Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me rrënimin e monumenteve të kompleksit “Saraji i Vjetër” në Prizren.
Aktakuza është ngritur ndaj drejtorit të Urbanizimit të Komunës së Prizrenit, Pranverim Berisha dhe bashkëpunëtores profesionale në Drejtorinë e Urbanizimit të Prizrenit, Egzona Thaçi.
Sipas aktakuzës ata kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke lëshuar leje për ndërtimin e kompleksit banesor në objektin e trashëgimisë kulturore “Saraji i Vjetër”, duke lejuar rrënimin e kompleksit që ishte në kuadër të mbrojtjes së përhershme si monument kulturor.
U shkaktuan dëme të pariparueshme të trashëgimisë kulturore në vlerë afro 16 milionë euro.
“Sipas aktakuzës, në periudhën kohore prej datës 05.01.2024 deri më 04.04.2024 në Prizren, i pandehuri i parë P.B., në cilësinë e personit zyrtar - drejtor i drejtorisë për urbanizëm në Komunën e Prizrenit, ndërsa e pandehura e dytë E.Th., në cilësinë e bashkëpunëtores profesionale në DUPH në komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre dhe nuk i përmbushin detyrat me qëllim të shkaktimit të dëmit Ministrisë së Kulturës (MKRS), duke mundësuar përfitim të dobisë pasurore për investitorin A.Xh., në atë mënyrë që i pandehuri P.B., në cilësinë e drejtorit të DUPH edhe pse ka pas njohuri se kompleksi “Saraji i vjetër” në Prizren është në kuadër të mbrojtjes së përhershme të monumenteve kulturore, nuk e parandalon rrënimin e tij, ndërsa e pandehura E.Th., më datë 05.01.2024 pas kërkesës së investitorit A.Xh., fillimisht lëshon kushtet ndërtimore, dhe vazhdon më datë 15.01.2024 ku e lëshon vendimin për rrënimin e objekteve ekzistuese, dhe më datë 04.04.2024 lëshon lejen e ndërtimit investitorit A.Xh., për të ndërtuar kompleks banesor në objektin e trashëgimisë kulturore “Saraji i vjetër” në Prizren, krejt kjo në kundërshtim me Ligjin për ndërtim dhe Ligjin për trashëgiminë kulturore dhe listën e aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, ashtu që me dashje tejkalojnë dhe nuk i përmbushin detyrat e tyre të cila janë të përcaktuara me ligj në drejtimin të moslejimit të rrënimit të objektit “Saraji i vjetër” dhe ndërtimit mbi gërmadhat e saj të kompleksit banesor, me ç’rast shkaktohet një dëm i pariparueshëm i trashëgimisë kulturore në shumë rreth 15.961.832.70 € (pesëmbëdhjetë milionë, e nëntëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e tetëqind e tridhjetë e dy euro, e shtatë dhjetë cent)”, thuhet në aktakuzë.
Monumentet në kompleksin “Saraji i Vjetër” u rrafshuan vitin e kaluar. Tre muajve pas rrafshimit të shumicës së monumenteve Ministria e Kulturës përgatiti dosjen e nevojshme për të trokitur në dyert e institucioneve të drejtësisë dhe për të kërkuar përgjegjësi penale.
Në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, u dorëzua kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, drejtorit të Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Pranverim Berisha dhe bashkëpunëtores profesionale të po kësaj komune e drejtoreshës së Departamentit Ligjor të Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.