Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Aleanca dorëzon kallëzim penal për 17 vendime të Qeverisë

Besnik Tahiri

Foto: Driton Paçarada

Aleanca ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale në lidhje me 17 vendimet që janë marrë në mbledhje të Qeverisë në detyrë, e që kanë të bëjnë me emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Pas dorëzimi të kallëzimit penal, deputeti i këtij subjekti politik, Besnik Tahiri, ka thënë se një gjë e tillë është e ndaluar me Ligjin për Qeverinë dhe në vlerësimin e juristëve që e përfaqësojnë këtë lëndë, bie ndesh me ligjin.

“Kemi dorëzuar në Prokurorinë Speciale një kallëzim penal për Qeverinë në detyrë, respektivisht për kryeministrin në detyrë për shkak se me datën 12 gusht të këtij viti ata kanë marrë disa vendime të cilat në vlerësimin tonë dhe juristëve tanë që e përfaqësojnë këtë lëndë bie ndesh me ligjin dhe të gjitha rregulloret që mund t’i ketë një qeveri. E ka të ndaluar me ligjin për Qeverinë të marrë vendime që janë të ndërlidhura me 17 vendime që janë marrë në mbledhjen e Qeverisë, për emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërore në agjencione qeveritare dhe në një rast në përzgjedhjen e një sekretari të përhershëm”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka shtuar se Qeveria në detyrë nuk ka legjitimitet të plotë për të ndërmarrë veprime të tilla. 

Ndër vendimet e miratuara më 12 gusht nga Qeveria në detyrë është edhe ai për emërimin e Komisionit të Pranimit për pozitën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, si dhe për pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë. 

Qeveria ka miratuar gjithashtu komisione për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën e drejtorit ekzekutiv në Inspektoratin e Ministrisë së Drejtësisë, në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, si dhe për pozitën e drejtorit të përgjithshëm në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.

Edhe Lirohet për një cent çmimi i naftës në Kosovë Arbëri Lirohet për një cent çmimi i naftës në Kosovë

Për këto vendime të ekzekutivit ditë më parë kanë shprehur shqetësimin e tyre edhe disa organizata të shoqërisë civile. 

Sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Neni 72 i Kushtetutës, Neni 26 i Ligjit për Qeverinë dhe aktgjykimi i Gjykatës Supreme ndalojnë ushtrimin e njëkohshëm të funksionit të deputetit dhe anëtarit të Qeverisë.