“Me gjithë rritjen e buxhetit të përgjithshëm për kulturë, shuma e ndarë për ‘DokuFest’ është ulur për gati 30 për qind në krahasim me vitin e kaluar, duke përbërë kështu më pak se 9 për qind të buxhetit të përgjithshëm të festivalit. Kjo është hera e dytë radhazi që Komuna zgjedh të shkëpusë mbështetjen për një festival që tash e 24 vjet ka qenë boshti kryesor kulturor i qytetit dhe një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Evropën Juglindore”, shkruhet në reagimin e “DokuFestit” në lidhje me ndarjet buxhetore të Komunës së Prizrenit, që ka vendosur për më shumë buxhet ndaj ngjarjeve në fillet e tyre
Nami ndërkombëtar i festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” ka kohë që është i vulosur. Organizimi, që sivjet zë vend në Prizren për të 24-tën herë, ndërlidhet me ngjarjet më të rëndësishme të filmit në botë. Veç për çmimin “Oscar” sivjet ishin të nominuar katër filma, që ishin shfaqur e ishin në konkurrencë në “DokuFestin” e vjetëm. Festivali është partner i Festivalit të Filmit në Cannes, që ndryshe njihet edhe si festivali i festivaleve. Kosova në botën e filmit fillimisht ka nisur të njihet nëpërmjet “DokuFestit”.
Lista e epiteteve përmbajtjesore për këtë organizim është e gjatë dhe zë vend në mediat më prestigjioze në botë. Por për Komunën e Prizrenit, ky festival s’meriton as gjysmën e përkrahjes financiare të shumave që ka mbështetur organizime, që jehonën e kanë pakrahasimisht më të vogël dhe shpesh nami s’u shkon përtej Kosovës e edhe përtej Prizrenit.
Me 51 mijë euro është përkrahur “DokuFest” për sivjet. Me 119 mijë euro është mbështetur festivali “Rock&Blues”, që këtë vit numëron edicionin e tretë. Festivali ndërkombëtar i teatrit të hapur “Prizren Fest” është përkrahur me 90 mijë euro për edicionin e katërt, kurse me 60 mijë euro festivali “Zambaku i Prizrenit” për edicionin e 36-të. Lista e fituesve të subvencioneve është e gjatë. Midis fituesve më të mëdhenj janë të afërmit e atyre që kanë lidhje me menaxhmentin aktual të Komunës.
E “DokuFest” s’ka qëndruar gojëmbyllur përballë këtij realiteti.
“Një nënvlerësim ndaj kulturës, komunitetit dhe Prizrenit”, mban titullin reagimi i kësaj organizate, që pos një festivali ka edhe disa programe nëpërmjet të cilave formësohen kinematografët e rinj.
Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” ka shprehur shqetësim dhe zhgënjim të thellë ndaj vendimit të Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport të Komunës së Prizrenit për të ulur përsëri ndjeshëm mbështetjen financiare për edicionin e këtij viti të festivalit.
“Me gjithë rritjen e buxhetit të përgjithshëm për kulturë, shuma e ndarë për ‘DokuFestin’ është ulur për gati 30 për qind në krahasim me vitin e kaluar, duke përbërë kështu më pak se 9 për qind të buxhetit të përgjithshëm të festivalit. Kjo është hera e dytë radhazi që Komuna zgjedh të shkëpusë mbështetjen për një festival që tash 24 e vjet ka qenë boshti kryesor kulturor i qytetit dhe një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Evropën Juglindore”, shkruhet në reagim.
Sipas organizatorëve s’bëhet fjalë veç për çështje buxhetore. Buxheti total i “DokuFestit” vitin e kaluar, përfshirë donacionet, ka qenë 861 mijë euro. Prej Komunës së Prizrenit ishte përkrahur me 70 mijë euro, njësoj sikurse më 2023.
“Ne mendojmë që kjo nuk është vetëm një çështje buxhetore, por është një vendim që godet themelet kulturore të qytetit tonë dhe është në kundërshtim me gjithçka që kemi ndërtuar bashkë për afro çerekshekulli. Secilin vit në gusht, ‘DokuFest’ ka promovuar Prizrenin duke e transformuar në një hapësirë kulturore ndërkombëtare, me shfaqje të filmave, performancave, punëtorive, ekspozitave dhe debateve”, shkruhet në reagim.
Sipas organizatorëve, ky transformim simbolik shoqërohet me efekte të matshme ekonomike dhe sociale. Kanë ofruar të dhëna që sqarojnë se më shumë se 16 mijë e 700 vizitorë morën pjesë në edicionin e vitit të kaluar, prej tyre rreth 5 mijë ndërkombëtarë.
“Sipas ATK-së dhe Institutit GAP, vizitorët shpenzuan afro 4.1 milionë euro gjatë Festivalit; Qarkullimi i bizneseve të Prizrenit u rrit me 29 për qind në muajin gusht krahasuar me korrikun; Për çdo 1 euro të investuar nga fondet publike, ‘DokuFest’ ka kthyer 22.8 euro në ekonomi; Festivali gjeneron mbi 100 vende pune sezonale për të rinjtë dhe përfshin 120 vullnetarë që mësojnë aftësi të reja, të pazëvendësueshme dhe esenciale për Ekonominë Kreative në Kosovë”, shkruhet në reagim.
Aty sqarohet se për 24 vjet me radhë, “DokuFest” e ka pozicionuar Prizrenin në hartën botërore të kulturës dhe ka sjellë në qytet artistë, turistë dhe profesionistë nga mbi 60 vende të botës, duke ndikuar në zhvillimin e turizmit, kinemasë dhe diplomacisë kulturore.
“Megjithatë, vendimi i Komunës për të mos e trajtuar ‘DokuFestin’ si partner strategjik kulturor është i pakuptimtë dhe kërcënon të dëmtojë një ekosistem të ndërtuar me mund e përkushtim ndër vite”, shkruhet në reagim.
Aty i bëhet ftesë Komunës së Prizrenit që të rishqyrtojë me urgjencë këtë vendim të ngutshëm dhe të riafirmojë përkushtimin ndaj kulturës dhe qytetarëve të saj.
“’DokuFest’ nuk është vetëm një ngjarje, por është një investim në të ardhmen kulturore dhe ekonomike të qytetit. Festivali do të vazhdojë misionin e vet, por u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve tanë: artistëve, qytetarëve, institucioneve, donatorëve dhe dashamirësve të kulturës të qëndrojnë me ne. Kultura nuk është luks. Është identitet. Është zëri i qytetit!”, shkruhet në fund të reagimit.
KOHA të martën ka pyetur kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, se përse ngjarje që s’janë përmbajtjesore dhe s’e kanë namin e “DokuFestit” kanë marrë shumë më shumë përkrahje, por ai s’është përgjigjur.
“DokuFesti” sivjet do ta shndërrojë Prizrenin në qytet të disa kinemave, midis tyre shumë në ambient të hapur prej 1 deri më 9 gusht. Do ta kthejë në qendër të kinematografisë, siç bën çdo vit.