
-
PDK-ja e AAK-ja thonë se është zaptuar rendi demokratik