Asnjë gjurmë s’i ka mbetur kompleksit “Saraji i vjetër” në Prizren, monumentit të parë nën mbrojtje të përhershme, i cili është rrafshuar duke shpërfaqur edhe dështimin e shtetit. Të enjten ka dështuar edhe seanca e parë në Gjykatën Themelore të Prizrenit. Akuzohen dy zyrtarë komunalë, investitori është dëshmitar, dëmi llogaritet afro 16 milionë euro, por është i pariparueshëm për trashëgiminë kulturore
Afro 16 muaj prejse është rrafshuar kompleksi monumental “Saraji i vjetër” në Prizren, në Gjykatën Themelore të këtij qyteti ka nisur procesi gjyqësor. Por, të enjten është pamundësuar mbajtja e seancës së shqyrtimit fillestar shkaku i mungesës së një prej të akuzuarve dhe të dëmtuarit që në këtë rast është Ministria e Kulturës.
Sipas Prokurorisë, drejtori i Urbanizmit në Prizren, Pranverim Berisha, bashkë me bashkëpunëtoren profesionale Egzona Morina – asokohe pjesë e stafit të Berishës – janë përgjegjësit që në kundërshtim me ligjin e kanë mundësuar rrafshimin e kompleksit monumental. E akuzuara Morina ka munguar në seancë me arsyetim se rishtazi është bërë nënë, kurse avokati i saj Valdet Hoxha, me arsyetimin se ka pasur një seancë tjetër.
Historia e rrënimit të këtij kompleksi monumental është e para në Kosovë, kur në fundmajin e vitit të kaluar janë rrënuar monumentet nën mbrojtje të përhershme të shtetit. Krejt linja institucionale ka dështuar që ta ndalë rrënimit me themel të ndërtesave të ish-fabrikës së barnave “Farmakos” në Prizren. Shumica prej institucioneve në mënyra të ndryshme e kanë lejuar rrënimin.
Të enjten, duke pasur përpara vetëm një të akuzuar dhe prokurorin, gjyqtari Ilir Rashkaj ka konstatuar se s’mund të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar.
“Pra, siç po e shihni, nuk kemi kushte për ta mbajtur seancën e shqyrtimit fillestar”, ka thënë ai. Vërejtje s’kanë pasur prokurori i rastit, Mehdi Sefa, e as avokati Muhamet Shala, që mbron të akuzuarin Pranverim Berisha. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 15 janar.
Humbja e pariparueshme për trashëgiminë
Dyshja e akuzuar do të gjykohet pasi, sipas prokurorisë, në këtë rast është bërë dëm në vlerë prej 15 milionë e 961 mijë eurosh.
Sipas aktakuzës, në periudhën kohore prej 5 janarit 2024 deri më 4 maj 2024 në Prizren, i pandehuri i parë Pranverim Berisha në cilësinë e personit zyrtar si drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor dhe Egzona Morina, në cilësinë e bashkëpunëtores profesionale në këtë drejtori, ose nuk e përmbushën detyrën apo autoritetin zyrtar, ose i tejkalojnë kompetencat e tyre zyrtare në detyrë me qëllim të shkaktimit të dëmit dhe duke mundësuar përfitim të dobishëm pasuror për investitorin Avzilatif Xhemjali.
“I pandehuri Pranverim Berisha, në cilësinë e drejtorit të DUPH, edhe pse është pasi është njoftuar se kompleksi ‘Saraji i vjetër’ në Prizren është në kuadër të mbrojtjes së përhershme të monumenteve kulturore, nuk e parandalon rrënimin e saj, ndërsa e pandehura Egzona Morina–Thaçi më dt. 05.01.2024, pas kërkesës së investitorit Avzilatif Xhemajli, fillimisht lëshon kushte ndërtimore dhe vazhdon më dt. 15.01.2024, ku e lëshon vendimin për rrënimin e objektive ekzistuese, që në vend të tyre të ndërtohet kompleks banesor....”, shkruhet në aktakuzë.
Sipas prokurorit të shtetit, krejt kjo është bërë në kundërshtim me Ligjin për ndërtim, Ligjin për trashëgimi kulturore. Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, saktësisht Departamentit për Krime të Rënda si bashkëkryerës, dyshja “kryen veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par. 1, lidhur me parag. 3, nënparag. 3.2, lidhur me nenin 31 të KP-së’”.

Bartja e përgjegjësisë midis të akuzuarve
Në aktakuzën prej 13 faqesh, të pandehurit sqarojnë situatën se si erdhi deri te rrënimi i monumenteve.
Pranverim Berisha, si drejtor i Urbanizmit në gushtin e vjetëm, para prokurorit të shtetit kishte thënë se si drejtor posa të marrë një kërkesë, e përcjell çështjen te zyrtari që është në shërbime sa i përket trashëgimisë kulturore dhe shpërndan lëndën zyrtarëve që janë kompetentë për trajtimin e lëndëve të tilla. Sipas Berishës, ata zyrtarë ngarkohen nga fillimi deri në përfundim në bazë të kompetencave dhe përgjegjësisë që trajtojnë lëndën në aspektin profesional dhe ligjor duke respektuar të gjitha procedurat brenda legjislacionit.
“Në pyetjen se kush ka qenë i ngarkuar me rastin ‘Saraji i Vjetër’, shton se zyrtarja Egzona Morina – arkitekte, së cilës rasti i është caktuar në bazë të radhës dhe e njëjta ka qenë përgjegjëse dhe ka pasur për obligim të ndjekë procedurat ligjore deri në përfundim të kësaj çështjeje dhe deri në aprovimin apo refuzimin e kërkesës së palës”, shkruhet në aktakuzë. Sipas këtij dokumenti, Berisha ka thënë se ka qenë në dijeni se është lëshuar leja për rrënimin më 15 janar 2024, por me vonesë, “pasi që Egzona nuk është konsultuar me të, vetë e ka nënshkruar vendimin për rrënim, pavarësisht rekomandimeve të IKMM-së se një ndër ato ngastra ka qenë nën mbrojtje ‘Saraji i vjetër’ në Prizren...”. Berisha para prokurorisë del se është munduar t’ia hedhë krejt përgjegjësinë zyrtarëve të drejtorisë që ka drejtuar. Sipas aktakuzës, ai ka thënë se leja për ndërtim i ishte lëshuar investitorit më datë 4 prill 2024, duke u bazuar në raportin që kanë dërguar zyrtarët në aspektin profesional dhe ligjor dhe se ai vetë as që ka ndonjë pikëpamje ligjore dhe profesionale se a janë respektuar të gjitha elementet. Aktakuza sqaron se Berisha ka thënë se lejen e ka nënshkruar pasi zyrtarja përgjegjëse e lëndës e ka siguruar me një raport me shkrim mbi ecurinë e lëndës.
Kurse e pandehura Egzona Morina, sipas aktakuzës, ka deklaruar se lëndën e kishte përcjellë në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren më 30 nëntor 2023 dhe nga ky institucion më 4 dhjetor ka pranuar se lënda është përcjellë për në Institutin e Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve. Ajo ka deklaruar se deri më datë 26 dhjetor nuk ka marrë asnjë përgjigje dhe pikërisht me këtë datë kanë marrë rekomandime.
“Vendimi mbi rrënimin e objektit në kuadër të kompleksit ‘Saraji i vjetër’ është i datës dt. 15.01.2024. Në pyetjen e prokurorit se a do të thotë që është marrë vendimi mbi rrënimin pasi ‘keni qenë të njoftuar me rekomandimet e IKMM-së lidhur me objektin e kompleksit ‘Saraji i Vjetër’, pse nuk janë përfillur rekomandimet e IKMM-së, thekson se janë rekomandime jashtë afatit 15 ditor...”, shkruhet në aktakuzë. Sipas këtij dokumenti, e pandehura ka deklaruar se i ka vazhduar procedurat siç e obligon Ligji i trashëgimisë kulturore dhe Ligji i procedurës administrative.
“Vendimin për rrënimin e objektit e ka lëshuar më dt. 15.01.2024, ndërsa lejen për ndërtim e ka lëshuar më dt. 04.04.2024 dhe për të gjitha këto vendime ka qenë i njoftuar edhe drejtori pasi që ai e ka nënshkruar dokumentin e fundit në këtë rast lejen ndërtimore, po ashtu ka qenë e njoftuar edhe zyra ligjore...”, shkruhet në aktakuzë. Ajo po ashtu ka përmendur se më 2019 Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka sjellë një vendim duke e aprovuar ankesën e investitorit Avzilatif Xhemajli, duke e shfuqizuar aktvendimin e DUPH-së kur i ishte refuzuar kërkesa për dhënien e lejes ndërtimore për ndërtimin e kompleksit banesor. Ky proces është zhvilluar para se investitori të marrë lejen për rrënim e ndërtim më 2024.
Investitori i rrafshimit të monumentit – dëshmitar
Prokuroria e ka intervistuar edhe investitorin Avzilatif Xhemajli në cilësinë e dëshmitarit dhe i njëjti ka thënë se, siç përcaktojnë ligjet, ka aplikuar për leje rrënimi dhe ndërtimi. Sipas aktakuzës, ai pretendon se jashtëligjshëm i janë ndaluar punimet. Ai nuk është i akuzuar megjithëse – pos të tjerash – nuk ka përfillur as masën e ndalimit të punimeve të shqiptuar nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.
Dëshmitarë janë edhe Rreze Loxha-Vitaku, zëvendësuese e drejtores së Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Samir Hoxha, drejtor i QRTK-së në Prizren dhe Pajtim Zogaj, inspektor i trashëgimisë kulturore.
Sipas aktakuzës, Loxha-Vitaku ka thënë se investitori fillimisht është dashur t’i kërkonte kushtet e ndërhyrjes në atë pjesë e më pas të sjellë projektin. Sipas asaj që i ka thënë prokurorit të shtetit Loxha-Vitaku, IMMM ka lëshuar rekomandime në afat ligjor pasi si institucion kanë të drejtë që të përgjigjen brenda 45 ditësh. Dy dëshmitarët e tjerë kanë treguar ecurinë e punës së tyre në këtë rast. Kjo lëndë në Prokurori ka shkuar nga Ministria e Kulturës.
Historia që nisi qysh më 2019
Në gushtin e vjetëm, pak ditë pa u bërë tre muaj prejse qe rrafshuar pjesa më e madhe kompleksit monumental “Saraji i Vjetër në Prizren”, Ministria e Kulturës kishte arritur që ta përgatiste dosjen e nevojshme për të trokitur në dyert e institucioneve të drejtësisë dhe për të kërkuar përgjegjësi penale. Në një konferencë për media, ministri Hajrulla Çeku kishte treguar se në Prokurorinë Themelore të Prizrenit kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, drejtorit të Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, bashkëpunëtores profesionale të po kësaj komune e drejtoreshës së Departamentit Ligjor të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Në bazë të shkresave Ministria e Kulturës ishte njoftuar nga Komuna e Prizrenit për dhënien e lejes për ndërtim të një subjekti privat të premten e 24 majit. Të hënën – kur edhe kishin nisur punimet për rrafshimin e ndërtesave, MKRS-ja prapë ishte në dijeni. Sa i përket reagimit publik, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, nuk kishte bëzan fare deri në rrënimin e plotë të tri monumenteve. E pastaj kishte dalë në konferencë.
“Kodi Penal i Republikës së Kosovës veprat e klasifikuara si: Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës, i dënon deri me 10 vjet burgim, ndërsa si masë pasurore, sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, dënohen me gjobë nga 1 mijë deri në 500 mijë euro”, kishte thënë Çeku.
Gjatë rrënimit të objekteve inspektori i trashëgimisë kulturore Pajtim Zogaj kishte vendosur shenjat zyrtare për ndalim të punimeve. Pronari i kishte rifilluar punimet, kurse MKRS-ja me kërkesë urgjente i ishte drejtuar ish-kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së sigurisë. Me caktimin e autorizimit për ndalim të punimeve, Policia e Kosovës më pas ndaloi punimet në asetin me status të mbrojtjes. Por, siç ka raportuar KOHA në qershor, krejt kjo ishte bërë pas rrafshimit të ish-fabrikës së barnave, ajo që njihej si Burgu i Vjetër dhe një shtëpi e fundit e viteve ’20. Këto bashkë me Internatin dhe Postën e Vjetër, që gjenden në anën tjetër, e kanë formuar kompleksin monumental “Saraji i Vjetër – Prizren”. Kompleksi mbrohet edhe në kuadër të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, si zonë e dytë e mbrojtur.
Historia e nismës për rrënimin e kompleksit është e vjetër. Zë fill në vitin 2019, kur ndërtesat gëzonin veç mbrojtje të përkohshme që, sa i përket ndërhyrjes, sipas Ligjit për Trashëgimi Kulturore, procedurat për investim dhe sanksionet ndaj veprimeve të paautorizuara janë të njëjta sikurse për monumentet nën mbrojtje të përhershme.
Asokohe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve që udhëhiqej nga drejtori Ismet Hajrullahu, e kishte dhënë pëlqimin për ndërtimin e objektit afaristo-banesor. Por, MKRS-ja si shkallë të dytë kishte menduar ndryshe.
Në nëntor të atij viti, institucioni më i lartë kulturor në vend e kishte shfuqizuar vendimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, që i hapte rrugë ndërtimit të objektit në zonën e mbrojtur përreth aseteve të trashëgimisë kulturore, që janë Posta e Parë e Qytetit dhe Kazerma e Vjetër, që njihet ndryshe edhe si Internati. Për këtë kishte vendosur Komisioni për shqyrtimin e ankesave kundër vendimeve të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në procedurën e dhënies së lejeve dhe pëlqimeve në trashëgiminë kulturore arkitekturore.