Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Besnik Tahiri, ka akuzuar Qeverinë në detyrë për shkelje të ligjit dhe përpjekje për ta vënë administratën shtetërore në funksion të një partie politike, duke marrë vendime për themelimin e 18 komisioneve, të cilat, sipas tij, synojnë emërime në agjenci ekzekutive e qeveritare dhe në pozita publike.
Tahiri ka paralajmëruar se partia të cilës i takon do ta dërgojë në Prokurori çështjen e këtyre vendimeve të marra më 12 gusht nga qeveria në detyrë.
Ai ka akuzuar qeverinë se po merr vendime në një kohë kur është në detyrë dhe nuk ka legjitimitet të plotë për të ndërmarrë veprime të tilla.
“Me datë 12 gusht Qeveria e RKS ka marrë 18 vendime duke themeluar 18 komisione, diku-diku me njerëz të njëjtë për t’i emëruar në agjenci ekzekutive në një kohë kur kjo qeveri është në detyrë, s’ka legjitimitet, po e bllokon shtetin, kur këta ministra e shkelin ligjin për Qeverinë... Këtu ka zaptim dhe papërgjegjësi totale me funksionin publik”, ka thënë Tahiri në konferencën për media të mbajtur të hënën.
Ai theksoi se asnjë qeveri, sipas tij, nuk mund ta përdorë administratën shtetërore për interesa partiake.
Edhe
Vdiq punëtori i KEK-ut që pësoi lëndime në vendin e punës
“Nuk guxon asnjë qeveri e as kjo që nuk ka legjitimitet, që ta kthejë administratën e shtetit në funksion të një partie. Kjo logjikë duhet të ndalet menjëherë, këto vendime të jashtëligjshme duhet të anulohen menjëherë”, ka theksuar ai.
Tahiri paralajmëroi se Aleanca nuk do ta lërë çështjen vetëm në nivel të deklaratave politike, por do të kërkojë shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimeve të Qeverisë dhe do t’u drejtohet organeve kompetente.
“Kjo çështje nuk do të mbetet vetëm deklaratë politike, do të kërkojmë shqyrtimin e ligjshmërisë së këtyre akteve dhe vendimeve të paligjshme dhe do t’u drejtohemi organeve kompetente”, u shpreh ai.
Duke folur për situatën politike në vend, Tahiri tha se Kosova nuk po përballet me krizë kushtetuese, por me krizë politike.
Sipas tij, kjo krizë është krijuar nga Lëvizja Vetëvendosje me synimin për të mbajtur nën kontroll tri pozitat kryesore të institucioneve.
“Nuk mendoj se ka krizë kushtetuese, këtu ka krizë politike dhe kriza politike iu ka imponuar Kosovës falë një qëllimi të thjeshtë të LVV-së për t’i pasur të tria pozitat nën kontroll”, ka deklaruar Tahiri.
Edhe
Përurohet ndërtimi i Parkut Industrial në Podujevë, Kurti nuk flet për situatën politike
Ai pretendoi gjithashtu se zvarritja e konstituimit të Kuvendit ka qenë e qëllimshme, me synimin që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të ketë më shumë hapësirë për të përcaktuar kohën e zgjedhjeve.
“Qëllimi ka qenë të zgjatet afati i konstituimit të Kuvendit, në mënyrë që të krijohet më shumë kohë për Kurtin që ai të pozicionojë datën e zgjedhjeve se kur dëshiron”, deklaroi Tahiri.