Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar revistën e kryeqytetit, PrishtinArt. Ai ka thënë se në të do të përmblidhet e gjithë kultura e Prishtinës, duke përfshirë koncerte, ekspozita dhe libra.
“Për herë të parë në kryeqytet krejt kultura e kryeqytetit është e mbledhur në një revistë “PrishtinArt”. Dyqind faqe që i japin vend çdo koncerti, çdo ekspozite, çdo libri e çdo artisti të qytetit tonë të zemrës. Një pasqyrë e gjallë Prishtinës që krijon, dokumenton dhe frymëzon”, ka thënë Rama të martën.
Në Fushë-Kosovë kandidati Besnik Osmani ka thënë se shumë shpejt tregu i qytetit do të marrë pamje tjetër, me tezga të përshtatshme dhe nyja sanitare. Gjatë vizitës që ia bëri tregut, ai ka deklaruar se do ta shndërrojnë në një hapësirë të rehatshme dhe mikpritëse për qytetarët.
“Pazari është vendi ku bashkohen prodhuesit vendorë me prodhime të freskëta e cilësore, por edhe shitësit e gjësendeve të vjetra që mbajnë gjallë traditën tonë. Këtu qytetarët bëjnë pazaret e tyre, ndajnë buzëqeshje dhe takohen me dashamirësi. Shumë shpejt ky treg do të marrë pamje më të rregulluar, me tezga të përshtatshme dhe nyja sanitare moderne – duke u shndërruar në një hapësirë të rehatshme, dinjitoze dhe mikpritëse për të gjithë”, është shprehur Osmani.
Kandidati për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, ka bërë të ditur se ka përfunduar rikonstruksioni i rrugës Gaxherr–Bajraktar dhe ndërtimi i rrugës unazore, një premtim i dhënë para katër vjetësh.
Në Prizren, kandidati Driton Selmanaj ka prezantuar vizionin e tij për sektorin e shëndetësisë, duke premtuar barna falas, kujdes shëndetësor në shtëpi dhe AMF (Ambulancat e Mjekësisë Familjare) funksionale në çdo lagje të qytetit.
“Shëndetësia në Prizren do të ketë gjithmonë pacientin në qendër. Nga barnat falas, deri te kujdesi shëndetësor në shtëpi dhe AMF-të funksionale në çdo lagje, ne do të sigurojmë që çdo qytetar të ketë qasje të barabartë në shërbime të sigurta, dinjitoze dhe pranë vendbanimit të tij. Ky është vizioni ynë për një Prizren ku shëndeti i çdo qytetari vihet në radhë të parë, ku kujdesi shëndetësor nuk shihet si privilegj, por si e drejtë e barabartë për të gjithë”, ka thënë Selmanaj.
Në Shtime, kandidati Kastriot Shabani ka prezantuar projektin për ndërtimin e rrugës së re nga rrethi i Belincit deri te shkolla “Emin Duraku”, e cila do të ketë katër korsi, trotuare dhe shteg për biçikleta.
“Ky është vetëm një hap drejt një infrastrukture moderne që e meriton qyteti ynë”, ka thënë Shabani.
Gëzim Plakolli, kandidat për kryetar të Mitrovicës, ka prezantuar planin e tij për qeverisjen lokale, gjatë vizitave “derë më derë”. Ai ka thënë se Mitrovica ka nevojë për ndryshim të vërtetë.
“Ky ndryshim nuk vjen vetë, ai bëhet bashkë me ju”, ka thënë Plakolli.
E në Suharekë, kandidati Ardian Shala ka prezantuar projektin për qendrën inovative për të rinjtë e cila, sipas tij, do të shërbejë për zhvillimin e ideve që do të kthehen në projekte konkrete për komunën.
