Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka iniciuar hetim preliminar me qëllim të vlerësimit të veprimeve policore gjatë menaxhimit të protestës.
Përmes një komunikate për media IPK në kuadër të mandatit ligjor dhe sipas detyrës zyrtare, ka monitoruar angazhimet, veprimet dhe reagimet e zyrtarëve policorë gjatë protestës së mbajtur të hënën në mbrëmje në hapësirat përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Për realizimin e këtij monitorimi, IPK ka bërë të ditur se ka aktivizuar planin operativ dhe ka angazhuar zyrtarët e saj të cilët kanë përcjellë nga afër mënyrën e menaxhimit të protestës, ndërveprimin e zyrtarëve policorë me protestuesit, përdorimin e forcës, si dhe përdorimin e pajisjeve dhe mjeteve të tjera të autorizuara.
“Në ndërkohë, hetuesit e IPK-së kanë pranuar një ankesë, e përcjellë përmes Policisë së Kosovës, në të cilën një qytetar pretendon për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës. Bazuar në të dhënat e siguruara gjatë monitorimit, pamjet e publikuara në media dhe burime të tjera relevante, si dhe në kuadër të autorizimeve ligjore, IPK ka iniciuar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar me qëllim të vlerësimit të veprimeve policore gjatë menaxhimit të protestës”, thuhet në njoftim.
IPK-ja ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në kuadër të mandatit ligjor për të sqaruar rrethanat dhe bazuar në gjetjet e hetimit preliminar, do të vlerësojë hapat e mëtejmë që mund të ndërmerren.
Edhe
IPK thotë se do të verifikohen pretendimet për përdorimin e gazit lotsjellës me afat të skaduar
E Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë të ditur se ka autorizuar Inspektoratin Policor të Kosovës të ndërmarrin veprime paraprake për trajtim të secilit rast që lidhet me veprimet e zyrtarëve policorë gjatë protestës të së hënës.
“Qëllimi i autorizimit është grumbullimi i informatave dhe provave relevante lidhur me tejkalimin eventual të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës, sa i përket shpërndarjes së protestuesve. Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve me IPK-në, do të ndërmarr të gjitha masat e nevojshme ligjore me qëllim të ndriçimit të secilit rast ku dyshohet të jetë përdorur forcë përtej nevojës dhe autorizimeve që burojnë nga legjislacioni në fuqi. Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të gjitha rrethanave të krijuara gjatë zhvillimit të protestave”, ka njoftuar Prokuroria.