Kulturë

“DokuFesti” i 15 mijë vizitorëve peshon mbi 5.2 milionë euro në ekonomi

Në mesin e gjetjeve kryesore të studimit të institutit “GAP” janë se 53 për qind e vizitorëve në “DokuFest” kanë marrë pjesë aty për herë të parë. Mbi 90 për qind e vizitorëve planifikojnë të kthehen sërish në edicionin e ardhshëm

Në mesin e gjetjeve kryesore të studimit të institutit “GAP” janë se 53 për qind e vizitorëve në “DokuFest” kanë marrë pjesë aty për herë të parë. Mbi 90 për qind e vizitorëve planifikojnë të kthehen sërish në edicionin e ardhshëm

Vizitorët e festivalit kanë gjeneruar mbi 5.2 milionë euro shpenzime në qytet dhe ngjarja ka kontribuar rreth 3.7 milionë euro në Bruto Prodhimin Vendor të Kosovës, janë dy prej gjetjeve të studimit të institutit “GAP” për ndikimin ekonomik të “DokuFestit” në Prizren dhe në Kosovë. Për çdo 1 euro të investuar, u gjeneruan 9 euro për ekonominë vendore e shifra si këto për organizatorët dëshmojnë jo vetëm rritjen dhe angazhimin. Është një mesazh se “investimi në kulturë në Kosovë sjell rezultate të matshme shoqërore dhe ekonomike, nga kinematë e mbushura dhe sheshet plot njerëz, te vendet e reja të punës, vizitorët e rinj dhe historitë e reja që ndahen me botën”

Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, përtej një prej ngjarjeve qendrore të skenës kulturore në vend, është dëshmuar edhe për impaktin ekonomik që i sjell qytetit të Prizrenit. Sipas raportit të institutit “GAP”, për edicionin e këtij viti, festivali ka qenë shkas i gjenerimit të vlerës prej mbi 5.2 milionë eurosh në ekonominë e vendit. Mbi 15 mijë vizitorë midis tjerash u kontribuuan sektorëve të gastronomisë, akomodimit e transportit. Gjysma e tyre ishin për herë të parë në festival dhe mbi 90 për qind e tyre planifikojnë të kthehen sërish në edicionin e ardhshëm.

Të dhënat nga ky raport nuk janë rastësi. Festivali ka bërë jehonë në të gjithë botën. E kësisoj edhe publiku, në edicionin e 24-t, që u mbajt prej 1 deri më 9 gusht, qe nga katër anët e globit. Veç mysafirë nga fusha e kinematografisë ishin rreth dyqind të tillë.

E, i dukshëm ka qenë edhe interesimi i publikut vendas, jo veç për ngjarjet e tjera që mbahen në kuadër të festivalit, por edhe për programin qendror – shfaqjen e filmave. Çdo shfaqje filmi në edicionin e këtij viti, thuaja ka mbushur kinematë plot. Në përfundim të ceremonisë së mbylljes, rritjen e numrit të vizitorëve e pati konfirmuar edhe njëri prej organizatorëve të “DokuFest”, Eroll Bilibani.

“Filmat kanë qenë shumë të mirë. Kemi pasur rritje të vizitorëve. Kemi pasur debate shumë gjallëruese”, pati thënë ai për KOHËN.

E sipas “GAP”-it, festivali me nam ka pasur saktësisht 15 mijë e 507 vizitorë dhe rritje të prurjeve ekonomike prej 30 për qind krahasuar me edicionin e parvjetmë.

“Rezultatet e raportit tregojnë se ndikimi ekonomik i këtij edicioni në ekonominë e Kosovës, vetëm nga shpenzimet për konsum, arriti shumën mbi 5.2 milionë eurosh, një rritje prej 30 për qind krahasuar me edicionin e vitit 2023. Ndikimi ekonomik i festivalit në Bruto Produktin Vendor, duke përjashtuar efektin e importeve, kap vlerën e rreth 3.7 milionë eurove. Ky kontribut ekonomik u shpërnda në disa sektorë, përfshirë gastronominë, akomodimin dhe transportin”, shkruhet në raport.

Sipas analizës aty, çdo një euro e investuar në “DokuFest”, i bie të ketë krijuar nëntë euro aktivitet ekonomik, duke e pozicionuar festivalin si motor kyç kulturor dhe ekonomik për Kosovën.

“Përveç rëndësisë së madhe kulturore që ka ‘DokuFesti’ për vendin, investimi në organizimin e edicionit të vitit 2025 rezultoi tejet efektiv edhe financiarisht, pasi për çdo 1 euro të investuar u gjeneruan 9 euro për ekonominë vendore”, shkruhet aty.

Aty saktësohet shuma e shpenzuar për festivalin: gjithsej 496 mijë e 871 euro. Bëhet e ditur se shpenzimet janë ndarë në këto kategori: 150 mijë euro për burime njerëzore, akomodim dhe transport, rreth tetë mijë euro për marketing, 172 mijë euro për pajisje, logjistikë, të drejtat e shfaqjes së filmave, mirëmbajtje, përkthim dhe titrim, si dhe 168 mijë euro për çmimet e fituesve, performanca muzikore dhe shpenzime të tjera operative.

Nga “DokuFesti” konsiderojnë se kjo platformë nuk është vetëm hapësirë filmash, muzike e debatesh publike, porse “luan edhe një rol domethënës në mbështetjen e bizneseve lokale, turizmit dhe ekonomisë më të gjerë kreative”.

Në njoftimin e së premtes shkruhet se të dhënat nga raporti janë rrjedhojë e angazhimit afatgjatë të ekipit për transparencë dhe për të dëshmuar se investimi në kulturë është edhe investim në zhvillimin lokal.

“Për më shumë se dy dekada, festivali është rritur në një platformë që ndërthur shfaqje filmash, ekspozita, biseda, punëtori, programe edukative dhe ngjarje muzikore, dhe ky hulumtim na ndihmon ne dhe partnerët tanë të kuptojmë më mirë vlerën e gjerë të këtij punimi”, shkruhet nga “DokuFesti”.

Aty thuhet se derisa bëhen përgatitje për edicionin jubilar të vitit të ardhshëm, që mbahet prej 7 deri më 15 gusht, gjetjet e raportit dërgojnë “mesazh të fortë për partnerët lokalë dhe ndërkombëtarë: investimi në kulturë në Kosovë sjell rezultate të matshme shoqërore dhe ekonomike, nga kinematë e mbushura dhe sheshet plot njerëz, te vendet e reja të punës, vizitorët e rinj dhe historitë e reja që ndahen me botën”.

Gjetjet kryesore në këtë raport janë edhe se 53 për qind e vizitorëve në festival kanë marrë pjesë aty për herë të parë, ndërsa pjesa tjetër ka marrë pjesë në edicionet e mëparshme. Sipas të dhënave të siguruara në bazë të anketave, “DokuNights” mbetet aktiviteti më i preferuar i vizitorëve, pasuar nga “DokuTalks”, pra panelet e diskutimit. Prej tyre, 60 për qind e vizitorëve e theksojnë atmosferën e veçantë të festivalit si motiv kryesor për të marrë pjesë në festival, e pjesa tjetër e rendit interesimin për filmat dhe kineastët e pranishëm në shfaqjet e filmave.

Disa prej gjetjeve shumë të rëndësishme janë edhe ato se rreth 33 për qind e vizitorëve ishin ndërkombëtarë e gjysma prej të cilëve e ka vizituar Kosovën për herë të parë.

“Rreth 63% u shprehën shumë të kënaqur, ndërsa 16% deklaruan se ishin deri diku të kënaqur. Vetëm 1% e vizitorëve shprehën pakënaqësi. Festivali rezultoi i suksesshëm dhe i qëndrueshëm, gjë që dëshmohet nga fakti se rreth 91% e pjesëmarrësve planifikojnë të kthehen sërish vitin e ardhshëm”, shkruhet në raportin ku llogariten edhe shpenzimet ditore të vizitorëve.

“Shpenzimet mesatare ditore të vizitorëve që janë banorë të Prizrenit gjatë ‘DokuFest 2025’ ishin 52.7 euro, ndërsa të vizitorëve nga vendet jashtë Prizrenit ishin 102.2 euro. Vizitorët nga vendet jashtë Prizrenit shpenzuan kryesisht për akomodim (27.1% e shpenzimeve), si dhe ushqim dhe pije (23% e shpenzimeve), duke treguar kështu se këto dy kategori përbëjnë gjysmën e shpenzimeve të tyre gjatë qëndrimit në Prizren”, shkruhet më tej në raportin e institutit “GAP”.

Jehona e “DokuFestit” në Prizren e jashtë tij është padiskutueshme. Por sivjet i qartë ka qenë edhe interesimi i publikut në qytetin që festivali e ka bërë të njohur në skenën ndërkombëtare dhe e ka vendosur si hapësirë të rëndësishme të kinematografisë në botë.