Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Tranforma” provokon njeriun midis dinjitetit, qëndresës e shpresës

Vizatimet

Vizatimet në sallën e konferencave të Akademisë bashkojnë copëza të kaosit. Numra, armë e rrënoja bashkohen në vizatimet e artistit

Kësaj radhe, Ismet Jonuzi vjen me jo shumë vepra, por nëse bëhet një ndarje, mund të thuhet se me tri pavijone. Bashkë me kuratorin Fatmir Mustafa, i njohur me emrin artistik Karllo, kanë zgjedhur që skulpturat, vizatimet e pikturat si trinom të formojnë ekspozitën e parë inauguruese të Jonuzit në ASHAK. “Transforma” sjell konceptet krijuese të Jonuzit dhe provokon, sidomos me të kaluarën. Mund të shihet në tërësi si një skicë e krijimtarisë së artistit që ka zgjedhur të prezantohet me disa prej veprave të viteve të fundit

Krejt në hyrje të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pos posterit tradicional, qëndron edhe një vepër arti. Diçka deri më tash e pazakontë për institucionin më të lartë shkencor në vend. Është vepër e anëtarit korrespodent të ASHAK-ut, profesorit universitar, Ismet Jonuzi. Kësaj radhe, ai vjen me jo shumë vepra por nëse bëhet një ndarje, mund të thuhet se me tri pavijone. Bashkë me kuratorin Fatmir Mustafa, i njohur me emrin artistik Karllo, kanë zgjedhur që skulpturat, vizatimet e pikturat si trinom të formojnë ekspozitën e parë inauguruese të Jonuzit në ASHAK. “Transforma” sjell konceptet krijuese të Jonuzit dhe provokon, sidomos me të kaluarën. 

Vizatimet në sallën e konferencave të Akademisë bashkojnë copëza të kaosit. Numra, armë e rrënoja bashkohen në vizatimet e artistit. Në anën tjetër, vijnë si piktura e duken si të kornizuara, por janë skulptura me armë që bartin rrëfimet e luftës së fundit në Kosovë. Me dimensione të vogla ato kanë simbolikë të madhe. Krijimtaria e Jonuzit që është në prag të dekadës së pestë krijuese shkon përtej veprave të ekspozitës së hapur të hënën. Ajo mund të shihet në tërësi si një skicë e krijimtarisë së artistit që ka zgjedhur të prezantohet me disa prej veprave të viteve të fundit. Në krahasim me atelienë e tij, është veç një intro. Flet për shihet, konceptet, problemet shoqërore që trajton dhe për kufijtë estetik që Jonuzi i provokon vazhdimisht. Është veç çereku i ekspozitës së vjeshtës së vitit 2014 në Galerinë e Fakultetit të Arteve. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo
Në anën tjetër, vijnë si piktura e duken si të kornizuara, por janë skulptura me armë që bartin rrëfimet e luftës së fundit në Kosovë. Me dimensione të vogla, ato kanë simbolikë të madhe

Akademik Eqrem Basha e ka parë ekspozitën si një ngjarje jo krejtësisht të zakonshme, krahasuar me ekspozitat e mëhershme të institucionit, marrë parasysh shtrirjen e saj, brenda dhe jashtë ambienteve të Akademisë, por edhe me risitë që sjell, dhe me frymën e re që e përshkon

“Artistët e rinj kanë sjellë dëshmi për të arsyetuar sintezat inovative, se nuk janë skulpturat vetëm forma, drita, hije, por edhe lëvizje në hapësirë, raporte figurash, ide, ndjeshmëri, ngjeshje të vizuales dhe plastikes me konceptin, mendimin. Piktorët e skulptorët bëhen bashkë tek instalacionet, performancat, ndërsa kufijtë e akademizmit, artit klasik, me atë konceptual, pothuaj janë shkrirë”, ka thënë Basha para të pranishmëve. Sipas tij, Ismet Jonuzi dëshmohet artist i gjithanshëm i arteve pamore. Ka thënë se i formuar skulptor, ai është dhe vizatues i shkathët, portretist jokonvencional, me fakturë të dendur vijash që nxjerrin të veçantat e karaktereve të nën-qiellit, por edhe i demave të ngujuar në fallakë dhunuese, aparate kastrimi, forma të egra dominimi, që venë në sprovë forcën shpërthyese të tyre, për t’u përqendruar te hardhitë e çerdhet, oazat lirike që frymojnë lirshëm dhe pushtojnë hapësirat me harmoninë freskuese. 

“Vizatimi dëshmon bindshëm parimin e vjetër se nuk mund ta ndjesh formën, pa e ndjerë vijën, nuk mund ta gjurmosh hijen e dritën, pa njohur lojën e dendësisë dhe dinamikës së lëvizjeve të penës, lapsit a thëngjillit. Të gjitha këto pastaj shpërfaqen në telajo, në kanavacën jo rrallë pa nënshtresë, në përdorimin e shpeshtë të materialeve jokonvencionale të pikturës, sepse Jonuzi është edhe piktor”, ka thënë akademik Basha. Sipas tij, lidhja e skulpturës me asemblazhin, instalacionin, apo përdorimi i materialeve jokonvencionale, duket më e afërt se aq. Synimi për të ndërtuar, përtej veprës skulpturore, një koncept, një mendim, mbi efektet e formës, plasticitetit, sipas Basjës, shpien gjithsesi drejt tendencës së artit konceptual, por jo gjithmonë. 

“Ismet Jonuzi sa merret me skulpturë, në të gjitha materialet, sa me vizatime, jo vetëm si skica ndërmjetëse të ndërmarrjeve skulpturore, ose me pikturë, po aq merret dhe me asemblazhe, instalime, në të cilat jo rrallë inkuadrohen dhe kërkimet e mësipërme. Ai nuk ndërton vetëm veprën skulpturore, por kërkon të gjejë pozitën e saj në hapësirë, komunikimin me rrethin, të imponojë mesazhe, të luajë e të gjejë raportin me pjesëza, që marrin frymë vetëm në tërësinë e të gjitha njësive”, ka thënë akademik Basha. Ka shtuar se Jonuzi është skulptor me ide e realizime që transmetojnë imazhe, që denoncojnë dhunën e shpërfaqin dhe mesazhe proteste ose synime për një botë humane, paqësore. 

“Ne e veçuam kësaj here ciklin e armëve të tjetërsuara, një qasje unike dhe domethënëse, që ka zgjuar interes kudo ku është ekspozuar. Po aq afër është cikli tjetër tematik, i realizuar me mbetje metali, me copëza të nxjerra nga konteksti i konfeksionimit, nga prodhime në seri, vidha bulona, që do të inkuadrohen në lojën e një dore të shkathët, asembluesi kapriçioz, i cili krijon qëndisma të dendura me strukturimin e rriskave përmes një mozaiku jo çfarë e njohim dhe kemi ndeshur, në figura njerëzore, në portrete që do të vihen në lëvizje”, ka thënë akademik Basha. 

Jonuzi pas luftës së fundit kishte lidhur një marrëveshje me forcat paqeruajtëse të KFOR-it që armët e dorëzuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës t’i përdorte për synimet e tij artistike. Shpjegimet për ato vepra s’kanë fund. 

Profesori i skulpturës, njëherësh autor i ekspozitës, Ismet Jonuzi, ka thënë se në këtë ekspozim përmbledh një pjesë të krijimtarisë së viteve të fundit dhe pasqyrohet procesi i vazhdueshëm të kërkimit, zhvillimit dhe transformimit artistik. 

“Këto vepra nuk janë krijuar thjesht për qëllime dekorative, estetike; ato synojnë të artikulojnë përvoja njerëzore dhe kolektive, duke reflektuar mbi tema si kujtesa kolektive, qëndresa, dinjiteti dhe shpresa”, ka thënë ai. Sipas Jonuzit, pa u mbështetur drejtpërdrejt në simbole folklorike apo identitare, punimet trajtojnë çështje universale që lidhen me njeriun dhe përvojën e tij, duke ftuar publikun në reflektim dhe dialog. 

“Përmes gjuhës së artit kam synuar të ndërtoj hapësira komunikimi që tejkalojnë kufijtë lokalë dhe i drejtohen përvojës së përbashkët njerëzore”, ka thënë midis të tjerash ai. 
Jonuzi është kronist i ngjarjeje historike në këto anë. Përtej kësaj ekspozite kur bashkohen punime të periudhave të ndryshme të krijimtarisë prej mbi katër dekadëshe, ato krijojnë një dramë të gjatë e me shumë akte. Secili cikël a koncept është akt më vete. Por emërues i përbashkët i dramës është tragjikja.