Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili garon për mandat të dytë në këtë detyrë me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ka njoftuar të enjten për riparimin e çatisë së Pallatit të Rinisë në kryeqytet.
Ai, në një videoadresim të postuar në rrjetin social Facebook, ka theksuar se është evituar dëmi që ka shkaktuar rrjedhje të ujit në pallat, teksa ka siguruar që artistët do të jenë të sigurt.
Tek ka folur në videoadresim për punën e tij si kryetar i Komunës, Rama ka deklaruar se ndryshimet për të mirë janë tanimë të dukshme në çdo lagje të Prishtinës.
“Transformimi po ndodh me ndërtimin e arterieve kryesore, unaza e brendshme, lidhja e rrugës B me rrugën A dhe rrugës A me Veterrikun, e ishullin urban. Kurse të gjithë munden me lëvizë me biletë të integruar ku të ka qejf. Shëndeti s’ka orar, por Prishtina kujdeset… Qendra mjekësore 24-orëshe, vizita në shtëpi për të moshuarit, mbështetje për lehonat e përtej… Nxënësit e Prishtinës përgatiten për botën e së nesërmes. Tabelat e mençura, mësim tërëditor, shujtat e ngrohta e kurrikula digjitale”, ka theksuar ai, në një tjetër videoadresim.
Fushatë LDK-ja ka pasur të enjten edhe në Fushë-Kosovë. Besnik Osmani, kandidat i LDK-së për kryetar të kësaj Komune, ka premtuar investime në edukimin parashkollor, duke përfshirë rritjen e mbështetjes për çerdhet dhe për kopshtet, si dhe krijimin e hapësirave të reja publike.
“Angazhimi ynë do të jetë rritja e mbështetjes për çerdhet dhe kopshtet, krijimi i hapësirave të reja publike dhe sigurimi i kushteve më të mira për edukatoret dhe stafin”, është shprehur ai.
E në Lipjan, kandidati i LDK-së për kryetar të komunës, Imri Ahmeti, ka përmendur projekte të reja teksa është zotuar për zhvillimin e qytetit nëpërmjet investimeve që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
“Në qytetin e Lipjanit do të hapen dhe ndërtohen rrugë të reja, siç është në lagjen Mostina, nga rruga Bajram Curri deri te rruga Hajradin Bajrami. Projektimi, shpronësimi dhe ndërtimi i kësaj rruge do të fillojë në viti 2026”, ka thënë Ahmeti.
Jeton Mushkolaj, i cili është kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës së Deçanit, ka bërë vizitë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Strellc të Epërm, teksa ka premtuar se do ta shndërrojë këtë fshat në prioritet të qeverisjes së tij.
“Strellci i Epërm ishte ndalesa jonë e radhës, mes bizneseve e njerëzve që mbajnë veten e familjet e tyre, zotohemi sot para tyre se do të jemi pranë secilit që ka nevojë për mbështetjen e pushtetit të mirë, të cilën e ofron vetëm ne me ofertën tonë për qeverisjen e mbarë të Deçanit”, ka thënë Mushkolaj.
E në Prizren, kandidati për kryetar të Komunës, Driton Selmanaj, ka bërë zotimin për ta shndërruar qytetin në epiqendrën e së ardhmes digjitale. Ai e ka paralajmëruar ndërtimin e një ministadiumi modern për E-sporte, e cili, sipas tij, do të ketë kapacitet prej 200–500 vendesh, do të jetë i pajisur me PC gaming, konsola, ekrane LED dhe sistem audio të avancuar.
“Ky projekt nxit kulturën digjitale, zhvillon industrinë e lojërave si sektor i ri ekonomik dhe e promovon Prizrenin si qendër rajonale për E-Sports dhe ngjarje rinore ndërkombëtare. Me E-Sport Gaming Festival, rinia jonë do të ketë më shumë mundësi për të krijuar, garuar dhe shkëlqyer në skenën globale”, është shprehur Selmanaj. Në Viti, kandidati për kryetar të Komunës, Sokol Haliti, ka thënë se nuk do të kursejnë gjë për mbrojtjen e natyrës me qëllim që t’i jepet “frymë pyjeve, lumenjve e maleve” dhe për “t’ia kthyer qytetarit dinjitetin që e meriton”.
