Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Personalitetet e vitit 2022: Petrit Halilaj – Pikturuesi i qiellit

Petrit Halilaj gjatë verës së vitit 2022 i është kthyer Prishtinës. Kësaj radhe jo për pushime, por për t’i sjellë një energji të re kryeqytetit të shtetit më të ri në Evropë.

Ka ngjallur shpresë me “Kur dielli të perëndojë, do ta pikturojmë qiellin”. Këtë fjali e ka vendosur në majë të ndërtesës më ikonike të Prishtinës, hotelit “Grand”. Në kuadër të bienales nomade “Manifesta”, që prej fundit të korrikut deri në fund të tetorit e ka shndërruar kryeqytetin në muze të hapur të artit bashkëkohor, Halilaj ka qenë kryefjala. Fëmija i Runikut të Skenderajt e artisti i botës, nëpërmjet intalacionit të tij ka bërë thirrje për një pakt kolektiv të të menduarit të së ardhmes.

Më 2013 ai e ka përfaqësuar Kosovën kur shteti për herë të parë ka marrë pjesë në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Atje kishte ndërtuar kasolle me drurë e lloç prej fshatit të tij. E artisti me bazë në Gjermani në verën e 2022-tës ka dhenë shpresë në Kosovë. Njëkohësisht ka bërë thirrje për reflektim me “pikturimin” e qiellit e me zbritjen e yjeve në tokë.