Arti nuk i nënshtrohet logjikës së prodhimit industrial. Ai nuk matet me sasi, me efikasitet apo me standarde të njëjta. Nuk prodhon rezultate të parashikueshme dhe nuk funksionon si një linjë fabrike. Arti lind nga përvoja njerëzore, nga intuita, nga dyshimi dhe nga imagjinata. Pikërisht për këtë arsye, trashëgimia e tij nuk është gjithmonë e dukshme
Sislej Xhafa
Ka një mënyrë të çuditshme se si ne e gjykojmë kulturën. Gjithmonë kthehemi tek ajo që ka mbetur: te muret, te ndërtesat, tek objektet, te sheshet. Sikur arti ta kishte për detyrë të linte pas vetes diçka të prekshme, njësoj si një kompani ndërtimi. Ndoshta pikërisht këtu fillon keqkuptimi.
Nuk po them se nuk duhen bërë pyetje. Përkundrazi. Paratë publike duhet gjithmonë të justifikohen. Transparenca dhe përgjegjësia nuk janë luks; janë detyrim. Por kam përshtypjen se pyetja që po ia bëjmë “Manifestës” është pyetja e gabuar.
Një bienale nuk është një rrugë. Nuk është një urë. Nuk është një ndërtesë.
Arti nuk i nënshtrohet logjikës së prodhimit industrial. Ai nuk matet me sasi, me efikasitet apo me standarde të njëjta. Nuk prodhon rezultate të parashikueshme dhe nuk funksionon si një linjë fabrike. Arti lind nga përvoja njerëzore, nga intuita, nga dyshimi dhe nga imagjinata. Pikërisht për këtë arsye, trashëgimia e tij nuk është gjithmonë e dukshme.
Edhe
“Manifesta 14” dhe naiviteti shtetëror pesë milionë eurosh
Arti nuk prodhon domosdoshmërisht objekte. Ai prodhon përvoja, takime, marrëdhënie dhe ide. Ndonjëherë ndryshon mënyrën se si e shohim një qytet. Ndonjëherë ndryshon mënyrën se si e shohim vetveten. Prandaj nuk më bind kur e gjithë përvoja e “Manifestës” reduktohet vetëm tek ajo që nuk mbeti fizikisht: te boja që është fshirë nga asfalti apo te Tulltorja që nuk arriti të bëhej ajo që ishte premtuar.
Po, mund të ketë pasur premtime që nuk u realizuan. Mund të ketë pasur vendime të gabuara. Mund të ketë pasur kritika të drejta. Asnjë projekt i madh nuk është i paprekshëm. Por le të ndalemi për një moment dhe të pyesim: çfarë ndodhi realisht gjatë atyre muajve?
Për herë të parë, në atë përmasë, Prishtina u bë një vend ku arti bashkëkohor ndërkombëtar nuk kaloi thjesht si vizitor. Ai u ndal. U takua me qytetin. U takua me artistët. U takua me publikun. Artistë, kuratorë, kritikë, studiues, drejtorë muzesh dhe institucionesh erdhën në Kosovë jo për të parë vetëm historinë tonë politike, por për të parë atë që po krijohej këtu.
Për herë të parë, në atë shkallë, Kosova nuk ishte vetëm objekt i vështrimit.
U bë subjekt i tij.
Ky është një ndryshim që nuk mund të fotografohet katër vjet më vonë.
Po aq e rëndësishme ishte ajo që ndodhi me artistët e rinj. Për shumë prej tyre, “Manifesta” ishte hera e parë që puna e tyre u pa nga kuratorë, drejtorë muzesh, kritikë, koleksionistë dhe profesionistë të artit nga e gjithë bota. U krijuan lidhje që vazhdojnë edhe sot. U hapën bashkëpunime të reja, rezidenca, ekspozita dhe mundësi që më parë dukeshin të largëta. Për disa artistë të rinj, kjo ishte pika e kthesës në rrugëtimin e tyre profesional.
Për herë të parë, një brez i tërë artistësh nga Kosova u gjend përballë botës, jo si përjashtim, por si pjesë e një dialogu të barabartë ndërkombëtar. Ndoshta kjo është një nga trashëgimitë më të rëndësishme të “Manifestës”. Nuk është një statistikë. Është një realitet që vazhdon të shihet edhe sot.
Një bienale nuk matet vetëm me atë që ndërton fizikisht, por edhe me rrjetet, marrëdhëniet dhe mundësitë që krijon. Pikërisht këto janë gjërat që zakonisht zgjasin më shumë.
Këto nuk janë gjëra që mbeten në asfalt. Janë gjëra që mbeten te njerëzit.
Edhe Kur “Manifesta” të ikë, do të mbetemi nePër disa muaj, Prishtina u bë një pikë referimi në hartën e artit bashkëkohor. Dialogu me Berlinin, Londrën, Parisin, Amsterdamin apo Nju Jorkun nuk ishte më diçka që e ndiqnim nga larg.
Ka edhe një aspekt për të cilin flitet shumë pak. Për disa muaj, Prishtina u mbush me vizitorë nga e gjithë bota. Hotelet, Airbnb-të, restorantet, kafenetë, taksitë dhe shumë biznese të vogla u bënë pjesë e një ekonomie që u krijua rreth bienales. Kultura nuk prodhon vetëm ide. Ajo prodhon edhe lëvizje, besim dhe ekonomi. Edhe kjo është pjesë e historisë së “Manifestës”.
Ndodhi këtu. Edhe kjo është pjesë e historisë së “Manifestës”.
Ajo që më habit më shumë është se në gjithë këtë debat pothuajse nuk flitet fare për Artin. Flasim për buxhetin. Flasim për administrimin. Flasim për ndërhyrjet urbane. Por ku është debati për veprat? Ku është diskutimi për artistët? Ku është kritika e ekspozitës? Ku është analiza e konceptit kuratorial?
Nëse nuk flasim për Artin, atëherë nuk po flasim për “Manifestën”. Po flasim për menaxhimin e saj. Dhe këto janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Ka edhe një gjë që shpesh harrohet. Asnjë bienale nuk mund ta zëvendësojë politikën kulturore të një shteti. Asnjë bienale nuk mund të mbajë gjallë një hapësirë nëse institucionet, artistët, kuratorët dhe vetë komuniteti artistik nuk e vazhdojnë atë punë. Një bienale mund të hapë një mundësi, të krijojë një energji dhe të ndezë një proces, por nuk mund ta mbajë atë gjallë nëse ne vetë nuk e ushqejmë dhe nuk e vazhdojmë.
Sepse vazhdimësia nuk ishte kurrë vetëm detyrë e “Manifestës”. Ishte edhe detyra jonë.
Prandaj, ndoshta pyetja nuk është vetëm se çfarë la “Manifesta”.
Ndoshta pyetja më e vështirë është një tjetër: Çfarë bëmë ne me atë që “Manifesta” hapi?
Sepse trashëgimia nuk është gjithmonë ajo që mbetet në beton. Ka trashëgimi që nuk kanë formë, nuk kanë adresë dhe nuk fotografohen. Por ato vazhdojnë të jetojnë në mënyrën se si një artist mendon, në marrëdhëniet që krijohen, në guximin për të imagjinuar ndryshe dhe në mundësitë që lindin shumë kohë pasi ekspozita është mbyllur.
Edhe
Bota e artit erdhi në Kosovë: Çfarë ndodh kur largohet “Manifesta”?
Ndoshta kjo është arsyeja pse arti është kaq i vështirë për t’u matur. Forca e tij nuk qëndron gjithmonë tek ajo që shihet. Shpesh qëndron pikërisht tek ajo që mbetet e padukshme.
Dhe ndoshta pikërisht aty fillon trashëgimia e tij e vërtetë.