Kulturë

“Selfie Mundi” zbërthen dualizmin e personalitetit dhe lojën me kohën

Artistja e re Engji Jaha është rebele. Pakëz engjëll e pakëz djall. Ndonjëherë të dyja bashkë. Rebelizmin dhe këto dy anë të personalitetit i shpërfaq edhe në art. Punon me autoportrete dhe përmes tyre shtjellon narrativa nga jeta e saj. Luan me kohën. Kthehet prapa, tek vishet me klasicizëm. “God Save the Queen” (Zot ruaje Mbretëreshën), “Poker në kazinonë ‘Omerta’”, “Psyche”, “Fallxhorja”, “Çupëza Engji” dhe “Dy Engjit”, janë disa prej titujve të veprave të ekspozuara. Kjo e fundit zë një vend të veçantë në hapësirën e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, ku të martën mbrëma u hap ekspozita e parë personale e artistes. Vepra e realizuar vitin e kaluar në teknikën vaj në pëlhurë qëndron e ekspozuar brenda një kabine ngjyrë vjollce, e cila është e rrethuar me drita neoni. Jaha i kushton goxha rëndësi kësaj vepre pasi që është autoportreti i vetëm brenda ekspozitës “Selfie Mundi”, ku ajo ka pikturuar dy Engjit e saj. Për realizimin e këtyre veprave, Jaha fillimisht kishte fotografuar veten, pastaj fotografitë i ka kthyer në vepra arti. Në fakt, krejt procesi nuk është thjesht një i karakterit dualist. Që në titull, “Selfie Mundi”, krijohet një lidhje me të shkuarën kur titulli i ngjan “Salvator Mundi” (Shpëtimtari i botës) të Da Vincit. Dhe është i dukshëm rimodelimi i së kaluarës në veprat e saj.

Ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur një muaj bëri që muret e Galerisë të mbuloheshin me art pas më shumë se tre muajve që nga mbyllja e saj për shkak të masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19. Hapja e ekspozitës “Selfie Mundi” u bë përmes një konference për media, por të pranishëm pati edhe familjarë dhe miq të artistes.

Drejtoresha e Galerisë së Kulturës, Dhurata Ramosaj – Shala, ka thënë se është e lumtur që Galeria po rikthehet me ekspozita fizike pas eksperiencës virtuale.

“Përgatitjet për këtë ekspozitë i kishim filluar para rasteve të para me virus, por është dashur që ta shtyjmë hapjen për shkak të pandemisë. Por sot jemi të lumtur që po e hapim këtë ekspozitë, ku mund të shihet arti i Engjit”, ka thënë ajo.

Sipas kuratorit të ekspozitës Shkëlzen Maliqi, ky opus i vogël pikturash, disa prej tyre të dimensioneve më të mëdha, lë përshtypjen e një breviari pamor që ilustron sprovat e artistes së re, që ajo i paraqet në trajtën e vetëmaskimit në personazhe mitologjike, me fokus te figura e engjëllit.

“Tablotë e ekspozitës janë inskenime të frymëzuara nga ikonografi të artit klasicist, por që autorja i sajon në mënyrën e vet, si selfie historike. Jaha nuk ndalet tek shtytja e njohur prej kalamajve që priren për t’i veshur kostumet e prindërve të tyre, por synon që me këtë narrativë ta tematizojë konceptualisht anën ‘diabolike’ të çdo rritjeje dhe vetëdijesimi përmes parabolës së lashtë mbi engjëjt e mirë dhe ata të rebeluar ose të ligj në hierarkinë qiellore”, ka thënë ai. Sipas tij, alegoritë e artistes janë bashkëkohore.

“Ajo i trajton sprovat e rebelizmit si kërkime të ‘pjekurisë’ në jetë dhe art, që janë të pashmangshme. Kjo është edhe fshehtësia e ekspozitës që në mënyrë sublime dhe elegante realizon një art konceptual ‘ready made’”, ka thënë ai.

Për Maliqin, procedimi i ngjan nga njëra anë, me atë të artistes bashkëkohore amerikane Cindy Sherman. Puna e saj artistike përbëhet ekskluzivisht nga portrete të autoportreteve duke e përshkruar veten në kontekste të ndryshme dhe po ashtu edhe në karaktere. Ani pse, sipas Maliqit, te Jaha e cila kërkon mënyrën e vet të konceptualizimit ka ende hapësirë dhe mundësi perfeksionimi.

“Sidoqoftë, hyrja në botën e madhe të artit në mënyrën që e bën Engji Jaha mua ma rifshfaq një privilegj të vetëbesimit që haset te vajzat e brezit të saj në shumë fusha të krijimtarisë dhe shkathtësive”, ka thënë ai. Sipas tij, sukseset e kësaj gjenerate dhe arritjet janë një rezultat i vetëbesimit.