Kulturë

OJQ-të i kërkojnë llogari Komunës së Prizrenit për mbi 1.3 milionë euro

OJQ-të i kërkojnë llogari Komunës së Prizrenit për mbi 1.3 milionë euro

Sipas listave të përfituesve të publikuara më 25 maj të këtij viti, 61 organizata në fushën e kulturës janë subvencionuar nga Komuna e Prizrenit me 741 mijë e 600 euro. Në sport 78 organizata kanë marrë 522 mijë e 700 euro e në rini 25 subjekte janë përkrahur me 83 mijë e 500

Nëntëmbëdhjetë organizata që veprojnë kryesisht në Prizren janë “në pritje të një përgjigjeje të qartë dhe publike” nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport të kësaj komune “në lidhje me shqetësimin dhe kërkesën për llogaridhënie publike lidhur me vendimet që kanë prekur drejtpërdrejt mbështetjen për organizatat dhe iniciativat” e tyre. I janë drejtuar kësaj drejtorie me një letër të hapur, e cila të mërkurën është shpërndarë nga ekipi i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest” dhe pikërisht te kjo ngjarje nis edhe krejt ky rast e që sipas organizatave nënshkruese nuk është rast i izoluar.  Në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, lista e përfituesve të subvencioneve u publikua në fund të majit. Janë shpërndarë mbi 1.3 milionë euro për organizata dhe individë. Janë 61 përfitues në fushën e kulturës, 78 në sport dhe 25 në rini. 

“Pas publikimit të vendimit për shkurtimin e mbështetjes financiare për ‘DokuFest’, një festival me ndikim të jashtëzakonshëm në jetën kulturore dhe ekonomike të qytetit, dhe pas reagimeve publike nga qytetarë dhe përfaqësues të sektorit të pavarur kulturor dhe sportiv, është bërë e qartë se ky nuk është një rast i izoluar. Përkundrazi, ka krijuar një ndjenjë të përgjithshme padrejtësie, pasigurie dhe mungese transparence në mënyrën si trajtohen iniciativat kulturore, sportive dhe rinore në qytet”, shkruhet në letrën e hapur. 

Dy javë më parë, “DokuFesti” reagoi se me gjithë rritjen e buxhetit të përgjithshëm për kulturë, shuma e ndarë për këtë festival “është ulur për gati 30 për qind në krahasim me vitin e kaluar, duke përbërë kështu më pak se 9 për qind të buxhetit të përgjithshëm të festivalit”. 

“Kjo është hera e dytë radhazi që Komuna zgjedh të shkëpusë mbështetjen për një festival që tash e 24 vjet ka qenë boshti kryesor kulturor i qytetit dhe një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Evropën Juglindore”, shkruhej në reagimin e “DokuFestit” në lidhje me ndarjet buxhetore të Komunës së Prizrenit, që ka vendosur për më shumë buxhet ndaj ngjarjeve në fillet e tyre. Me 51 mijë euro është përkrahur “DokuFest” për sivjet. Me 119 mijë euro është mbështetur festivali “Rock&Blues”, që këtë vit numëron edicionin e tretë. Festivali ndërkombëtar i teatrit të hapur “Prizren Fest” është përkrahur me 90 mijë euro për edicionin e katërt, kurse me 60 mijë euro festivali “Zambaku i Prizrenit” për edicionin e 36-të. Lista e fituesve të subvencioneve është e gjatë. Midis fituesve më të mëdhenj janë të afërmit e atyre që kanë lidhje me menaxhmentin aktual të Komunës. Sipas organizatorëve s’bëhet fjalë veç për çështje buxhetore. Buxheti total i “DokuFestit” vitin e kaluar, përfshirë donacionet, ka qenë 861 mijë euro. Prej Komunës së Prizrenit ishte përkrahur me 70 mijë euro, njësoj sikurse më 2023. 

“Ne mendojmë që kjo nuk është vetëm një çështje buxhetore, por është një vendim që godet themelet kulturore të qytetit tonë dhe është në kundërshtim me gjithçka që kemi ndërtuar bashkë për afro çerekshekulli. Secilin vit në gusht, ‘DokuFest’ ka promovuar Prizrenin duke e transformuar në një hapësirë kulturore ndërkombëtare, me shfaqje të filmave, performancave, punëtorive, ekspozitave dhe debateve”, shkruhej në reagimin e “DokuFestit”. Disa ditë pas reagimit të “DokuFestit”, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, kishte dhënë një përgjigje të shkurtër për KOHËN. 

“Së pari ju njoftoj se informatat që i keni nga ‘DokuFesti’ nuk janë të vërteta”, ka shkruar Totaj në postën elektronike. Nuk ka folur me shifra, por sipas tij përkrahja është rritur shumë.   
“Përkrahja për ta është rritur shumë krahasuar me mandatin para meje dhe atë deri me 1000%!”, ka shkruar ai. 

Por tash organizatat, në letrën e hapur kanë shkruar se besojnë fuqishëm “se fondet publike duhet të menaxhohen në mënyrë të drejtë, transparente dhe me vizion afatgjatë për zhvillimin e qëndrueshëm kulturor dhe rinor” të Prizrenit. Për këtë, në fund të letrës së hapur kanë renditur tri kërkesa. 

“Sqaroni publikisht arsyet e vendimeve për shkurtimin e mbështetjes për organizatat dhe ngjarjet kulturore, sportive dhe rinore”, është kërkesa e parë pasuar prej asaj për publikimin e kritereve dhe argumenteve të komisionit mbi të cilat është bazuar vendimi për ndarjen e buxhetit për vitin 2025. 

“Rishqyrtoni me urgjencë këtë vendim të ngutshëm mbi ndarjen e subvencioneve, duke marrë parasysh ndikimin real dhe afatgjatë të organizatave dhe aktiviteteve që ato zhvillojnë”, është kërkesa e tretë. 

Në fund të letrës së nënshkruar nga nëntëmbëdhjetë organizata kërkohet që DKRS të “veprojë me përgjegjësi institucionale dhe në frymën e bashkëpunimit, për të siguruar një mjedis të drejtë, gjithëpërfshirës dhe mbështetës për të gjitha iniciativat që kontribuojnë në mirëqenien kulturore, sportive dhe rinore”. 

Sipas listave të përfituesve të publikuara më 25 maj të këtij viti, 61 organizata në fushën e kulturës janë subvencionuar me 741 mijë e 600 euro. Në sport 78 organizata kanë marrë 522 mijë e 700 euro e në rini 25 subjekte janë përkrahur me 83 mijë e 500 që në total – në këto tri fusha – janë 1 milion e 347 mijë e 300 euro.