Qindra qytetarë të Prizrenit janë mbledhur të premten në sheshin qendror të qytetit. Kanë kundërshtuar mbajtjen e festivalit “DokuFest”, duke thënë se kjo ngjarje po sjell degjenerim. Organizatorët e festivalit këtë e kanë parë si protestë, që është mbajtur nga ata që nuk kanë informatat e duhura për ngjarjen
Menjëherë pas ritualit të lutjeve të ditës së premte, qindra qytetarë të Prizrenit janë bashkuar para xhamisë së Sinan Pashës. Kanë thënë se janë kundër festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Sipas organizatorëve, “DokuFest” po sjell performanca degjeneruese duke iu referuar interpretimit të “Peaches”, që është mbajtur pas mesnatës së të premtes së kaluar.
Thirrje për të marrë pjesë në protestën kundër festivalit ka bërë edhe kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Besim Berisha.
Por sipas organizatorëve të festivalit, protesta ishte e panevojshme. Veton Nurkollari, drejtor artistik i Festivalit, ka thënë se protesta është mbajtur bazuar në informata jo të sakta që kanë pasur organizatorët.
“Ne jemi komod në atë që bëjmë dhe ky festival angazhohet për të drejtat e njeriut. Angazhimi ynë nuk është selektiv për të drejtat e dikujt e jo të dikujt tjetër”, tha Nurkollari.
Festivali në edicionin e vet të 22-të po shfaq mbi 100 filma në 8 kategoritë që ka. Sivjet me temën që thërret për të shqyrtuar ndikimin e inteligjencës artificiale, “DokuFest” ka bashkuar kinematografë e artistë të tjerë nga e mbarë bota.
Nesër do të mbahet edhe ceremonia mbyllëse, ku do të ndahen çmimet.