Kulturë

Petrit Halilaj ia dhuron shtetit qiellin e tij të yjeve

“Kur dielli të ikë do ta pikturojmë qiellin” ndezi dritat majë “Grandit” më 22 korrik, kur nisi “Manifesta 14” në Prishtinë. Për 100 ditë kjo vepër mori vëmendje duke u bërë ndër kryesoret e Bienales Nomade Evropiane. Vazhdon të shkëlqejë, e autori i saj, artisti i njohur Petrit Halilaj, ka marrë vendim për të. Ia ka dhuruar shtetit. Ashtu sikurse me veprën e tij, edhe me dhurimin përcjell shumësi mesazhesh. Ndër to edhe thirrja për shkëlqim të përhershëm

Thirrja e Petrit Halilajt për qiell të ri shkon përtej një apeli për shoqërinë. Fjalia e tij “Kur dielli të ikë do ta pikturojmë qiellin”, nuk do të mbesë vetëm njëri prej tregimeve të shtresuara përkohësisht gjatë vitit 2022 nga bienalja nomade “Manifesta” në Prishtinë. Vepra e Halilajt do të mbesë edhe për një vit aty ku është, mbi hotelin “Grand”.

Por historia nuk përfundon me kaq. Halilaj ka shkuar më tej. Fjalinë që mori vëmendjen e mediave botërore që raportuan për “Manifesta 14” ia ka falur koleksionit shtetëror të veprave të artit të Kosovës.

“Është xixëllimë në zemër nga gëzimi që të kem mundësi t’ia dhuroj punën ‘Kur dielli të ikë do ta pikturojmë qiellin’ Koleksionit Shtetëror të Artit të Republikës së Kosovës, pasi që vetë projekti është rezultat i njerëzve, energjisë dhe entuziazmit e vizionit të qytetarëve me të rinj të Evropës”, ka thënë Petrit Halilaj.

Artisti nga Kosova, i cili jeton midis Berlinit dhe vendlindjes është prej emrave me nam botëror sa i përket botës së artit bashkëkohor.

Nëpërmjet fjalisë majë “Grandit” ai bën thirrje për një bashkim e diskutim shoqëror sa i përket të ardhmes e identitetit që po krijon shteti.

“Ne si shoqëri jemi në një fazë të krijimit të identitetit. Secili qytet është duke e gjetur veten në një epokë të re. E për mua është nder e kënaqësi të jem pjesë e këtyre hapave. Të njëjtat pyetje që shtrohen për ‘Grandin’ që nuk dihet se nga është duke shkuar, mund t’ia shtrosh vetes si person apo edhe për qytetin”, kishte shpjeguar Halilaj në korrik. Sipas tij, njerëzit mund të shkëlqejnë edhe në Kosovë e jo të vazhdohet me këtë trend migrimi. Halilaj beson shumë në krijimet kolektive.

“Është shumë më lehtë të bëjmë diçka bashkë sesa kur mundohesh të thuash diçka. Kur kam menduar diçka për një qiell të ri në Prishtinë kam dashur ta bëj me krejt qytetarët”, kishte treguar ai, derisa yjet i kishte shpërndarë gjithandej ndërtesës së hotelit si thirrje për shkëlqim.

Ka thënë se e falënderon shumë Ministrinë e Kulturës dhe “Manifesta 14” për iniciativën edhe vendimin që disa nga punët në hapësira publike të mbeten edhe për një vit të ekspozuara.

“Në rastin e punës sime ka pasur aq shumë njerëz të përfshirë edhe kemi punuar aq shumë së bashku që nga ana konceptuale, inspirimi, prodhimi, e adaptimi i saj ‘site specific’ në qytet e në ndërtesë. Komunikimi përmes fjalëve me njerëz e përgjigjja e tyre për qiellin e ri, saqë me pasë mundësi me e pa punën edhe një vit tash gjatë dimrit me borë, në pranverë e në verë e vjeshtë, me qiellin gjithmonë ndryshe, është një përjetim shumë i veçantë i veprës”, ka thënë ai.

Ka rrëfyer se është ftuar që këtë qiell me yje ta dërgojë edhe në vende të tjera, në muze e koleksione të ndryshme. Ekspozimet gjithandej do të nisin sivjet.

“Vende të cilat e mbështetin projektin duke ekspozuar yje të njëjta si ata të ‘Grandit’. Me të njëjtën formë e dritë, por me një kompozim ndryshe, që ndërlidhet me Prishtinën, por në të njëjtën kohë xixëllojnë të pavarur nëpër kontekste të reja e vende të reja”, ka thënë ai.

Ka treguar se zakonisht bienalet përfundojnë në ditën e mbarimit të tyre dhe qëllimi që disa vepra të mbesin e pyetjet që shtrohen për Kosovën – çka pas “Manifestës” – janë shumë të rëndësishme. Ka thënë se përulet para iniciativave si ajo e formimit të koleksionit të artit dhe inicimi i Muzeut të Artit Bashkëkohor, dhe ka thënë se është i nderuar që ka pasur mundësi ta dhurojë këtë vepër duke shpresuar që ky koleksion do të bëhet relevant në shtet, rajon e në nivel ndërkombëtar. Halilaj është pjesë e Këshillit iniciues për themelimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor.

“Është sfidë jashtëzakonisht e madhe për ekonominë tonë, kështu që duhet guxim i madh, andaj kam pasë dëshirë me e dhuru një punë që fizikisht (e shpirtërisht për mua) nuk është e vogël”, ka thënë ai.

Fjalia në “Grand” është thirrje e përditshme për shoqërinë.

“Ne pikturojmë qiellin e qielli pikturon yjet çdo ditë e moment të ditës e natës, ngjyra, ngjyra”, ka përfunduar artisti.

Halilaj, i cili është artisti që e përfaqësoi Kosovën në debutimin e saj në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, në edicionin e 55-të, më 2013, ishte interesuar fort që ta vlerësonte atë që ka mbetur jo veç në ”Grand” e në qytet, por edhe përtej. Kishte shikuar historinë e “Grandit”, shkëlqimin e dikurshëm e gjendjen në të cilën është sot. Kishte thënë se diskutimi se çfarë duhet bërë me këtë ndërtesë duhet të bëhet sa më shpejt.

“A po e ndiejmë si tonën apo çfarë po bëjmë me të?”, kishte pyetur Halilaj, i cili më 2021 pushtoi mediat botërore duke e rivendosur Kosovën në botën elitare të artit me “Very volcanic over this green feather”, e hapur në mestetor në “Tate St Ives” në St. Ives të Cornwallit. Aty ai shpalos rrëfimin e tij unik për luftën në Kosovë më 1998-1999 dhe këtë e bëri mjeshtërisht duke iu rikthyer vizatimeve në kohën kur ishte refugjat.

Trashëgimi të luftës së fundit në Kosovë bart edhe hoteli “Grand”. Në vitet ’90 ishte shndërruar në çerdhe të ushtarakëve e çetnikëve serbë.

E pas luftës jeta është organizuar ndryshe. Janë shpalosur ëndrra të mëdha. Nxënësja 12-vjeçare Njomza Vitia e kishte shkruar një hartim me titullin “Kur dielli të ikë do ta pikturoj qiellin”. E kur Halilaj e kishte lexuar atë i ishte dukur sikur ta ketë shkruar krejt shoqëria kosovare. Dhe, pos gjatë “Manifesta 14”, vendosi që duke ia dhënë këtë vepër Kosovës të bëjë thirrje të përhershme për shkëlqim, bash si 27 yjet e tij nëpër ndërtesën ikonike.