Shtojca për Kulturë

Hija e gjaqeve të falura mbulon teatrin në vajin e duarve të pajtimit

Hija e gjaqeve të falura mbulon teatrin në vajin e duarve të pajtimit

Në Kosovë, ndarjet mes fshatrave, familjeve e komuniteteve qenë krijuar nga gjaku i zënë; në Afrikën e Jugut, kujtimet e aparteidit ende thërrasin emra që nuk i janë kthyer më shtëpisë së vet (Foto: Majlinda Hoxha)

“Nën hijen e një peme u ula dhe qava”, me tekst të Jeton Nezirajt dhe nën regji të Blerta Nezirajt, e bën skenën urë mes dy kontinenteve, kujtesa flet në tri gjuhë e dhimbja ka të njëjtin tingull. Nën dritën e zbehtë, dy figura simbolike, Anton Çetta dhe Desmond Tutu, “janë ringjallur” për të treguar se falja, ndonëse ndodh brenda njerëzores, e tejkalon atë. Nuk është akt që ndodh një herë e mbaron, por proces që kërkon guxim, e vetëdije të lartë kolektive. Në këtë shfaqje, falja nuk predikohet, por vihet në provë. Vjen në formë rrëfimesh, përplasjesh e shpesh edhe heshtjesh

Hije që shtrihet mbi dy vende me tetë mijë kilometra në mes. Nën atë hije, kujtesa nuk pushon së foluri. Pëshpërit për gjakun që është falur e dhimbjen që ende nuk është shuar, për dorën që është zgjatur mbi plagë e për heshtjen që është bërë lutje. Ajo pemë, midis Kosovës dhe Afrikës së Jugut, bart dy rrëfime që ndajnë tri dekada e krah për krah nisen drejt një pike të përbashkët: faljes. Shfaqja “Nën hijen e një peme u ula dhe qava”, me tekst të Jeton Nezirajt dhe nën regji të Blerta Nezirajt, ka sjellë në të njëjtën skenë figurën e Anton Çettës dhe Desmond Tutus, për ta vendosur në një dialog të përbashkët atë që historia e ka mbajtur të ndarë.

Të premten mbrëma, si prodhim i “Qendrës Multimedia” dhe “The Market Theatre” të Johanesburgut, bashkë me plot bashkëpunëtorë të tjerë, shfaqja është dhënë premierë në Teatrin e Gjilanit, ku skena është bërë urë mes dy kontinenteve, kujtesa ka folur në tri gjuhë e dhimbja ka pasur të njëjtin tingull. Nën dritën e zbehtë, dy figura simbolike, Çetta dhe Tutu, “janë ringjallur” për të treguar se falja, ndonëse ndodh brenda njerëzores, e tejkalon atë. Nuk është akt që ndodh një herë e mbaron, por proces që kërkon guxim, e vetëdije të lartë kolektive. Në këtë shfaqje, falja nuk predikohet, por vihet në provë. Vjen në formë rrëfimesh, përplasjesh e shpesh edhe heshtjesh.

Jugafrikanët i nisin rrëfimet para amfiteatrit të stërmbushur. Dialogët mes tyre jehojnë në sallë, kapin vëmendjen e të pranishmëve dhe pastaj zhduken diku në prapavijë. Ajo jehonë i shoqëron rrëfimet e shqiptarëve. Një tyl i zi ndan horizontalisht skenën në dy pjesë. Para tij, janë personazhet që komunikojnë drejtpërdrejt me audiencën; pas tij, janë të atillët që kthehen drejt së djathtës së tyre, i rrëfejnë një audience tjetër, pamjet e të cilëve trupëzohen si mjegull mbi tylin e zi. Janë rrëfime dhimbjeje, të sjella përmes kujtesës së personave që kanë përjetuar vrasjen e borxhin ndaj gjakut.

Rrëfimet që rrjedhin përmes zërave të ngjirur e zbërthejnë kohën e tri dekadave më parë, në dy anë të botës që s’e njihnin njëra-tjetrën, por që kishin të njëjtën plagë. Në Kosovë, ndarjet mes fshatrave, familjeve e komuniteteve qenë krijuar nga gjaku i zënë; në Afrikën e Jugut, kujtimet e aparteidit ende thërrasin emra që nuk i janë kthyer më shtëpisë së vet. Në skenë, këto rrëfime nuk konkurrojnë për dhimbje, por për kujtim. Ato krijojnë një vijë paralele ku falja bëhet mjeti i vetëm për të ndalur trashëgiminë e urrejtjes. Çdo zë që ngrihet në njërën anë të tylit gjen jehonë në tjetrën, si të ishin pjesë e një të kaluare të përbashkët që kërkon të kuptohet përmes artit.

Në skenë, këto rrëfime nuk konkurrojnë për dhimbje, por për kujtim. Ato krijojnë një vijë paralele ku falja bëhet mjeti i vetëm për të ndalur trashëgiminë e urrejtjes (Foto: Majlinda Hoxha)

Pikënisja e këtij projekti ka ndodhur gjatë një takimi në qytetin jugafrikan të Johanesburgut. Ngritja e paraleleve mes dy iniciativave për pajtimin ka bërë që të vijë në jetë një projekt i tillë. Dramaturgu i shfaqjes, i cili është nga Afrika e Jugut, Greg Homann, ka treguar se vitin e ardhshëm shënohet 30-vjetori i fillimit të punës së Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit, e prej aty ka lindur edhe ideja e projektit.

“Jetonin e kam takuar vitin e kaluar në Johanesburg, kur kishte ardhur për një konferencë dhe ka thënë se po mendonte për një projekt mbi gjakmarrjen në Kosovë dhe se e njihte Komisionin e së Vërtetës dhe Pajtimit, i cili është një proces që ka ndodhur përafërsisht në të njëjtën kohë me gjakmarrjen dhe pajtimin e gjaqeve. Ishim të interesuar menjëherë sepse vitin e ardhshëm është 30-vjetori i fillimit të Komisionit. Krijuam një marrëdhënie menjëherë dhe prej atëherë, projekti është rritur, bëra një vizitë në mars të këtij viti në Kosovë, ku e krijuam grupin dhe morëm aktorët që kanë qëndruar këtu për dy muaj, proces ky që na ka sjellë këtu sonte”, ka thënë ai për KOHËN. Dramaturgu është njëherësh drejtor i “Market Theatre” të Johanesburgut.

Shfaqja në vetvete ngërthen një shfaqje të shkurtër, e krejt shfaqja është procesi i provave për përgatitjen e saj. Me të përfunduar rrëfimet e para, aktorëve u bëhet thirrje për t’i ngrënë picat e ngrohta dhe diskutimet marrin ngjyrim të zakonshëm. Bisedat që kryesisht janë në anglisht, janë të transkriptuara edhe sipër skenës, bashkë me përkthimin e tyre në shqip. Sërish fillojnë rrëfimet e personazheve, tani në një ambient tjetër. Inskenohen bisedat reale të kohës së para tri dekadave. Janë prej atyre që ndërmjetësuesit u flasin familjeve të të vrarëve. U kërkohet ta falin gjakun e të bijve. Përshkruhen llojet e gjaqeve sipas kanunit, se si një grua e vrarë është një gjysmë gjaku. Përshkruhet procesi i ngujimit në kulla, besa e dhënë nga gjakësi për periudha të ndryshme, e paraparë me formën supreme të ligjit të asaj kohe në Malësi: kanunit.

Volumi i zërit të të rrëfyerit zbehet. Heshtja e mbush sallën. Titrat pushojnë së dhëni. Dritat shuhen e nisin pëshpërimat në publik. Është ndalur rryma. Pritej. E njëjta avari kishte pësuar edhe para se të nisë shfaqja. Por nuk kanë kaluar pak çaste dhe u rikthye gjallëria. Inskenimi vazhdon dhe udhëpërshkrimi rrjedh drejt të treguarit të dhimbjes për ta falur gjakun. Dramaturgu Homann ka treguar sfidat e krijimit të shfaqjes. Sipas tij, tematika është globale.

“Ishte mjaft e vështirë ta bëjmë një shfaqje të tillë. Së pari, ke të bësh jo vetëm me një, por me dy momente të mëdha kombëtare, andaj ke përpara një histori të stërmadhe nga të dyja shtetet, të cilën duhet ta zaptosh. Janë zërat e shumë njerëzve. Dhe nuk është veç momenti i para 30 vjetëve që jemi munduar ta kapim, por edhe momenti bashkëkohor. Ajo që ka ndodhur atëherë, na tregon se ku jemi, jo veç në Kosovë e Afrikë të Jugut, por ku jemi globalisht, si e mendojmë të vërtetën, faljen, e në veçanti pajtimin në kohët tona moderne”, ka shtuar dramaturgu.

Nëpërmjet arkivave dhe dëshmive të reja duke kombinuar një grup artistësh nga Evropa dhe Afrika, producentët kanë reflektuar mbi mësimet që Fushata e Pajtimit të Gjakmarrjeve në Kosovë dhe Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit në Afrikën e Jugut ofrojnë sot. Shfaqja ka bashkuar aktorë eminentë shqiptarë si Ema Andrea, Ilire Vinca dhe Arben Bajraktaraj, me ata të Afrikës së Jugut, Kensiwe Tshabalala, Les Made dhe Gontse Ntshegang. Bongile Gorata Lecoge-Zulu ka qenë kompozitore e shfaqjes, e po ashtu ka pasur rol brenda shfaqjes, duke kënduar në gjuhën zulu dhe shpeshherë duke ndërhyrë në skena që supozoheshin të tregonin procesin e provave.

Rrëfimet që rrjedhin përmes zërave të ngjirur e zbërthejnë kohën e tri dekadave më parë, në dy anë të botës që s’e njihnin njëra-tjetrën, por që kishin të njëjtën plagë (Foto: Majlinda Hoxha)  

Aktori Bajraktaraj e ka konsideruar shfaqjen si një nga më të ndjeshmet që ka pasur në teatër ndonjëherë. Arsyeja për këtë, ka thënë se është shumë e thjeshtë.

“Në kohën e fillimit të pajtimit të gjaqeve kam qenë 16-vjeçar dhe kam qenë prezent te Verrat e Llukës. Ka qenë një gjë shumë e veçantë, përveç të qenit prezent, farefisi e të afërm kanë pasë falur ngatërresa, por edhe gjaqet në katund mbahen në mend, ka qenë jashtëzakonisht prekëse kur i kam parë rastet që i njihja rrethanat e vrasjeve. Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë në botë që me u çu familja e të vrarit e me ia zgjatë dorën familjes së vrasësit, ka qenë jashtëzakonisht tronditëse”, ka treguar nga e kaluara e tij Bajraktaraj. Sipas tij, qëllimi ka qenë që të tregohen përmes rrëfimeve iniciativat që në dy vende të ndryshme për synim kishin një të ardhme më të sigurt.

“Ishte jashtëzakonisht proces interesant me i qitë në paralele dy procese të pajtimit jo të njëjta, jo me histori të njëjtë, por që kanë pasur qëllimin e krijimit të një të ardhme më të sigurt, nuk e di a ia ka arritur qëllimit sa i përket Kosovës”, ka shtuar aktori Arben Bajraktaraj.

Rolet nuk janë të përcaktuara brenda shfaqjes. Shpesh ngjan që historitë e shqiptarëve i rrëfejnë aktorët jugafrikanë dhe anasjelltas. Veshur me fustane të thurura me qese mavi të plastikës, që gjatë gjithë shfaqjes janë simbole të dhunës, skenat i paraprijnë asaj finale. Lajmërohet publiku për versionin final të shfaqjes së inskenuar brenda shfaqjes.

Tymnaja fillon dhe në skenë dalin dy personazhe, në bluzat e të cilëve janë të shtypur emrat e ndërmjetësve për pajtim të para 30 vjetëve. Arben Bajraktaraj ka të veshur bluzën me emrin e Desmond Tutus, ndërkaq aktori Les Made mban atë me emrin e Anton Çettës. Ata përballen njëri me tjetrin, japin kritika për proceset e tyre, të cilat shpesh hezitojnë t’i tregojnë. Karriget e njëpasnjëshme bëhen toka nën këmbët e tyre të zbathura. I japin dorën njëri-tjetrit. Ngatërrimet e duarve i japin publikut arsye për të qeshur, teksa në prapavijë ngrihet një balonë në formë pëllumbi, si për ta vulosur paqen në mes të frymës ngatërrestare.

Bashkëpunimi i “Qendrës Multimedia” me “Market Theatre” të Johanesburgut ka dhënë frytet e kësaj shfaqjeje, ku po ashtu kanë hise edhe “São Luiz Teatro” i Lisbonës, “Teatro Della Pergola” në Firence, Teatri i Dortmundit, “Black Box Teater” i Oslos, festivali italian “Mittelfest”, “Théâtre de la Ville” nga Parisi, Teatri i Gjilanit, “Ruimtetijd” nga Amsterdami, “La MaMa” nga New Yorku dhe festivali “Sens Interdits Festival” në Lion, pas premierës në Gjilan e pret një rrugëtim i gjatë.

Aktori Les Made e ka konsideruar surreale dhënien e kësaj premiere, duke e shfaqur pasionin e tij për faljen.

“Duket e pabesueshme, surreale, që më në fund të mund ta japim këtë shfaqje. Kur isha në Johanesburg, mora pjesë në një audicion. Me njerëzit nga ‘Qendra Multimedia’, Jetonin dhe Blertën që ishin aty, kemi folur për pajtimin e për faljen, në kontekstin e së vërtetës dhe pajtimit në Afrikë të Jugut, se si shihej aparteidi në shtetin tonë, si dukej falja në vendin tonë. U përfshiva në këtë shfaqje, sepse isha pasionant për faljen dhe për idenë e së vërtetës dhe pajtimit, se a ka qenë e vërtetë apo jo, me shumë prej tyre jam marrë edhe personalisht”, ka thënë ai.

“Nën hijen e një peme u ula dhe qava”  pas premierës në Gjilan e pret një rrugëtim i gjatë (Foto: Majlinda Hoxha)

Publiku e ka përcjellë me vëmendje gjithë dramën.

Aktori Adrian Morina e ka cilësuar si një nga shfaqjet vizualisht më të bukura të regjisores, teksa edhe lojën e aktorëve e ka lavdëruar.

“Është një temë, e cila vërtet kërkon shumë kohë për reflektim, veçanërisht për popujt e këtij rajoni, Ballkanit, të cilët sigurisht kanë nevojë shumë për falje ose për pajtim. Falja fatkeqësisht gjithmonë bëhet prej atyre që janë më të dobët, por kjo është lartësia e një qytetari dhe akti më i lartë i qytetarisë, kur ti vërtet e merr guximin, forcën e kurajën për të parë e për të ecur përpara dhe me falë. Nëse flasim për aspektin vizual dhe kreativ, është prej shfaqjeve vizualisht më të bukura që i kam parë prej Blertës dhe më vjen shumë mirë për këtë nivel të shfaqjes, një lojë e mirë e aktorëve, gjuha tanimë nuk është problem, kur flitet në dy-tri gjuhë, çfarë e pamë sonte”, ka thënë ai.

Reprizat e shfaqjes do të jenë të shumta në vend, para se të dalë në nivel ndërkombëtar. Do të prezantohet në “Kosovo/North Macedonia Theatre Showcase” që mbahet prej 28 tetorit deri më 1 nëntor, si pjesë e turneut ballkanik. Në prill 2026, ajo do të niset në një turne evropian, në qershor 2026 në Afrikën e Jugut, dhe në mars 2027 do të shfaqet edhe në New York.