Kulturë

“Saraji i vjetër” në Prizren: afro 16 milionë dëm, aktakuzë për dy zyrtarë

Procesi i rrafshimit të monumenteve, 4 qershor 2024

Procesi i rrafshimit të monumenteve, 4 qershor 2024

Sipas Prokurorisë, Drejtori i Urbanizmit në Prizren, Pranverim Berisha, bashkë me bashkëpunëtoren profesionale Egzona Thaçi – asokohe pjesë e stafit të Berishës – janë përgjegjësit që në kundërshtim me ligjin e kanë mundësuar rrafshimin e kompleksit monumental nën mbrojtje të përhershme. Reagimet kanë qenë të menjëhershme nga drejtori Berisha e po ashtu nga Ministria e Kulturës. Në fundmajin e vjetmë, për herë të parë në Kosovë qe rrafshuar një kompleks monumental nën mbrojte të përhershme. Asokohe, me gjithë tentimet e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, rrënimi kishte vazhduar për disa ditë. Ministria e Kulturës, pavarësisht se ishte në dijeni, publikisht kishte heshtur deri gati në përfundim të rrënimit

Afro 15 muaj pasi qe rrafshuar pjesa më e madhe kompleksit monumental “Saraji i Vjetër në Prizren”, Prokuroria Themelore e këtij qyteti ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Komunës së Prizrenit për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Sipas Prokurorisë, Drejtori i Urbanizmit në Prizren, Pranverim Berisha, bashkë me bashkëpunëtoren profesionale Egzona Thaçi – asokohe pjesë e stafit të Berishës – janë përgjegjësit që në kundërshtim me ligjin e kanë mundësuar rrafshimin e kompleksit monumental nën mbrojtje të përhershme. Reagimet kanë qenë të menjëhershme nga drejtori Berisha e po ashtu nga Ministria e Kulturës.

Në fundmajin e vjetmë, për herë të parë në Kosovë qe rrafshuar një kompleks monumental nën mbrojtje të përhershme. Asokohe, me gjithë tentimet e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, rrënimi kishte vazhduar për disa ditë. Ministria e Kulturës, pavarësisht se ishte në dijeni, publikisht kishte heshtur deri gati në përfundim të rrënimit.

Sipas njoftimit të prokurorisë, dyshja që tashmë përballet me aktakuzë në bashkëkryerje, e kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokuroria pretendon se dyshja ka bërë shkelje ligjore me dashje apo me dijeni dhe njëkohësisht nuk kanë kryer me dashje ndonjë detyrë të domosdoshme të përcaktuar me ligj.

“Duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre”

“Sipas aktakuzës, në periudhën kohore prej datës 05.01.2024 deri më 04.04.2024 në Prizren, i pandehuri i parë P.B., në cilësinë e personit zyrtar - drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Prizrenit, ndërsa e pandehura e dytë E.Th., në cilësinë e bashkëpunëtores profesionale në DUPH në komunën e Prizrenit, duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre dhe nuk i përmbushin detyrat me qëllim të shkaktimit të dëmit Ministrisë së Kulturës (MKRS), duke mundësuar përfitim të dobisë pasurore për investitorin A.Xh.”, shkruhet në njoftim. Sipas Prokurorisë, drejtori Pranverim Berisha edhe pse ka pasur njohuri se kompleksi “Saraji i Vjetër” është në kuadër të mbrojtjes së përhershme të monumenteve kulturore, nuk e parandaloi rrënimin.

“Ndërsa e pandehura E.Th., më datë 05.01.2024 pas kërkesës së investitorit A.Xh., fillimisht i lëshon kushtet ndërtimore, dhe vazhdon  më datë 15.01.2024 ku e lëshon vendimin për rrënimin e objekteve ekzistuese, dhe më datë 04.04.2024 ia lëshon lejen e ndërtimit investitorit A.Xh., për të ndërtuar kompleks banesor në objektin e trashëgimisë kulturore ‘Saraji i Vjetër’ në Prizren, krejt kjo në kundërshtim me Ligjin për ndërtim dhe Ligjin për trashëgiminë kulturore dhe listën e aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme”, shkruhet në njoftim. Sipas Prokurorisë, dyshja me dashje e tejkalojnë autoritetin zyrtar dhe nuk i përmbushin detyrat e tyre të cilat janë të përcaktuara me ligj, në drejtim të moslejimit të rrënimit të objektit “Saraji i Vjetër” dhe ndërtimit mbi gërmadhat e saj të kompleksit banesor.

Sipas pretendimit të Prokurorisë, në këtë rast është bërë dëm në vlerë prej 15 milionë e 961 mijë euro.

S’ka vonuar shumë pas njoftimit të Prokurorisë dhe ka reaguar drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit në Prizren, Pranverim Berisha.

“Berisha ka thënë se lidhur me aktakuzën është njoftuar nga mediat, derisa prokurorin që e ka ngritur këtë aktakuzë e ka quajtur “shërbëtor të regjimit të Albin Kurtit”.

“Sa u njoftova nga mediat se një prokuror i kapur dhe shërbëtor i regjimit të Albin Kurtit, konkretisht Hajrullah Çeku, paska ngritur aktakuzë për një rast të cilin me kohë e kemi sqaruar se Ministria e z.Çeku qëllimisht nuk është përgjigjur sipas afateve ligjore në kërkesën e zyrtares së DUPH-së, për me i dhënë mundësi Hajrullah Çekut që të përdorë një prokuror në prag të pensionimit që të na shantazhojë në fillim të fushatës për zgjedhjet e 12 tetorit”, ka shkruar në media sociale dhe të njëjtin reagim ia ka përcjellë KOHË-s në formë përgjigjeje.

Berisha ka shkruar se për rastin “Saraji i Vjetër” vendin në burg e ka Çeku dhe zyrtarët e Ministrisë së Kulturës.

“Hajrullah Çeku dhe gjithë ‘coket’ të tjerë të regjimit aktual, duhet me ditë se nuk munden me këso lojëra të ndyra, duke i përdorur prokurorët e kapur, me i lënë nën hije aferat korruptive në Ministrinë që e ka udhëhequr, që e ka shpërblyer me 257 mijë euro vëllain e vet, 255 mijë euro motrën e deputetit Artan Abrashi, 52 mijë euro burrin e Fitore Pacollit, që t’i akuzojë të tjerët. Për rastin e ‘Saraji i Vjetër’ vendin në prokurori dhe në burg e ka Hajrullah Çeku dhe zyrtarët e MRKS”, ka shkruar ai.

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrullah Çeku, lidhur me aktakuzën ndaj dy zyrtarëve në Prizren për rrënimin e “Sarajit të Vjetër”, ka thënë se është vërtetuar ajo që, sipas tij, e kanë thënë nga fillimit.

Sipas tij, rrënimi i paligjshëm i “Sarajit të Vjetër” në Prizren nuk ishte gabim, por shkelje e rëndë me pasoja të pariparueshme për trashëgiminë kulturore.

Ka shtuar se pas kallëzimit penal të dorëzuar nga Ministria e Kulturës, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Urbanizmit dhe një bashkëpunëtoreje profesionale të komunës së Prizrenit.

Çeku ka thënë se pret që standardi që sot vendosi Prokuroria Themelore e Prizrenit të ndiqet edhe nga ajo e Prishtinës.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së përgjegjësisë dhe një mesazh i qartë: askush nuk mund ta cenojë trashëgiminë tonë pa u përballur me drejtësinë. Ministria e Kulturës ka dorëzuar kallëzim penal për cenim të trashëgimisë edhe ndaj komunës së Prishtinës. Standardi që sot vendosi Prokuroria Themelore e Prizrenit duhet të ndiqet edhe nga ajo e Prishtinës. Mbetemi të vendosur të mbrojmë çdo aset dhe çdo monument që na mban gjallë identitetin”, ka thënë ai.

Tentativat që s’kryenin punë

Në gushtin e  vjetëm, pak ditë pa u bërë tre muaj prej se qe rrafshuar pjesa më e madhe kompleksit monumental “Saraji i Vjetër në Prizren”, Ministria e Kulturës kishte arritur që ta përgatisë dosjen e nevojshme për të trokitur në dyert e institucioneve të drejtësisë dhe për të kërkuar përgjegjësi penale. Në një konferencë për medie, ministri Çeku kishte treguar se në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, drejtorit të Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, bashkëpunëtores profesionale të po kësaj komune e drejtoreshës së Departamentit Ligjor të Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Në bazë të shkresave, Ministria e Kulturës ishte njoftuar nga Komuna e Prizrenit për dhënien e lejes për ndërtim të një subjekti privat të premten e 24 majit. Të hënën – kur edhe kishin nisur punimet për rrafshimin e ndërtesave, MKRS-ja prapë ishte në dijeni. Sa i përket reagimit publik, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, nuk kishte bëzan fare deri në rrënimin e plotë të tri monumenteve. E pastaj ishte i zellshëm në konferencë.

“Kodi Penal i Republikës së Kosovës, veprat e klasifikuara si: Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës, i dënon deri në 10 vjet burgim, ndërsa si masë pasurore, sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, dënohen me gjobë nga 1 mijë deri në 500 mijë euro”, kishte thënë Çeku.

Është ndalur te kronologjia e rrënimit të një pjese të kompleksit, duke thënë se “Saraji i Vjetër”, i cili në fillim të 2024-s kishte hyrë në listën e mbrojtjes së përhershme, nisi të rrënohej më datën 27 maj 2024.

Për këtë rrënim investitori Avzilatif Xhemali, pronar i biznesit individual me emër tregtar “Rimed”, e ka shfrytëzuar vendimin për leje ndërtimore të lëshuar nga Komuna e Prizrenit. I njëjti, në fund të vitit 2023 kishte kërkuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve pëlqim për zhvillimin e parcelave që gjenden në zonën e dytë të mbrojtur në kuadër të Qendrës Historike të Prizrenit. IKMM-ja nuk e kishte dhënë pëlqimin. 

Drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Pranverim Berisha, e kishte nënshkruar lejen që i jep të drejtë investitorit të ndërtojë “objekt kolektiv – me shumë funksione”. Sipas vendimit të cilin e posedon KOHA, leja ndërtimore lejon dy kate bodrum, përdhesen, plus tri kate të tjera.

Pas marrjes së njoftimit për rastin inspektorët e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore tanë kanë dalë në vend të ngjarjes ku kishin konstatuar se kishte filluar rrënimi i asetit përmes dy akteve administrative dhe në prani të Policisë qenë vendosur shenjat zyrtare për ndalim të punimeve. Pronari i kishte rifilluar punimet, kurse MKRS-ja me kërkesë urgjente i ishte drejtuar ish-kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së sigurisë.

Me caktimin e autorizimit për ndalim të punimeve, Policia e Kosovës më pas ndaloi punimet në asetin me status të mbrojtjes. Por, siç ka raportuar KOHA në qershor, krejt kjo ishte bërë pas rrafshimit të ish-fabrikës së barnave, ajo që njihej si Burgu i Vjetër dhe një shtëpi e fundit e viteve ’20. Këto bashkë me Internatin dhe Postën e Vjetër, që gjenden në anën tjetër, e kanë formuar kompleksin monumental “Saraji i Vjetër – Prizren”. Kompleksi mbrohet edhe në kuadër të Ligjit për qendrën historike të Prizrenit, si zonë e dytë e mbrojtur.

Prokurori i shtetit, Shpend Binaj, kishte lëshuar “autorizim për vendosjen e masës së sigurisë”. Këtë ia kishte drejtuar stacionit policor “Alfa” në Prizren. Në këtë rast prokurori është bazuar në kërkesën e MKRS-së të datës 5 qershor për caktimin e masës së sigurisë, pasi Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore kishte vërejtur se nuk ishte respektuar vendimi i tyre i datës 30 maj për ndalimin e punimeve. 

Historia e nismës për rrënimin e kompleksit është e vjetër. Zë fill në vitin 2019, kur ndërtesat gëzonin veç mbrojtje të përkohshme që, sa i përket ndërhyrjes, sipas Ligjit për Trashëgimi Kulturore, procedurat për investim dhe sanksionet ndaj veprimeve të paautorizuara janë të njëjta. 

Asokohe, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve e kishte dhënë pëlqimin. Por, MKRS-ja si shkallë e dytë kishte menduar ndryshe. 

Në nëntor të atij viti, institucioni më i lartë kulturor në vend e kishte shfuqizuar vendimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, që i hapte rrugë ndërtimit të objektit në zonën e mbrojtur përreth aseteve të trashëgimisë kulturore, që janë Posta e Parë e Qytetit dhe Kazerma e Vjetër, që njihet ndryshe edhe si Internati. Për këtë kishte vendosur Komisioni për shqyrtimin e ankesave kundër vendimeve të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në procedurën e dhënies së lejeve dhe pëlqimeve në trashëgiminë kulturore arkitekturore.