Kulturë

Çmimi botëror – njohje e artit të jashtëzakonshëm të Petrit Halilajt

Petrit Halilaj: “Mënyra më e mirë për ta bartur këtë çmim ose për ta shndërruar nga një mirënjohje personale në një ëndërr kolektive nuk e di si është ndryshe, pos t’ia kaloj Kosovës, kulturës në Kosovë, ‘Hajde’ si fondacion”

Petrit Halilaj: “Mënyra më e mirë për ta bartur këtë çmim ose për ta shndërruar nga një mirënjohje personale në një ëndërr kolektive nuk e di si është ndryshe, pos t’ia kaloj Kosovës, kulturës në Kosovë, ‘Hajde’ si fondacion”

“Ende nuk po besoj që është e vërtetë”, ka thënë Petrit Halilaj në një deklaratë për KOHËN, të enjten vonë, disa orë pasi është shpallur laureat i çmimit prestigjioz për skulpturë “Nasher”. Arsyetimet e jurisë janë një varg zbërthimesh të veprës dhe artit të tij që nuk i shkëputet Kosovës, luftës, por që ka fuqinë e transformimit në ndjenjë e kërkim lirie. Shkaku i peshës së çmimit lajmi është dhënë edhe nga mediat më prestigjioze në botë, përfshirë edhe “The New York Times”. Shpërblimin do ta rikthejë në vendlindjen e tij dhe ka disa arsye për këtë. E shndërron “nga një mirënjohje personale në një ëndërr kolektive”

Petrit Halilaj dhe krijimtaria e tij artistike tashmë janë në një tjetër dimension. Veprat e artistit nga Kosova nuk i shpalosin botës veç historitë e ëndrrat e kësaj ane, por shërbejnë edhe si frymëzim krijimtarie e mesazhe paqeje gjithandej globit.

Një tjetër konfirmim i rëndësishëm për nivelin botëror të Halilajt është bërë i ditur të enjten. Halilaj, i lindur në Runik më 1986, është laureat i çmimit prestigjioz për skulpturë “Nasher”. Qendra për skulpturë me të njëjtin emër, me seli në Dallas, ia ka akorduar këtë çmim për vitin 2027 Halilajt, duke e arsyetuar vendimin me krijimtarinë e tij ku shpalosen përvojat e dhimbjes, momentet e gëzimit, butësia njerëzore e thirrjet për paqe.

Çmimi i themeluar më 2015 është një shpërblim i dedikuar ekskluzivisht për përsosmërinë në skulpturën bashkëkohore. Duke qenë laureat i këtij çmimi, Halilaj ka hyrë në radhën e artistëve me renome si: Otobong Nkanga, Senga Nengudi, Nairy Baghramian, Michael Rakowitz, Isa Genzken, Theaster Gates, Pierre Huyghe, e Doris Salcedo. Shkaku i peshës së çmimit që ndahet nga Qendra e themeluar më 2003, lajmi është dhënë edhe nga mediat më prestigjioze në botë, përfshirë edhe “The New York Times”.

Arti që i flet së tashmes

“Në instalacionet dhe performancat e tij, ku vizatimet marrin një prani skulpturore dhe hapësira e imagjinatës çlirohet në kuptimin e plotë të fjalës, Petrit Halilaj zbulon se si përvojat e dhimbjes janë të pandashme nga momentet e gëzimit, butësisë dhe lidhjes njerëzore”, ka thënë drejtori i Qendrës, Carlos Basualdo. Sipas tij, veprat e Halilajt janë fort domethënëse në këto ditë, si për përkushtimin e thellë ndaj njerëzores së përvojës së jetuar, ashtu edhe për mënyrën se si krijojnë hapësira takimi që tejkalojnë kufijtë artistikë, kulturorë dhe gjeografikë.

“Me zgjedhjen e Halilajt, juria e çmimit ‘Nasher’ njeh veprën e tij si formalisht inovative dhe thellësisht të rëndësishme për momentin aktual”, ka thënë ai. Juria ndërkombëtare ka shumë arsye për vendimin e sivjetmë.

Sipas anëtarit të jurisë, Pablo León de la Barra, aftësia e Halilajt për të shndërruar përmbajtje të rënda dhe një histori personale traumatike në vepra poetike, lozonjare dhe të bukura, është një dëshmi e fuqisë së tij artistike për të bashkuar historinë dhe faktin me imagjinatën dhe kujtesën

“Gjithnjë flasim për faktin se artistët kanë kapacitetin që të kapin çiltërsinë e fëmijërisë dhe Petriti realizon vepra që bazohen në përvojën e tij si fëmijë i detyruar që ta lërë shtëpinë e tij në Kosovë për të jetuar në një kamp refugjatësh ku realizoi vizatimet e tij e po ashtu duke marrë për bazë vizatimet e fëmijëve të tjerë, ai përdori këto materiale për të realizuar skulptura madhështore”, ka thënë Sir Nicholas Serota,  anëtar i jurisë, njëherësh kryetar i Këshillit të Arteve të Anglisë.

Halilaj është vlerësuar se tashmë është në periudhën e një zhvillimi madhështor.

“Ne donim të zgjidhnim dikë që aktualisht po bën vepra shumë të rëndësishme, performanca e skulptura, por po ashtu që është në fillim të zhvillimit të tij të hovshëm”, ka thënë anëtarja e jurisë, Carolyn Christov-Bakargiev, drejtore emeritus e Muzeut të Artit Bashkëkohor, Castello di Rivoli në Torino të Italisë. Pos dyshes, lista e jurisë është e gjatë dhe ky organ midis të tjerash përbëhet edhe nga artisti Nairy Baghramian, kuratorja kryesore e Galerisë Kombëtare të Arteve në Washington, Lynne Cooke, profesori i historisë së artit në University College në Londër, Yuko Hasegawa, profesoresha për teorinë dhe praktikën kuratoriale në atë që është Shkolla Pasuniversitare të Menaxhimit në Universitetin e Kiotos e njëherësh drejtoreshë e Programit të Artit dhe Dizajnit në Shtëpinë Ndërkombëtare të Japonisë, si dhe  Pablo León de la Barra, kurator i përgjithshëm në sektorin e Amerikës Latinë në muzeun “Guggenheim” në New York.

Arsyetimi që Qendra e Skulpturës në Dallas ia ka bërë ndarjes së çmimit me vlerë monetare prej 100 mijë dollarësh, për Halilajn është i gjatë. Institucioni vlerëson se duke përdorur një gamë të gjerë gjuhësh artistike – skulpturë, vizatim, tekst dhe performancë – Halilaj i shndërron shenjat dhe simbolet e pafajësisë në peizazhe ëndrrash tredimensionale dhe instalacione shumështresore që përfshijnë rrëfimin dhe performancat mitike, duke përdorur simbolizmin dhe fantazinë si forca shprese dhe shërimi. Më pas kalohet edhe nëpër biografinë e tij prej kohës kur si fëmijë u detyra që së bashku me familjen të përjetonte dhunën dhe detyrimin për t’u shpërngulur drejt Shqipërisë shkaku i forcave serbe, kohë kjo kur edhe shtëpia e tyre u dogj. Përmendet edhe psikologu italian Giacomo Poli, i cili udhëhiqte një punëtori arti për fëmijët refugjatë.

E kaluara prekëse si mjet për liri

“Poli e inkurajoi të vizatonte kujtimet dhe ëndrrat e tij si një mënyrë për të përpunuar traumën, një mësim që ai e ka mbajtur afër gjatë gjithë karrierës. Në moshën 18-vjeçare u transferua në Itali për të studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura të Breras në Milano, ndërsa në vitin 2009 u vendos në Berlin, ku njohja e tij si artist inovativ u rrit me shpejtësi”, shkruhet në arsyetim. Sipas Qendrës, Halilaj ka aftësi jashtëzakonisht prekëse që të kaluarën e tij ta shndërrojë në mjet për kërkim të lirisë.

Përmendet se në vitin 2023, për një ekspozitë retrospektive në muzeun “Tamayo” në qytetin e Meksikos, Halilaj instaloi një vizatim në shkallë të gjerë mbi një aeroplan “Boeing 747” të flotës ajrore të “Aeromexico”, duke e shndërruar atë në një skulpturë fluturuese që kalonte kufijtë e Amerikës gjatë gjithë periudhës së ekspozitës, duke aluduar mbi pamundësinë e lirisë së udhëtimit për qytetarët kosovarë.

“Aftësia e Halilajt për ta shndërruar vizatimin në skulpturë përbën një nga arritjet e tij më të jashtëzakonshme. Për Komisionimin e Kopshtit të Çatisë në Muzeun Metropolitan të Artit në vitin 2024, me titull ‘Abetare’, artisti rifilloi një projekt të vitit 2015 me të njëjtin emër, duke regjistruar mijëra vizatime nga bankat e shkollës, të krijuara ndër breza – fillimisht në Kosovë e më pas në gjithë Ballkanin – të cilat u shndërruan në skulptura prej çeliku inoksi dhe bronzi. Në këto vepra, Halilaj sjell fuqinë e imagjinatës së fëmijërisë dhe kujtesës, duke i ngritur vizatimet e thjeshta të ditës shkollore në shenja të historisë, kulturës dhe universalitetit”, shkruhet në arsyetim. Juria ka marrë në konsideratë dhe ka “rilexuar” krejt ekspozitat e Halilajt, përfshirë “Shkrepëtimën”  në vitin 2018, kur ai u përqendrua në vendlindje tij, saktësisht në Shtëpinë e Kulturës, e cila është një simbol i kujtesës por që u shkatërrua gati krejtësisht gjatë luftës së fundit në Kosovë. Përmendet edhe vepra e tij e sivjetshme në fshatin Syriganë të Skenderajt.

Petrit Halilaj 13 vjeç në radhën e refugjatëve duke pritur për ushqim dhe ndihma humanitare, Kukës 1999  (Foto: Andrew Testa / Panos Pictures)  

“’Syrigana’ rishkruan një legjendë kosovare ku Adami dhe Eva shkojnë në fshatin Syriganë për t’u martuar pasi janë dëbuar nga Edeni. Shfaqja, e interpretuar në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës, përbën qendrën e ekspozitës ‘An Opera Out of Time’ në Hamburger Bahnhof, e hapur nga shtatori 2025 deri në maj 2026”, shkruhet në arsyetim.

“Ai na rikthen gëzimin e rindërtimit...”

Sipas anëtarit të jurisë, Pablo León de la Barra, aftësia e Halilajt për të shndërruar përmbajtje të rënda dhe një histori personale traumatike në vepra poetike, lozonjare dhe të bukura është një dëshmi e fuqisë së tij artistike për të bashkuar historinë dhe faktin me imagjinatën dhe kujtesën. 
“Përmes veprës së tij, duke u dhënë formë traumave të fëmijërisë, luftës dhe shpërnguljes, ai na e rikthen gëzimin e rindërtimit dhe mundësitë që arti na ofron për të rindërtuar veten dhe marrëdhëniet tona brenda një shoqërie të thyer”, ka thënë ai.

Artisti Petrit Halilaj, shqiptari më i njohur në botën e artit, ka thënë se këtë çmim nuk e ka pritur për asnjë moment.

Halilaj: “Ende nuk po besoj që është e vërtetë”

“Është çmim tepër i rëndësishëm duke marrë parasysh që jepet për kontributin për skulpturë në nivel botëror, duke marrë parasysh që kush janë laureatët e deritashëm. Jam tejet i nderuar dhe e mirëpres këtë çmim”, ka thënë ai për KOHËN. “Ende nuk po besoj që është e vërtetë”, ka shtuar shpejt ai. Sipas tij, nuk i besohet se puna dhe mundi i këtyre viteve, i familjes, miqve dhe kolegëve artistë bashkë me të gjithë ata që kanë fluturuar me të në realizimin e ëndrrave është njohur nga çmimi “Nasher”.

“Normalisht mënyra më e mirë për ta bartur këtë çmim ose për ta shndërruar nga një mirënjohje personale në një ëndërr kolektive nuk e di si është ndryshe pos t’ia kaloj Kosovës, kulturës në Kosovë, ‘Hajdes’ si fondacion”, ka thënë ai. Në këtë rast ka treguar se Fondacionin e presin dy vjet shumë të mira me një program që Halilaj shpreson të zhvillohet në Shtëpinë e Kulturës në Runik.

“E kemi një ekip të ri të punës dhe me këtë fond do të jetësojmë ëndrrën që në Shtëpinë e Kulturës në Runik dhe në hapësirën e fondacionit ‘Hajde’, në hotelin ‘Grand’, të krijojmë dy pozita pune: një për menaxher të projekteve dhe një për kurator ose drejtor artistik, që do t’i ketë detyrat e hartimit të planit të punës për Shtëpinë e Kulturës në Runik dhe në hapësirën në hotelin ‘Grand’”, ka thënë ai.

Halilaj njihet si artist, i cili copëzat e ëndrrave e përvojën e fëmijërisë di ta pajisë mirë me poetikën e artit e t’ia prezantojë botës nëpërmjet veprave shumështresore. Ta zëmë, ka marrë tulla nga Shtëpia e Kulturës në Runik të Skenderajt dhe ato janë pjesë e “Një operë në tejkohësi” në “Hamburger Bahnhof”, ekspozitës që po qëndron e hapur në institucionin prestigjioz në Berlin.  I ka ruajtur prej 2018-s. Në shikim të parë mund të duken si mbeturina inerte. Por rrëfimi prapa tyre është i vjetër e domethënës. Institucionet shtetërore të Kosovës bashkë me fondacionin “Hajde” të themeluar nga Halilaj janë në punë e sipër për të restauruar Shtëpinë e Kulturës në Runik. U mbyll në fillim të viteve ’90 nga regjimi i Serbisë. Shqiptarët u dëbuan nga puna, u përjashtuan nga institucionet dhe trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë. Shtëpia e Kulturës pësoi në luftë me 10 mijë viktima civile në vitet 1998-1999. Kjo gjendje erdhi pasi fillimisht u mohua liria e shprehjes. Mbetjet e Shtëpisë së Kulturës në ekspozitë estetikisht duken si të shkëputura nga një mur i instaluar brenda “Hamburger Bahnhof”. Është skulptura monumentale e vetme që s’është për shitje në metropolin evropian. Kësisoj pasi tullat do të kthehen për t’i hyrë në punë restaurimit të Shtëpisë së atij komuniteti që jeton në fshatrat përreth.

Fakti që Halilaj shumën monetare të çmimit ia kushton Fondacionit dhe rifunksionalizimit të Shtëpisë së Kulturës në Runik është përmendur edhe në “The New York Times”. Rrëfimet e Halilajt ka kohë që kanë vlerë në botë e, në anën tjetër, përvojat e tij në të katër anët e globit Halilaj vazhdimisht i vë në shërbim të vendlindjes së tij.