Me ritmin e tij të punës, ka vendosur që të mos heqë dorë nga tradita familjare. Hilmi Bunjaku i takon gjeneratës së tretë që e vazhdon zanatin. Puna e përditshme e tij brenda dyqanit prej druri, është përtej përditshmërisë. Është ruajtje e trashëgimisë materiale, e kujtimet janë trashëgimi shpirtërore
Kur bie qetësia, dëgjohet paksa zhurma e makinës së qepjes së Hilmi Bunjakut, në qendër të Çarshisë së Madhe në Gjakovë. Bunjaku s’ia heq sytë punës. Zallahia që krijohet nga kafenetë jashtë nuk i bën përshtypje, por i mungojnë kolegët që dikur punonin afër tij. Ai me ritmin e tij të punës, ka vendosur që të mos heqë dorë nga tradita familjare. I takon gjeneratës së tretë që e vazhdon zanatin. Puna e përditshme e tij brenda dyqanit prej druri, është e prezantuar në uniformat shumëngjyrëshe që janë të varura jashtë dhe në vitrina dyqanit. Dominojnë uniformat e bardha të cilat i punon për punonjësit shëndetësorë. Përmes qepjes përpiqet që t’i bëjë që kushdo që i vesh veshjet e punuara prej tij të ndihet rehat. Puna e tij e mbështetur në zanatin e të parëve përthekon gati shtatë dekada pranë makinës së qepjes. Për këtë thotë se nuk kishte rrugë tjetër. Puna e tij në të kaluarën lidhet me punën e përbashkët me babanë e vëllezërit, por thotë se këtë zanat nuk ia kanë trashëguar edhe djemtë që ushtrojnë profesione të tjera.
“Gjyshi e ka pasur këtë zanat, atëherë kanë qepur tezëllëk që janë jelek për femra për hasjanet. Të gjitha janë punuar me dorë dhe më pas kemi filluar të punojmë pantallona të zhgunit, material i cili është shumë i zorshëm të punohet me të. Më pas kemi kaluar në shajak dhe vazhdimisht kemi bërë ndryshime sipas kohës”, ka shpjeguar artizani 77-vjeçar.

Në dyqanin ku punon tash është që prej vitit 1973, porse me këtë zanat është marrë qysh kur ishte fëmijë. Dyqani, si krejt Çarshia e Madhe, iu dogj më 1999. E ringriti pas luftës.
“Këtu kanë qenë disa njerëz që i shpërndanin rrogat në mënyrë ilegale dhe njëri prej tyre që ka qëlluar këtu kur e takova pas dy javëve më tha: ‘Qëllova këtu kur u kall Çarshia, kur u kall dugoja jote, flakë ma të madhe nuk ka pasur këtu’. Sepse ka qenë i gjithi pishë. Kjo, pasi që e kam zgjedhur llojin e drurit sipas projektit të arkitektit”, ka thënë Bunjaku.
Ai kujton se dikur në dyqan familjarët e tij punonin me një orar të kushtëzuar të punës, por që nga dëshira e madhe për të mos u shkëputur prej saj ishin në kërkim të mënyrave për të mos e ndalur punën. Rregulli që duhej respektuar atëherë ishte që dyqanet të hapen në orën 08:00 dhe të punojnë deri në orën 12:00 dhe të mbylleshin deri në orën 16:00 kur puna në dyqan duhej të vazhdohej deri në orën 19:00.
“Atëherë babai me axhën punonin bashkë. Ne nuk e ndërprisnim punën, por i lëshonim perdet në dyqan dhe ne ruanim jashtë kur vinte polici. Ishte vetëm një. Kur e shihnim nga larg, shkonim dhe trokitnim në mur dhe ata fshiheshin dhe kur shkonte polici, ne trokitnim përsëri që të vazhdonin punën”, ka rrëfyer artizani nga Gjakova.
Bunjaku thotë se dikur Çarshia dominohej nga zanatlinjtë. Për mjeshtrin, i cili tash dyqanin e hap më herët se në të kaluarën, rrugës derisa mbërrin deri te dyqani e tij e kaplon trishtimi se si dyqanet e dikurshme ku punoheshin zeje të ndryshme tashmë janë shndërruar në kafene.
“Tash nuk po çelet Çarshia herët. As zejet që kanë qenë nuk janë më këtu. Kanë bërë gabim të madh, sepse kjo ka qenë Çarshia më e vyeshme dhe kryesorja që na ka lidhur me Shqipërinë. Këtu kanë qenë të gjitha zejet. Shumë keq që u bënë të gjithë kafiqa”, ka thënë Hilmi Bunjaku.
Ai veçohet për pedanterinë e tij në punë derisa ndërvepron mes dy makinave të qepjes. Dikur pjesë e koleksionit të tij të punëdoreve ishin edhe veshjet tradicionale. Tash, punon kryesisht uniforma profesionesh të ndryshme. Thotë se i ndodh që brenda ditës t’i punojë deri në 20 uniforma.
“Kur vjen puna për t’i hekurosur, motrat kishin dëshirë që ta merrnin punën time, sepse kur i merr për t’i palosur pantallonat palosen vetë”, ka theksuar ai.
Artizanit mosha nuk ia ka zbehur dëshirën për punë, por ia ka shtuar brengën se nuk ka kush ia trashëgon zanatin që atë, babanë dhe gjyshin e tij nuk e la pa bukë e pa shtëpi.
“Nga e gjithë familja mbeta i fundit. Si ta lë edhe unë është gjynah shumë i madh. Deri të më rrahë damari i fundit i gishtit nuk do t’i lëshoj gërshërët prej dore, sepse nuk kam rrugë tjetër. Me këtë zanat jemi bërë me shtëpia të gjithë. Çdokush që e bën zanatin me dëshirë nuk di të lodhet”, ka thënë bindshëm ai.