Arbëri

Rritet vonesa e policisë, pas thirrjeve për aksidente

Në raportet e Inspektoratit Policor janë identifikuar probleme të shumta në policinë e trafikut. Raporti më i fundit për stacionin në Prizren tregon se është ulur shpejtësia e reagimit në raste aksidentesh, e në një të mëparshëm theksohet se gjobat zbuten, duke ua shkruar ngasësve shpejtësinë më të ulët sesa ajo që evidentohet në radar

Policia nuk u është përgjigjur me veprime korrektimi vërejtjeve që i ka dhënë Inspektorati Policor (IPK) në raportet e mëhershme.

Në raportin më të ri të Inspektoratit, tregohet se Policia në Prizren ka ulur shpejtësinë e reagimit, pas thirrjeve për raste aksidentesh. Po kështu, theksohet se policët kanë vazhduar të shkruajnë raporte jo të plota në rastet kur ngasësve u janë konfiskuar patentë shoferët.

“IPK-ja i rekomandon shefit të Sektorit të Operativës që të sigurohet se dosjet e kundërvajtjeve të trafikut, të përcjella me konfiskim të patentë shoferëve, të jenë të plota dhe të përmbajnë edhe vërtetimet e konfiskimit, si dhe procesverbalet e ekzaminimit të prezencës së alkoolit, për rastet kur janë kryer testimet”, thuhet në rekomandimin e IPK-së për Policinë në Prizren.

Në Polici nuk treguan nëse janë ndërmarrë veprime korrektimi përkitazi me gjetjet e mëhershme të Inspektoratit, por thanë se bashkëpunon me këtë institucion për t’i përmbushur rekomandimet.

“Policia e Kosovës bashkëpunon me IPK-në në realizimin e inspektimeve dhe hartimin e planit të veprimit për përmbushje të rekomandimeve dhe afateve kohore për realizimin e tyre. Për njoftimin tuaj, këto rekomandime realizohen në baza ditore, mujore, vjetore e në vazhdimësi”, shkruhet në përgjigjen e Policisë.

E, në Inspektoratin Policor thanë se realizohen takime me eprorë të policisë dhe të Ministrisë së Brendshme, me qëllimin përkitazi me rekomandimet. Sipas këtij institucioni, disa rekomandime janë përmbushur deri tash e për disa të tjera nuk janë pranuar informacione kthyese nga Policia.

“Sa i përket inspektimeve të realizuara në fushën e trafikut, viteve të fundit kemi realizuar disa inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme, ku për disa prej tyre kemi informacion se ka përmbushje të rekomandimeve të dhëna, derisa për disa të tjera, të cilat janë realizuar së fundi, nuk kemi ndonjë informacion kthyes, meqë strukturës përkatëse policore i duhet kohë për t’i realizuar ato (kjo lidhet me inspektimin e kamerave të trupit dhe përdorimit të teknologjisë për matjen e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve)”, theksohet në përgjigjen e IPK-së.

Sipas këtij institucioni, përmbushja e një pjese të rekomandimeve ka kosto financiare.

“Sa i përket fushës së aksidenteve në trafik, IPK është në dijeni se pjesë e madhe e rekomandimeve të dhëna është përmbushur, por duke konsideruar se një pjesë e tyre marrin kohë për shkak të implikimeve financiare”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

E, vërejtje për mosrealizim të testit të alkoolit i është dhënë edhe paraprakisht policisë gjatë vitit, në një raport për aksidentet, mirëpo ajo është përsëritur edhe në raportin “Vlerësimi i Performancës së Stacionit Policor të Prizrenit”. Po në këtë raport tregohet se shpejtësia e reagimit në thirrjet që lidhen me komunikacionin dhe aksidentet në trafik është ulur në krahasim me vitin 2022.

Edhe në një raport të muajit shtator është theksuar se treguesit statistikorë mbi kohën e reagimit në pamje të përgjithshme nuk pasqyrojnë ndryshime krahasuar me matjet e para tre vjetëve, me disa ndryshime individuale te një numër stacionesh dhe drejtorish rajonale.

Aty i është kushtuar vëmendje edhe veriut të banuar kryesisht me serbë, e në të cilën pjesë, sipas IPK-së ka përmirësim.

“Situata e ndjeshme e sigurisë në pjesën veriore të vendit ka bërë që falë mobilizimit dhe përkushtimit të strukturës policore, të kemi një reagim më efektiv se më parë”, thuhet në raport.

Sivjet është publikuar edhe një raport tjetër nga Inspektorati, në të cilin evidentohet fakti se policët nuk mbledhin mjaftueshëm prova nga vendi ku ndodhen aksidentet, e edhe falin gjoba. Në të është thënë se policët e shkruajnë rrejshëm shpejtësinë e automjetit, me qëllimin për të mos shqiptuar gjoba të larta. Shkelje e këtillë është gjetur në të gjitha rajonet, me përjashtim të policisë së trafikut në Prishtinë.

“Gjatë krahasimit të të dhënave në gjoba dhe atyre të regjistruara në radar, janë hasur katër (4) natyra të mospërputhjeve, si: shpejtësia e lëvizjes së mjetit e përshkruar në gjobë, është më e ulët se ajo e regjistruar në radar (në 55 nga 84 mostra/gjoba); shpejtësia e kufizuar në radar ndryshon nga ajo e regjistruar në gjobë (në 23 nga 84 mostra/gjoba); lloji i shkeljes në gjobë ndryshon nga ajo e matur me radar (në 3 nga 84 mostra); shqiptohet gjobë për tejkalim të shpejtësisë së lëvizjes në bazë të një paragrafi (neni) joadekuat të ligjit (në 3 nga 84 mostra/gjoba)”, thuhet në raport.

E në një raport për trajtimin e rasteve të aksidenteve, Inspektorati i ka kërkuar Policisë që eprorët të rrisin mbikëqyrjen për mbledhjen e provave nga vendngjarja e edhe që të përmirësohet cilësia e kallëzimeve penale.