Arbëri

Abdixhiku: Projektbuxheti bëhet jokushtetues kur injoron kryeqytetin

Lumir Abdixhiku

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar projektbuxhetin për vitin 2026, duke thënë se ai nuk reflekton strukturën e re qeveritare, zotimet e dhëna dhe, mbi të gjitha, nuk merr parasysh buxhetin e miratuar të Prishtinës.

Në seancën e Kuvendit, ai paralajmëroi se një qasje e tillë e bën dokumentin jokushtetues dhe mund të ndikojë në qëndrimin politik të LDK-së në raport me shumicën parlamentare.

“Të reflektojë strukturën e kabinetit qeveritar, pra të ministrive, që katër ministri të reja të kenë edhe buxhetin e tyre dhe ky buxhet të ndahet jo nga ministri i Financave ministrive të tjera, por nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. E dyta, buxheti të reflektojë ekspozenë që e prezantoi Kurti ditën e formimit të Qeverisë, në mënyrë që ato zotime të dhëna të mos jenë vetëm fjalë, por të kenë kuptim të vërtetë. Në këtë drejtim, një ekspoze pa buxhet mbetet vetëm një platformë fjalësh të thata, që, duket jo befasueshëm, do të jetë seriozisht rasti këtu”, tha Abdixhiku, raportoi EO.

Sipas tij, buxheti duhet të respektojë edhe parimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë, duke përfshirë vendimmarrjen e kryeqytetit për buxhetin e vet.

“Ky buxhet i Kosovës nuk e merr parasysh buxhetin e kryeqytetit të vet. Është jo vetëm e habitshme, por jashtëzakonisht e rëndë që Kuvendit t’i sillet një dokument që nuk e respekton vendimmarrjen autonome të kryeqytetit të vet. Dhe, së këndejmi, menjëherë bëhet jokushtetues. Sa për rikujtim, Prishtina, kryeqyteti ynë, e ka miratuar buxhetin e saj më 6 shkurt të vitit 2026. Buxheti i Kosovës është sjellë në Kuvendin e Kosovës për herë të parë më 13 shkurt 2026. Mos i ngatërroni gjërat me legjislaturën e kaluar; kjo është legjislaturë e re e Republikës së Kosovës. Nuk ka asnjë arsye, as ligjore, as logjike, as kushtetuese, që një buxhet nacional të mos marrë parasysh vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës. Sikurse jemi mbledhur ne këtu në Kuvend për të vendosur mbi diçka, edhe asambleja lokale e kryeqytetit ka shprehur vullnetin e popullit të Prishtinës për ndarjet e buxhetit të vet. Pra, ka vendosur për buxhetin e vet”, theksoi ai.

Abdixhiku paralajmëroi pasoja politike nëse, sipas tij, i mohohet e drejta kushtetuese e kryeqytetit dhe e opozitës.

“Nëse LDK-së i mohohet nga ky Kuvend një e drejtë Kushtetuese vetëm nga vullneti i numrave shumicë, atëherë edhe LDK-ja do të ridefinojë pozicionin e saj në relacion me çështjet që kërkojnë edhe numrat tonë në këtë Kuvend”, ka shtuar ai.


Bajrami: Qeveria shpenzoi 240 milionë euro në dhjetor, janë korrupsion e kontrata njëburimore

Kritika për buxhetin ka adresuar edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Ajo duke u ndal tek shifrat e investimeve kapitale duke thënë se shpenzimet në këtë fushë janë rritur në dhjetor në kohën e fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Vetëm në muaj dhjetor Qeveria ka arritur të shpenzojë plot 240 milionë. Këto janë kontrata njëburimore, janë korrupsion. E vetmja që ka pasur rritje janë kontratat njëburimore”, ka thënë ajo.

Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami (Foto: Driton Paçarada)
Lexo përditësimet tjera
Kuvend-Buxheti

Kuvendi shqyrton buxhetin për vitin 2026

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur për të shqyrtuar buxhetin 4-miliardësh për vitin 2026. Projeksionet...