Kulturë

“Republika” e lirisë së krijimtarisë me letërsi shqipe e ndërkombëtare

“Republika” e lirisë së krijimtarisë me letërsi shqipe e ndërkombëtare

Dialogu poetik midis shkrimtarëve Primo Shllaku dhe Rita Petro e ka çuar jo veç poezinë, por krijimtarinë letrare në përgjithësi, në tjetër dimension. Është bashkëbiseduar për epitetin poet e për censurën dhe autocensurën

Në qendrën “BogdaniPolis” në Prishtinë, publiku e krijuesit letrar janë takuar me vargje të bukura në një hapësirë ku fjala kthehet në monument dhe merr rolin e arkivit emocional të kombit. Pikërisht në vendin i cili e ka ndërtuar identitetin e vet mbi rezistencën, kujtesën e shpresën poezia ka qenë edhe dëshmi, protestë, lutje e premtim. Vazhdon të jetë edhe sot dhe rikujtimi është festivali “Republika”

“Republika” është fiks një dekadë më e re se Republika e Kosovës. I themeluar në vitin 2018 si nevojë për ta pasuruar festën kombëtare nëpërmjet letërsisë, festivali ndërkombëtar i poezisë “Republika” vjen si e kremte nëpërmjet vargjeve, poezisë, fjalës së liri. Vetë festivali ka emër kaq simbolik. Në hapje, të dielën mbrëma, është çmuar liria e të shkruarit ndërsa kanë jehuar vargjet e poezisë shqipe në dialog me atë ndërkombëtare. 

Në qendrën “BogdaniPolis” në Prishtinë, publiku e krijuesit letrarë janë takuar me vargje të bukura në një hapësirë ku fjala kthehet në monument dhe merr rolin e arkivit emocional të kombit. Pikërisht në vendin i cili e ka ndërtuar identitetin e vet mbi rezistencën, kujtesën e shpresën poezia ka qenë edhe dëshmi, protestë, lutje e premtim. Vazhdon të jetë edhe sot dhe rikujtimi është festivali “Republika”. 
Performanca e baletit “Kështu ikin gratë” ka qenë introja e natës së parë të festivalit. Balerinët Leonora Rexhepi dhe Muhamet Bikliqi, me koreografinë prej Vjollca Llugiqit kanë sjellë dialogun e rrëfimit të bukur të një çifti, por i shoqëruar edhe me përplasje. Nën poezinë e Vlora Ademit me të njëjtin titull si performanca, lulëzon një grua që shpëton nga lidhja që e mban peng. 

Edicioni i tetë që po zhvillohet më 15, 16 dhe 17 shkurt, bashkon artin e fjalës në një ngjarje. Pas kësaj pike, në fjalën hapëse, drejtoresha e festivalit, poetja Vlora Ademi, ka uruar që “Republika e Kosovës t’i përngjajë kësaj ‘Republike’”. 

E për KOHËN ka thënë se ideja është që nëpërmjet poezisë të festohet përvjetori i Pavarësisë.

“Festivali ‘Republika’ ka filluar me rastin e dhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në një kohë kur kanë munguar aktivitetet kulturore letrare në shënim të kësaj ngjarje. Kjo ka qenë arsyeja fillestare. Patëm filluar me dhjetë poetë. Ideja ka qenë që për çdo vit t’i shtohet nga një poet. Megjithatë, kur erdhëm tek 17-vjetori vitin e kaluar, e pamë që shumë shpejt po mbushet numri me poetë dhe si simbolikë vendosëm që prapë t’i lëmë 17 poetë për çdo vit”, ka thënë ajo. 

Ka theksuar se sivjet poetët specialë janë shkrimtarja siriane, Maram Al Masri dhe ajo italiane Lucilla Trapazzo. Ndërsa sivjet homazh i bëhet poetit të ndjerë Jamarbër Marko. 

“Poeti ynë i 17-të vendosëm që sivjet të jetë Jamarbër Marko, një homazh për të sepse siç dihet ai nuk jeton më. Këtë vit  e kemi me një kolazh, me video-poezi të cilën e ka përgatitur një regjisore e Shqipërisë”, ka vazhduar poetja Ademi. 

Vitin e kaluar aktiviteti i festivalit qe zhvilluar në kinemanë “Armata”. Sivjet i është dashur të zhvendoset në qendrën “BogdaniPolis” në ambientet e katedrales “Nënë Tereza” pasi sipas Ademit aty ku kanë synuar ta zhvillojnë aktivitetin nuk i kanë lejuar – në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. 

“Ka pasur disa probleme teknike me përzgjedhjen e hapësirave sepse ka dy vjet që na ndalohet të realizohet si një platformë shumë serioze si festival në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Por, me mirëkuptimin e udhëheqësve të Katedrales, sonte veçse u hap”, është shprehur ajo. 

Leximi i poezive ka qenë kapitulli tjetër dhe shtylla qendrore e festivalit. Nida Elezi ka shoqëruar me piano leximin e poezive nga aktori Xhevdet Doda, i cili i ka paraprirë me nga një poezi secilit poet që është ngjitur për të interpretuar një poezi të tyre. 

Doda e ka nisur me “Baladë për malin e thatë” nga Agim Vinca. E ky i fundit ka ndarë rrëfimin e tij poetik nëpërmjet poezisë “Udhëtimi i fundit i motrës sime”. "Është poezi pak më e përshpirtshme. Është përkthyer edhe në gjuhë të tjera si në frëngjisht, italisht dhe në gjuhë të tjera”, ka thënë Vinca për poezinë e vitit 1993. Ajo flet për udhëtimin e fundit të motrës së tij për shërim në Gjermani. 
Poezitë e tyre i kanë lexuar edhe shkrimtarja siriane, Maram Al Masri, e ajo italiane Lucilla Trapazzo në gjuhët e tyre amtare. Po ashtu, edhe Gilmana Bushati, Entela Tabaku e Shqiptar Oseku. Poezia e Jozef Radit ka qenë tejet emocionuese. 

“Si Kosova që ka jetuar në një regjim despotik, edhe ne shqiptarët kemi jetuar në një regjim despotik prej tonëve. Jemi në një lloj barazie të keqe dhe vetëm letërsia, arti mund të na drejtojë kah e ardhmja me një ndjesi pozitive”, është shprehur në skenë poeti nga Elbasani. 

Dialogu poetik midis shkrimtarëve Primo Shllaku dhe Rita Petro e ka çuar jo veç poezinë, por krijimtarinë letrare në përgjithësi, në tjetër dimension. Është bashkëbiseduar për epitetin poet e për censurën dhe autocensurën. 

Shkrimtari e përkthyesi Primo Shllaku ka thënë se shpesh abuzohet me fjalën “poet”. Sipas tij, ky epitet fitohet pasi ai vdes ai që shkruan poezi. 

“E kam përjetuar një krizë në media. Derisa u zemërova ky problem nuk u zgjidh sepse nuk ka tolerancë në televizionet tona. Unë jam shumë i kënaqur nëse dikush më thotë shkrimtar. Fjala ‘poet’ është shumë e madhe dhe njerëzit e përdorin si fjalë për zanat por nuk është. Është një titull shumë i madh, shumë prestigjioz dhe më duket se neve na duhet te vdesim që të na takojë. Duhet të na thuhet pasi të mos jemi gjallë. Meqë unë kam dëshirë të qëndroj këtej, ju lutem mos ma thuan”, ka vlerësuar Shllaku. 

Ka thënë se në botën e artit ka vend për të gjithë. Se të gjithë duhet të marrin vëmendjen e publikut dhe të botës së poezisë, letërsisë e arteve. Se sipas tij, nuk do të thotë se je më i miri nëse je më i gjati. 

“Kam arritur në një përfundim që për cilësimin e shkrimtarëve, poetëve, artistëve është shembulli i pyllit ku jetojnë në paqe bashkërisht edhe luleshtrydhet, edhe dëllinjat, por edhe mështeknat, ahet. Secila prej tyre ka rëndësinë e vet. Nuk mund të jesh më i madhi në pyll. Mund të jesh më i larti, më i gjati, por nuk je më i miri sepse ne kur shkojmë në pyll vrapojmë pas mjedrave, luleshtrydheve, jo tek pisha të cilën nuk mund ta shijojmë. Ne kemi vuajtur shumë në realizmin socialist”, është shprehur Shllaku në dialogun me Rita Petron. 

Shkrimtarja ka kujtuar censurën ndaj krijuesve letrarë në kohën e realizmit socialist në Shqipëri. 

“Në Shqipëri ka qenë censura ndaj letërsisë moderne. Në Universitet ne duhej t’i quanim dekadent të gjithë shkrimtarët modernë, të gjithë autorët, edhe këngëtarët e rockut të cilët i dëgjonim fshehtas në festa. Dëgjonim muzikë moderne duke i mbyllur dyert e mbuluar dritaret me batanije. Kjo ishte koha jonë e censurës. Përtej kufirit tonë, shqiptarët këtej kanë pasur censurën për çështje nacionale. Por nuk është se ka qenë i ndaluar modernizmi ose që të studioheshin shkrimtarët modernë”, është shprehur ajo duke përshkruar dallimet e krijuesve të Shqipërisë me ata të Kosovës, të cilët, siç ka thënë, edhe pse në rrethana okupimi, kishin zhvilluar krijimtarinë e studimet letrare. 

“Pas viteve ’90 kur unë takohesha me studiues dhe gjuhëtarë të Kosovës, kur lexova edhe poezitë e tyre, e kishin shumë të mprehtë metaforën, ishin shumë më përpara se poetët tanë që ishin brenda disa skemave, por edhe kritikët, sepse ishte i detyruar që të studionte edhe sikur për një shkrimtar si Kadare. Sot ndryshe e studion ‘Gjeneralin e ushtrisë së vdekur’ sepse atëherë studioje mbi bazën e parimit socialist. Pra kemi pasur dy kahe të ndryshme, mua më vjen mirë që tash po fshihen kufijtë”, ka thënë Petro më tej.

Krejt në fund interpretim poetik kanë sjellë Vviviane Ciampi dhe Lucilla Trapazzo. 

Festivali ndërkombëtar i poezisë “Republika” vazhdon programin edhe të hënën dhe të martën kur përmbyll edicionin e tetë.