Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Safo” me dhjetë zërat e parë që bashkohen për diskursin poetik femëror

bard books, safo, 21 prill

Dhjetë poetesha me nga 50 poezi, vijnë në kolanën “Safo” të “Bard Books” e që sjellin një mozaik të vargut me qëllim të promovimit të diskursit poetik femëror. Por ky është vetëm një kapitull. Shtëpia botuese relativisht e re do të zgjerohet edhe më. Poetet Flora Brovina, Dije Demiri-Fragu, Rita Petro, Arjola Zadrima, Sibel Halimi, Ilire Zajmi, Manjola Brahaj, Lindita Ahmeti, Ledia Dushi dhe Donika Dabisheci, janë dhjetësha e parë e kolanës së përuruar të mërkurën pasdite në bibliotekën kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.

“Renditja, e as botimi nuk kanë karakter hierarkik. ‘Bard Books’ do të vazhdojë kolanën duke sjellë edhe emra të tjerë të vlefshëm të diskursit femëror në letërsinë shqipe, po natyrisht duhej nisur diku”, ka thënë në përurim, Donika Dabisheci, kuratore e kolanës njëri prej librave të së cilës është edhe i saji.

“Safo” është një lloj antologjie personale për secilën nga poetet. Ato mund të merren edhe si një dokument identifikimi prej nga lexuesi mund të njohë stilin dhe diskursin e tyre poetik. Këto libra, përveç poezive, përfshijnë edhe nga një parathënie të shkruar nga kritikë e studiues.

Kolana nis me librin “Dashnisë së nji nate” të Dabishecit.

“Donika Dabisheci është autore e familjarizuar me teoritë letrare dhe format poetike dhe do ta kishte më lehtë të vazhdonte të shkruante sipas rrymës. Mirëpo, ajo ka zgjedhur ta sprovojë veten duke ecur xhunglës së shpirtit dhe anës së errët (apo të ëndërrt) të artit, për ta sfiduar lexuesin që është mësuar të ecë shtigjeve të shkelura. Ëndrrat janë krijime të pastra estetike, pa fije etike brenda?”, ka shkruar studiuesi Ag Apolloni, themelues dhe udhëheqës i “Bard Books”.

Një tjetër poete e përfaqësuar në këtë kolanë është edhe profesoresha e Universitetit të Prishtinës, Dije Demiri- Frangu. Dija ndryshe njihet edhe si poete dhe ligjëruese e letërsisë për fëmijë, por që në “Safo” vjen me përmbledhjen “Gabimi i shqisave”.

Edhe “Grue prej zjermi” në rrëfimin e sinqertë ku rilind pasioni Kulturë “Grue prej zjermi” në rrëfimin e sinqertë ku rilind pasioni

Dije Demiri-Frangu, e cila në kolanë vjen me “Gabimi i shqisave”, ka thënë se pos promovimit të poeteve, kolana e ka bërë të kuptojë se letërsia shqipe është homogjene në kuptimin e temave dhe gjuhës së shkruar. “Poezia jonë shkruhet me strategji të ndryshme gjuhësore, me qasje të ndryshme, krijohen prej materialeve jopoetike, por bëhen poetike dhe e bukura e kësaj kolane është që tregon se secila prej nesh ka një forcë tjetër poetike brenda vetes”, ka thënë Demiri-Frangu.

Për librin e Brovinës, “Verma emrin tim” botuar së pari më 1973 e që tash vjen si “Bima ime e kuqe”, në parathënie, Emin Emini ka shkruar se është një përmbledhje e poezive të Brovinës, të shtrira në hark kohor prej më se një gjysmë shekulli. “Ajo që bie në sy menjëherë, pas leximit të poezive, është fakti se pavarësisht periudhës krijuese të tyre, të gjitha, gati pa përjashtim, si ato të fillimit të krijimtarisë së saj, si ato që janë shkruar në periudhat e më vona, a këto që kanë marrë jetë tash së fundi, shënojnë një realizim cilësor artistik e estetik”, ka shkruar Emini.

“Safo” ndër të tjera vjen edhe me “Vjeshta është grua” të Ilire Zajmit, “Mbrojtja e Hekubës” të Lindita Ahmetit, “Po të due unë” të Arjola Zadrimës, “Zoti më dashuron mua” të Sibel Halimit dhe “Ama ni lak” të Manjola Brahajt. Sipas botuesit, kolana i jep shpresë dhe e vë në dukje poezinë e gruas shqiptare jo vetëm si poezi e shkruar nga një grua, por si poezi të cilat dëshmojnë për një diskurs të pasur, larushi figurative, eksperimente të guximshme estetike, si dhe një shpirt luftarak e plot ndjenja. Kolana do të vazhdojë të zgjerohet, duke shpalosur profile të ndryshme të poeteve shqiptare.