Zgjedhjet lokale

Rama prezanton fond emergjent për Prishtinën në vlerë 50 mijë euro

Perparim Rama

Kryetari i Prishtinës dhe kandidati i LDK-së për një mandat tjetër, Përparim Rama, ka prezantuar të martën idenë për krijimin e fondit emergjent prej 50 mijë eurosh, që do të shërbejë për reagim të shpejtë në raste të fatkeqësive natyrore.

Nëpërmjet këtij fondi, sipas tij, Prishtina do të jetë më e përgatitur për t’u përballur me situata emergjente.

“Për herë të parë në kryeqytet është krijuar një fond emergjent prej pesëdhjetë mijë eurosh në raste të fatkeqësive natyrore, aksidenteve të mëdha apo situatave të tjera të jashtëzakonshme, që rrezikojnë sigurinë publike. Prishtina përtej befasive emergjente”, ka thënë Rama.

Në Mitrovicë, kandidati Gëzim Plakolli u ka premtuar banorëve të fshatit Melenicë se me qeverisjen e tij nuk do të përballen më me mungesë të ujit e të energjisë elektrike. 

Gjatë një vizite në këtë zonë, ai ka parë nga afër kushtet me të cilat jetojnë banorët, tek ka thënë se LDK-ja do të jetë zëri i këtyre banorëve.

“Këto kushte të rënda ua pamundësojnë atyre jo vetëm jetën e përditshme, por edhe zhvillimin e biznesit familjar. Është e papranueshme që në vitin 2025, qytetarët tanë ende të përballen me mungesa elementare. LDK do të jetë zëri i këtyre banorëve, sepse askush nuk duhet të mbetet i harruar, as në Melenicë, as askund tjetër në Mitrovicë”, ka thënë Plakolli.

E në Istog, Ilir Ferati ka prezantuar projektin prej 3.5 milionë eurosh për Bollovanin, që do të përfshijë ndërtimin e nga një fushe futbolli, tenisi, basketbolli, si dhe një shteg për ecje.

“Investim që kthen natyrën në hapësirë zhvillmi dhe mirëqenie për qytetarët. Një destinacion që hap horizonte të reja për rritje ekonomike dhe atraksione turistike. Ballovani është një vizion që rrit mirëqenien sot dhe trashëgon mundësi të reja për gjeneratat e ardhshme”, është shprehur Ferati.

Projekt me fokus sportin ka prezantuar në Junik edhe kryetari i kësaj komune dhe kandidati për mandat të ri, Ruzhdi Shehu. Ai ka premtuar edhe ndërtimin e një fushe të hapur sportive në shkollën fillore “Edmond Hoxha”, në vlerë 130 mijë euro.

“Kjo fushë do t’u ofrojë nxënësve kushte moderne për edukatë fizike, sporte dhe aktivitete që i ndihmojnë të rriten të shëndetshëm dhe të suksesshëm. Po ashtu në lagjen Berishë do të krijojmë një hapësirë rekreative, një kënd lojërash për fëmijë dhe një fushë sportive të hapur për të rinjtë”, ka deklaruar Shehu.

Kandidati i LDK-së për Prizrenin, Driton Selmanaj, është zotuar për investime në zhvillimin e rajonit të Zhupës, me fokus në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zgjidhjen e problemeve, që, sipas tij, janë trashëguar ndër vite.

“Për regjionin e tuaj, rajonin e Zhupës që njihet, është lënë mbas dore në investime gati të çfarëdolloj. Kemi planifikuar po ashtu që Qendra e Mjekësisë Familjare që është në Reqan me punu 24 orë. Andaj kemi nevojë për mbështetjen e tuaj, nëse të tjerët ju kanë premtuar përpara, por 18 vjet kanë dështuar me i adresu ato, unë po ju lutem të mos i jepni shans më”, ka thënë Selmanaj.

Sokol Haliti ka prezantuar projektet që janë realizuar gjatë qeverisjes së tij në Viti dhe ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve për një mandat të ri.

“Çdo projekt është dëshmi e përkushtimit, vizionit dhe punës sonë për qytetin e Vitisë. Bashkë kemi ndërtuar, zhvilluar dhe transformuar, me zemër, me përgjegjësi dhe me synimin për një të ardhme edhe më të mirë. Vitia ecën përpara, sepse puna flet vetë. Ju e dini pse duhet të na besoni përsëri: sepse ne nuk japim fjalë boshe, por kemi dhënë rezultate që shihen dhe preken, e kemi dëshmuar veten me punë e me besë”, është shprehur Haliti.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, ka premtuar për fshatin Malishevë ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës dhe zgjerimin e rrugës Malishevë e Epërme – Capar.

 

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e 25-të e fushatës