Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, Pranverim Berisha, ka akuzuar ministrin në detyrë Hajrulla Çeku se ka përdorur prokurorin për t’i shantazhuar në fillim të fushatës për zgjedhjet e 12 tetorit.
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Urbanizimit të Komunës së Prizrenit, Pranverim Berisha dhe bashkëpunëtores profesionale në Drejtorinë e Urbanizimit të Prizrenit, Egzona Thaçi për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me rrënimin e monumenteve të kompleksit “Saraji i Vjetër” në Prizren.
Berisha ka thënë se lidhur me aktakuzën është njoftuar nga mediat, derisa prokurorin që e ka ngritur këtë aktakuzë e ka quajtur “shërbëtor të regjimit të Albin Kurtit”.
“Sa u njoftova nga mediat se një prokuror i kapur dhe shërbëtor i regjimi të Albin Kurtit konkretisht Hajrullah Çeku, paska ngritur aktakuzë për një rast të cilin me kohë e kemi sqaruar se Ministria e z,Çeku qëllimisht nuk është përgjigjur sipas afateve ligjore në kërkesën e zyrtares së DUPH-së, për me i dhënë mundësi Hajrullah Çekut që të përdorë një prokuror në prag të pensionimit që të na shantazojë në fillim të fushatës për zgjedhjet e 12 tetorit”, ka shkruar ai.
Berisha ka shkruar se për rastin “Saraji i vjetër” vendin në burg e ka Çeku dhe zyrtarët e Ministrisë së Kulturës.
“Hajrullah Çeku dhe gjithë ‘coket’ të tjerë të regjimit aktual, duhet me ditë se nuk munden me kësi lojëra të ndyra duke i përdorur prokurorët e kapur, me i lënë nën hije aferat korruptive në Ministrin që e ka udhëhequr, që ka shpërblyer me 257 mijë euro vëllain e vet, 255 mijë euro motrën e deputetit Artan Abrashi, 52 mijë euro burrin e Fitore Pacollit, që t’i akuzojë të tjerët. Për rastin e ‘Saraji i Vjetër’ vendin në prokurori dhe në burg e ka Hajrulla Çeku dhe zyrtarët e MRKS”, ka shkruar ai.
Sipas aktakuzës ata kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke lëshuar leje për ndërtimin e kompleksit banesor në objektin e trashëgimisë kulturore “Saraji i Vjetër”, duke lejuar rrënimin e kompleksit që ishte në kuadër të mbrojtjes së përhershme si monument kulturor.
U shkaktuan dëme të pariparueshme të trashëgimisë kulturore në vlerë afro 16 milionë euro.