Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Opozita: Refuzimi i amendamenteve opozitare, refuzim i interesit publik

LDK - buxheti

Foto: Driton Paçarada

Përfaqësues të opozitës u shprehën të pakënaqur që amendamentet e propozuara të tyre nuk u përfshinë në buxhetin e 2026-s, që u miratua të premten. Ata thanë se refuzimi i tyre përbën refuzim të interesit publik

Miratimi në Kuvend i buxhetit të 2026-s veç me votë të shumicës parlamentare dhe pa i përfshirë amendamentet e propozuara nga opozita u përcoll me reagime nga partitë opozitare.

Pas seancës të së premtes, kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, në një postim në rrjete sociale, vlerësoi se me refuzimin e 21 amendamenteve të LDK-së, u refuzua edhe interesi publik.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ky nuk ishte refuzim teknik. Ishte refuzim politik i vizionit, i zhvillimit dhe i përgjegjësisë shtetërore. Dhe për këtë ndiejmë vetëm keqardhje. Keqardhje që fëmijëve u mohohet mësimi tërëditor si çdo fëmije tjetër në Evropë. Keqardhje që pacientëve u mohohet shërbimi dinjitoz e modern me shekullin e sotëm. Keqardhje që kryeqytetit i mohohet zhvillimi; i mbahen kaosi e ngufatja”, shkroi ai.

Edhe para seancës, përfaqësues të opozitës shprehën pakënaqësi që amendamentet e tyre u refuzuan një ditë më parë në Komisionin për Buxhet.

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, shprehu indinjatë që përveç përfshirjes së buxhetit të Komunës së Prishtinës, asnjë nga amendamentet e tjera të partisë nuk morën aprovim.

“Po i veçoj këtu dy nga to: Unaza e jashtme e kryeqytetit, një projekt tjetër i rëndësishëm për cilësinë e jetës së qytetarëve të Prishtinës dhe qindra mijëra qytetarëve të Kosovës që hyjnë e dalin çdo ditë në Komunën e Prishtinës. Një projekt i cili me vite të tëra ishte bllokuar nga qeveria qendrore duke mos e aprovuar për të vazhduar tutje, por fatmirësisht e çuditërisht e pamë ose e dëgjuam të cekur nga vetë kryeministri në rezymenë e tij kur paraqiti qeverinë e re, por çuditërisht nuk e shohim të pasqyruar në buxhetin që kanë sjellë për miratim në Kuvend. Njëkohësisht edhe ndërtimi i spitalit të kryeqytetit”, tha Mustafa.

E deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se amendamentet e propozuara nga partia që ajo e përfaqëson kanë synim sigurimin e shërbimeve më të mira për qytetarë.

“Ne nuk kemi arritur që për këto amendamente të rëndësishme të marrim mbështetjen e partisë, e cila udhëheq me vendin dhe si i tillë, ky buxhet do të jetë i mangët, do të jetë buxhet që nuk përfaqëson barazinë dhe natyrisht ka probleme përmbajtjesore, strukturore dhe si i tillë nuk do ta ketë votën e Partisë Demokratike të Kosovës”, deklaroi Deliu.

Me gjithë kundërshtimet nga opozita, partia në pushtet të premten e miratoi buxhetin 4 miliardë eurosh, me 62 vota për.