Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Piktorja e lojës me autoportrete realiste

Pikturat e gjyshes e kishin rrethuar si fëmijë. E puna që bënte Luljeta Goranci në veprat e artit kishte nisur t’ia merrte vëmendjen mbesës së saj, Engji Jaha.

Si fëmijë e kishin bërë për vete vijat në fleta të bardha. Ngadalë ato do t’i përvetësonte për t’u futur në botën e artit. E quan veten me fat që gjyshja e saj është piktore. Thotë se prej saj ka mësuar shumë, shkruan KOHA.

“Që nga fëmijëria çdo herë kam qenë e rrethuar me art”, thotë Jaha një muaj pasi ka hapur ekspozitën e parë personale në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Me një titull mjaft provokues, “Selfie Mundi”, punimet kanë qëndruar për një muaj në këtë institucion. E pas vendimit të Qeverisë për ndalim të aktiviteteve kulturore në hapësira të hapura, punimet e Jahës janë të qasshme për publikun edhe vertikalisht.

Historia e saj e eksplorimit nëpër stile e ide ka bërë që të rrumbullakojë një koncept goxha interesant. Merret shumë me veten. Personalitetin dhe historinë e saj i shikon nga disa perspektiva. E kur atë e përkthen me vepra arti, ia del që të krijojë një mozaik sa intim aq edhe komunikues me të tjerët.

Eksperimentimi me stile

Edhe “Selfie Mundi” vazhdon rrugëtimin si ekspozitë virtuale Kulturë “Selfie Mundi” vazhdon rrugëtimin si ekspozitë virtuale

Engji Jaha, që të enjten e kësaj jave ka mbushur 22 vjet, pas përfundimit të shkollës së mesme në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë nuk kishte dilema për studime. Menjëherë kishte trokitur në dyert e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”.

Aty edhe është duke përfunduar studimet bazike në Degën e Pikturës në klasën e profesoreshës Zake Prelvukaj. Studimet do ta fusnin në një botë stilesh. Kishte “udhëtuar” gjithandej tematikave. Por mendon se e ka gjetur veten.