Totaj prezanton projektin për “Bazhderhanën”

1 muaj më parë / 30 sht 2025 22:04
pdk

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, njëherit kandidat i PDK-së për një mandat tjetër, ka publikuar planin e tij për disa lagje në qytet. 

Ai ka thënë se do ta transformojë Bazhderhanën dhe lagjet përreth, e siç ka thënë ai, ky investim do t’i jap qytetit frymë të re kulturore, shoqërore dhe komunitare. 

“Projekti më i madh në historinë e qytetit – transformimi i Bazhdarhanës dhe lagjeve përreth – do ta kthejë këtë zonë në zemër moderne për qytetarët. Në hapësirën përballë Qendrës Sportive “Sezai Surroi” së shpejti do të ngrihet ndërtesa e re moderne e Komunës së Prizrenit, si dhe hapësira të gjelbra, shesh për familje e fëmijë, auditorium për 800 persona dhe 500 vendparkime nëntokësore. Ky investim do t’i japë qytetit frymë të re kulturore, shoqërore dhe komunitare, duke hapur rrugën drejt Prizrenit modern 2025-2029”, ka shkruar Totaj në Facebook.

 

AAK-ja premton siguri për nxënësit në shkollat e Prishtinës

1 muaj më parë / 30 sht 2025 21:22 Nga: Arianita Hoti
Beke Berisha

Bekë Berisha, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të së Prishtinës, e ka vendosur sigurinë në shkolla në qendër të programit të tij. Teksa ka treguar raste të ankesave të prindërve, ai është zotuar se mbrojtja e fëmijëve do të jetë prioriteti i tij nëse i besohet udhëheqja e kryeqytetit.

“Si kryetar, siguria e fëmijëve do të jetë prioriteti numër një. Do të angazhojmë policë në pension pranë shkollave, të pranishëm, por pa u bërë të dukshëm, dhe në kontakt të vazhdueshëm me mësuesit, prindërit dhe organet përkatëse. Fëmijët duhet të jenë të sigurt, mësuesit të respektuar dhe prindërit të qetë”, ka theksuar Berisha.

Në Pejë, kandidati i AAK-së për kryetar, Ali Berisha, ka vënë në pah dallimin mes programit të tij dhe atyre të kundërshtarëve politikë. Sipas tij, plani i tij është i detajuar për çdo fushë, ndërsa i të tjerëve, sipas tij, janë pa vizion.

“Ne i kemi ftu edhe të tjerët t’i krahasojmë planprogramet qeverisë, t’i matim, ta shikojmë cili është më real, cili është më i zbatushëm për qytetarët dhe cili është më në dobi të qytetarëve të Komunës së Pejës. Po jo, të tjerët nuk kanë programe”, ka thënë Berisha.

Në Prizren, kandidati Besnik Krasniqi ka premtuar themelimin e barnatores për pensionistë.

“Ju jeni brezi jonë i artë edhe i fortë, pa juve nuk kish qenë e mundur me qenë Prizreni që është sot. Në kuadër të programit tonë është paraparë të themelohet barnatorja e pensionistëve të qytetit, e cila përveç barnave esenciale parashihet që edhe barnat tjera që u përshkruhen pensionistëve me u subvencionu 50 për qind nga buxheti i subvencionit të kryetarit të komunës. Me siguri një nga këshilltarët kryesorë në kabinet do të jetë edhe një i deleguar i juaj”, ka thënë Krasniqi.

Te pensionistët, të martën e ka përqendruar fushatën edhe kryetari aktual i Suharekës, që synon një mandat tjetër, Bali Muharremaj. Ai ka premtuar të hapë qendra të reja të qëndrimit ditor. Ai ka thënë se gjatë mandatit të parë është hapur qendra e parë ditore, ndërsa në mandatin e dytë janë funksionalizuar edhe të tjera. 

Në Rahovec, kryetari i Komunës, Smajl Latifi, së bashku me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, kanë zhvilluar takime me bujqit, duke theksuar se bujqësia do të jetë boshti i programit qeverisës.

“Komuna e Rahovecit, në vazhdimësi ka qenë përkrahësja më e madhe e bujkut rahovecas me mbështetje konkrete, siç janë: mekanizmi bujqësor, farërat e inputet e tjera, plehrat kimike, subvencionimi i qumështarëve, mbështetja konkrete për bletarët, blegtorët, konsulenca për aplikacione në grante, mbështetja me serra, e shumë angazhime të tjera të përbashkëta. Por, puna e mbështetja për bujqit nuk ndalet, por vetëm se do të rritet e do të bëhet edhe më konkrete për sektorët bujqësorë e bujqit tanë”, ka thënë Latifi.

Në Obiliq kandidati Ali Krasniqi ka bërë një varg kritikash ndaj udhëheqjes aktuale komunale, të cilën e ka cilësuar si të dështuar. Ai ka thënë se prioritet do t’i japë shëndetësisë.

E, ndërsa në Gjilan kandidati Nazim Gagica ka përmendur rolin vendimtar të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në zhvillim e punësim, duke premtuar përkrahje komunale për to.

Ismaili jep 10 zotime për Prishtinën, ndër to edhe hapja e sheshit “Xhorxh Bush”

1 muaj më parë / 30 sht 2025 21:19 Nga: Rrezon Gashi
Uran Ismaili

 Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka mbajtur një konferencë për media të martën, ku ka prezantuar 10 vendimet e para që, sipas tij, do të merren menjëherë pas 12 tetorit.
Sipas tij, vendimet e para do të nisin me fillimin e procedurave për vendosjen e 200 oficerëve të sigurisë në shkolla, nënshkrimin e vendimit ekzekutiv për lirimin e trotuareve të bllokuara, krijimin e task-forcës për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës, nënshkrimin e vendimit ekzekutiv për dyfishimin e subvencioneve për fermerë dhe agrobiznese.

“Hapja e sheshit ‘Xhorxh Bush’ në javën e parë; Pezullimi i lejeve të reja ndërtimore për 6 muajt e parë; Fillimi i procedurave për krijimin e Qendrës digjitale të menaxhimit të trafikut; Fillimi i procedurave për blerjen e 60 kamionëve të rinj për mbledhjen e mbeturinave; Krijimi i task-forcës për ndriçimin e 1.000 rrugëve të Prishtinës; Fillimi i procesit për ndërtimin e një strehimoreje të re për trajtimin e qenve endacakë”, ka renditur Ismaili disa nga zotimet.

Ai ka thënë se qyteti nuk ka kohë për eksperimente e plane afatgjata, por për veprime të shpejta që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

“Prishtina nuk ka kohë për eksperimente, për kaos e bllokada që ua vështirësojnë jetën qytetarëve. Nuk ka kohë për konflikte e akuza të pafundme politike që e mbajnë peng nëpër gjykata. Nuk ka kohë për plane 10-vjeçare e projekte megafuturistike. Prishtina ka nevojë për ndryshim, për guxim dhe për një kryetar që u del zot punëve dhe zotimeve që jep”, ka thënë ai.

E kandidati i PDK-së për kryetar të Fushë-Kosovës, Rrahim Tërnava, ka premtuar investime në fshatin Bardh i Madh.

Në Vushtrri kryetari Ferit Idrizi ka përmendur si arritje kryesore rinovimin e banesave kolektive dhe rritjen e transparencës buxhetore.

“Sheshi i qytetit do të mbetet kryevepra e qytetit që do lërë gjurmë, ku ka filluar transformimi i qytetit. Projektin më human që e kemi bërë, një investim kapital, është rinovimi i banesave kolektive, që vërtet këta qytetarë kanë jetuar në kushte jashtëzakonisht të vështira. Te transparenca buxhetore, nga 100 pikë, vetëm 64 i ka pasur Komuna e Vushtrrisë. Kur e kemi marrë mandatin, në vitin e parë kemi shkuar 94 pikë, dy vjetët e fundit 100 pikë”, ka deklaruar Idrizi. 

Ndërsa Petrit Hajdari në Drenas ka kritikuar qeverisjen aktuale duke thënë se ka tradhtuar besimin e qytetarëve dhe vlerat e PDK-së.

“Drenasi është keqqeverisur. Kryetari aktual ka tradhtuar dy gjëra që nuk falen — besimin e qytetarëve dhe vlerat e PDK-së. Nuk ka as arsyetim, as justifikim për këtë lloj qeverisjeje që na ka lënë pas, pa vizion dhe pa dinjitet. Bashkohuni me mua për ta kthyer besimin në institucionet tona dhe për ta ringjallur krenarinë e Drenasit”, ka thënë ai.

Në Gjilan, Riad Rashiti ka paraqitur një plan prej 3.5 milionë eurosh për kulturën.

E Bekim Azizi, kandidat për kryetar të Vitisë, ka deklaruar se Pozherani do të marrë statusin e një qyteze urbane, duke premtuar një shesh të ri dhe hapësira publike moderne.

“Sheshi i Pozheranit dhe hapësira pranë shkollës së parë shqipe do të trajtohen me kujdes përmes një projekti konkret, të cilin sot po e prezantojmë para jush. Ky është vetëm një nga projektet që kemi paraparë për Pozheranin”, ka thënë Azizi.


Uran Ismaili nga “Mati”: Prishtina s’mund të mbetet peng i inateve politike

Kandidati nga radhët e PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka prezantuar planin e tij për lagjen “Mati”.

Në një tubim në “Mati”, Ismaili tha se Prishtina ndodhet në një udhëkryq vendimtar. 

“Ju mund të vendosni se a do të shkojmë drejt zhvillimit, apo do të rrimë në të njëjtin vend, ashtu si 25 vjetët e fundit,” theksoi ai.

Ai shtoi se qytetarët e Prishtinës nuk mund të jenë më peng i konflikteve politike dhe akuzave të ndërsjella mes kandidatëve. 
“Konfliktet politike dhe fajësimet duhet të marrin fund, sepse në këtë mes të vetmit që po e pësojnë janë qytetarët e Prishtinës. Përderisa të tjerët merren me inate politike, qytetarët nuk i kanë kushtet bazike për jetë dinjitoze në kryeqytet” tha ai.
Ismaili theksoi se ka ardhur koha për një Prishtinë që kujdeset për qytetarët e saj, ku asnjë individ, asnjë lagje e asnjë fshat nuk mbetet anash.
Duke folur për Matin, ai tha se kjo lagje është fytyra e re e Prishtinës, mirëpo ndërtimet e pakontrolluara viteve të fundit nuk janë përcjellur me infrastrukturën sociale dhe publike që nevojitet. 
“Kjo nuk do të vazhdojë më. Mati dhe qytetarët e saj duhet, dhe do të marrin trajtimin që meritojnë,” u shpreh ai.
Ai ka prezantuar projektet për “Matin”, që janë:  Çerdhe e re për fëmijët e lagjes; Ndërtimi i shkollës së re; Qendër komunitare multifunksionale; Rrugë të sigurta me ndriçim publik; Lagje e pastër 24/7; Lirim i hapësirave publike për trotuare dhe ecje të lirshme; Riorganizim i rrugëve për zhbllokim të trafikut; Krijimi i korridoreve funksionale me lagjet përreth.
 

LDK-ja premton revistë për kryeqytetin e AMF për çdo lagje të Prizrenit

1 muaj më parë / 30 sht 2025 19:45 Nga: Ardona Popova
Perparim Rama - revista

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar revistën e kryeqytetit, PrishtinArt. Ai ka thënë se në të do të përmblidhet e gjithë kultura e Prishtinës, duke përfshirë koncerte, ekspozita dhe libra.

“Për herë të parë në kryeqytet krejt kultura e kryeqytetit është e mbledhur në një revistë “PrishtinArt”. Dyqind faqe që i japin vend çdo koncerti, çdo ekspozite, çdo libri e çdo artisti të qytetit tonë të zemrës. Një pasqyrë e gjallë Prishtinës që krijon, dokumenton dhe frymëzon”, ka thënë Rama të martën.

Në Fushë-Kosovë kandidati Besnik Osmani ka thënë se shumë shpejt tregu i qytetit do të marrë pamje tjetër, me tezga të përshtatshme dhe nyja sanitare. Gjatë vizitës që ia bëri tregut, ai ka deklaruar se do ta shndërrojnë në një hapësirë të rehatshme dhe mikpritëse për qytetarët.

“Pazari është vendi ku bashkohen prodhuesit vendorë me prodhime të freskëta e cilësore, por edhe shitësit e gjësendeve të vjetra që mbajnë gjallë traditën tonë. Këtu qytetarët bëjnë pazaret e tyre, ndajnë buzëqeshje dhe takohen me dashamirësi. Shumë shpejt ky treg do të marrë pamje më të rregulluar, me tezga të përshtatshme dhe nyja sanitare moderne – duke u shndërruar në një hapësirë të rehatshme, dinjitoze dhe mikpritëse për të gjithë”, është shprehur Osmani.

Kandidati për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, ka bërë të ditur se ka përfunduar rikonstruksioni i rrugës Gaxherr–Bajraktar dhe ndërtimi i rrugës unazore, një premtim i dhënë para katër vjetësh.

Në Prizren, kandidati Driton Selmanaj ka prezantuar vizionin e tij për sektorin e shëndetësisë, duke premtuar barna falas, kujdes shëndetësor në shtëpi dhe AMF (Ambulancat e Mjekësisë Familjare) funksionale në çdo lagje të qytetit.

“Shëndetësia në Prizren do të ketë gjithmonë pacientin në qendër. Nga barnat falas, deri te kujdesi shëndetësor në shtëpi dhe AMF-të funksionale në çdo lagje, ne do të sigurojmë që çdo qytetar të ketë qasje të barabartë në shërbime të sigurta, dinjitoze dhe pranë vendbanimit të tij. Ky është vizioni ynë për një Prizren ku shëndeti i çdo qytetari vihet në radhë të parë, ku kujdesi shëndetësor nuk shihet si privilegj, por si e drejtë e barabartë për të gjithë”,  ka thënë Selmanaj.

Në Shtime, kandidati Kastriot Shabani ka prezantuar projektin për ndërtimin e rrugës së re nga rrethi i Belincit deri te shkolla “Emin Duraku”, e cila do të ketë katër korsi, trotuare dhe shteg për biçikleta.

“Ky është vetëm një hap drejt një infrastrukture moderne që e meriton qyteti ynë”, ka thënë Shabani.
Gëzim Plakolli, kandidat për kryetar të Mitrovicës, ka prezantuar planin e tij për qeverisjen lokale, gjatë vizitave “derë më derë”. Ai ka thënë se Mitrovica ka nevojë për ndryshim të vërtetë.

“Ky ndryshim nuk vjen vetë, ai bëhet bashkë me ju”, ka thënë Plakolli.

E në Suharekë, kandidati Ardian Shala ka prezantuar projektin për qendrën inovative për të rinjtë e cila, sipas tij, do të shërbejë për zhvillimin e ideve që do të kthehen në projekte konkrete për komunën.

VV-ja premton nënstacion të zjarrfikësve në Gjakovë e Poliklinikë Stomatologjike në Mitrovicë

1 muaj më parë / 30 sht 2025 20:41 Nga: Marigona Brahimi
Ardian Gola

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjakovës, Ardian Gola, ka vizituar të martën fshatin Cermjan ku ka shpalosur disa nga projektet e tij në infrastrukturë. Gola ka premtuar rregullimin e kanalizimit e trotuareve, ndërtimin e sheshit, fushave sportive e rregullimin e ndriçimin publik. Në Cermjan ai është zotuar gjithashtu edhe për ndërtimin e nënstacionit të zjarrfikësve. 

“Ne do t’i ndërtojmë jo vetëm trotuaret që kanë me qenë me standarde, por edhe sheshin atje, parkun me hapësirë komunitare, me ulëse, me mundësi për rekreacion, ndriçimin publik, nënstacion i zjarrfikësve që është paraparë jo vetëm për Cermjan por edhe për Ponoshec dhe Rogovë”, ka thënë ai.

Faton Peci, kandidat i LVV-së për Mitrovicë ka premtuar se në këtë qytet do të ndërtojë Poliklinikë Stomatologjike Publike, e cila do të ofrojë shërbime bazike falas për fëmijët dhe nxënësit, shërbime të avancuara me çmime të arsyeshme dhe programe të edukimit për shëndetin oral në shkolla. Në sport, pos mbështetjes me subvencione e investimeve në infrastrukturë, është zotuar se do ta ndërtojë edhe një muze alternativ i cili, sipas tij, do të pasqyrojë historinë e lavdishme të sportit në Mitrovicë.
Në Fushë-Kosovë kandidati Valon Prebreza ka kritikuar qeverisjen aktuale të LDK-së se i ka neglizhuar investimet në fshatin Sllatinë. Ai ka thënë se me qeverisjen e Vetëvendosjes problemet në infrastrukturë e në mjedis të këtij fshati do të eliminohen. 

“Do ta rregullojmë Shtëpinë e Kulturës dhe do ta kthejmë në shfrytëzim të qytetarëve, do të kujdesemi për mirëmbajtje të Pishave të Sllatinës, shtigjeve dhe ndriçimit publik. Do të eliminojmë problemin e kanalizimit në secilën lagje. Do të investojmë që stadiumi t’i plotësojë standardet evropiane”, është zotuar ai.

E në Dragash kandidati Filiz Mustafa ka premtuar investime në infrastrukturë, lumenj e parqe të këtij fshati. 

“Po ashtu në Zaplluxhe do të përkujdesemi që shpenzimet e ndriçimit publik t’i mbulojë Komuna, sepse ndriçimi publik në fshat është bërë me vetëfinancim të banorëve të fshatit”, ka thënë Mustafa.
Në Gjilan kryetari aktual, Alban Hyseni, që kandidon edhe për një mandat, ka lëvduar punën e tij katërvjeçare. Ai ka thënë se gjatë këtij mandati ka investuar mbi 1.5 milionë euro në rrjetin e ujësjellësit në disa fshatra dhe e ka nisur projektin FLOWS në vlerë të 15 milionë eurove i cili, sipas tij, do të ulë humbjet nga 52% dhe do të sjellë ujë të pijshëm për qytetarët. Ka thënë se edhe në mandatin e dytë do të vazhdojë me projekte konkrete për ujësjellësin dhe ujin e pijshëm në çdo lagje e fshat të Gjilanit.

Në Lipjan kandidati Ilir Qeriqi e ka akuzuar kundërkandidatin e tij nga LDK-ja që është edhe kryetar komune, Imri Ahmeti, për keqpërdorim të parasë publike. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e tetorit të votojnë , siç ka thënë, për t’i dhënë fund qeverisjes korruptive.

“Të nderuar qytetarë, hajdeni të bëhemi bashkë dhe të dërgojmë këtë qeverisje të keqe në shtëpi dhe t’u lëmë vend institucioneve të rendit që të merren me aferat e tyre korruptive”, është shprehur Qeriqi.

E në Shtime, kryetari dhe kandidati Qemajl Aliu, ka prezantuar planin e tij për shërbimet publike në këtë komunë.

 

Abdixhiku: Prishtina po transformohet me projekte madhore, LDK është garanci për zhvillim afatgjatë

1 muaj më parë / 30 sht 2025 20:13
Lumir Abdixhiku - Prishtine

Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti një tubim elektoral në Prishtinë (Dega IV), ku kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, theksoi se kryeqyteti është dëshmi e qeverisjes së suksesshme të LDK-së, raporton Ekonomia Online.

Ai vlerësoi mandatin e kryetarit aktual, Përparim Rama, duke veçuar projektin e mësimit tërëditor si një “revolucion kombëtar” në arsim dhe Unazën e Brendshme të qytetit si një “standard i ri urban”.

“Prishtina është LDK, sepse Prishtina është e kaltër, sepse Prishtina është me Përparim Ramën. Dhe kur Prishtina është me ne, është e gjithë Kosova me ne. Prishtina nuk është vetëm kryeqyteti administrativ i Kosovës. Prishtina është fytyra e shtetit tonë, pasqyra e modernitetit tonë, dritarja nga ku shihet e ardhmja jonë. Është qyteti i rinisë, i energjisë, i ideve, është qyteti i ëndrrave më të guximshme. Çdo fitore kombëtare është nisur këtu, çdo shpresë është ndezur këtu, çdo hap i madh përpara është hedhur nga ky qytet. Dhe mu për këtë arsye, përgjegjësia jonë ndaj Prishtinës është më e madhe se kudo tjetër. Ky qytet nuk mund të ngecë, ky qytet nuk mund të mbetet peng, ky qytet nuk mund të humbasë kohë. Prishtina duhet të ecë përpara, sepse vetëm kur ecën Prishtina, ecën edhe Kosova. Katër vjet më parë, ne i dhamë këtij qyteti një vizion të ri dhe një kryetar ndryshe. Ne sollëm Përparim Ramën – njeriun e arkitekturës, të urbanizmit modern, të përvojës ndërkombëtare, të ideve që shohin përpara”, tha Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së tha se Përparim Rama nuk erdhi nga politika e fjalëve të thata, por ai erdhi nga bota e punës konkrete.

“Nuk erdhi për retorikë, por për vizion. Dhe sot, katër vjet më pas, kryeqyteti është dëshmia më e qartë e suksesit të këtij vizioni. Projekti më i madh, krenaria më e madhe e këtyre katër viteve, është mësimi tërëditor. Për herë të parë në historinë e kryeqytetit, fëmijët tanë kalojnë ditën e tyre në shkolla moderne, me kushte të denja, me ushqim të sigurt, me kujdes të veçantë pedagogjik, me aktivitete të shumta që i përgatisin për jetën. Ky projekt nuk është vetëm një risi arsimore; është një revolucion nacional. Është mbështetje për çdo prind që e di se fëmija i tij është i sigurt gjatë gjithë ditës. Është investim për çdo familje që e ka tashmë një barrë më pak. Është garanci për të ardhmen e çdo fëmije që rritet me dije, me kulturë dhe me mundësi të barabarta. Ky projekt e dallon Prishtinën nga çdo komunë tjetër dhe e vendos kryeqytetin tonë si model për gjithë Kosovën. Dhe ky projekt ka një autor të qartë: Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Përparim Ramën”, shtoi ai.
Abdixhiku tha se LDK është forca që premton dhe realizon, ndërsa më 12 tetor qytetarët do të zgjedhin mes zhvillimit dhe stagnimit.
“Një tjetër projekt madhor që po e transformon qytetin është Unaza e Brendshme e Prishtinës. Për vite e dekada, ky projekt nuk ekzistonte veçse në letra, në premtime të pambajtura, në plane që kurrë nuk u nisën. Sot, falë qeverisjes sonë, Unaza është bërë realitet. Ky projekt është frymëmarrja e qytetit. Është shpëtimi nga kaosi urban. Është lidhja mes lagjeve, është kursimi i kohës për qytetarët, është mundësia e re për zhvillimin e bizneseve. Unaza është standardi i ri i kryeqytetit modern. Dhe ky standard e mban vulën e LDK-së. Sepse vetëm me LDK-në, projektet e mëdha nisin dhe përfundojnë. Në krah të Unazës, kemi Rrugën A – boshtin e ri të zhvillimit ekonomik të kryeqytetit. Ky korridor i ri urban nuk është thjesht një rrugë e shtruar. Është arterie zhvillimi. Është korridor që i jep qytetit dimension tjetër. Është hapësirë për investime, është rritje e vlerës së pronës, është lidhje strategjike me ekonominë e gjithë vendit. Rruga A është shembulli më i qartë se si qeverisja jonë mendon për të ardhmen, jo vetëm për të sotmen. Është dëshmi se vizioni ynë nuk është i kufizuar te ditët që jetojmë, por shikon dekadat që vijnë”, tha kreu i LDK-së.

Abdixhiku e cilësoi Unazën e Brendshme si një nga projektet më të rëndësishme që po ndryshon fytyrën e Prishtinës pas dekadash premtimesh të pambajtura.

“Prishtina jonë është edhe qyteti i shesheve. Hapësirat publike të këtij qyteti janë bërë identiteti i tij. Dhe këto identitete po bëhen vetëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sheshi “Ibrahim Rugova”, sheshi “Skënderbeu”, sheshi “Zahir Pajaziti”, sheshi i Katedrales, e së shpejti edhe sheshi i Xhamisë së Re – janë dëshmi e punës sonë të palodhur për t’i dhënë qytetit qendra të reja urbane. Janë hapësira që i japin jetë qytetit, që i afrojnë njerëzit, që krijojnë identitet modern e qytetar. Ne i kemi krijuar këto sheshe, ne i kemi mbrojtur nga zërat që i kundërshtuan, ne i kemi mbajtur gjallë edhe kur disa thoshin se duhen zhbërë. Sepse Prishtina nuk duhet të lakmohet, ajo duhet të dashurohet. Dhe këtë dashuri ia jep vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës. Të gjitha këto projekte janë dëshmi të qarta të punës sonë. Janë projekte që flasin vetë. Janë premtime të mbajtura, janë vizione të kthyer në realitet. Dhe janë dallimi më i madh mes nesh dhe të tjerëve. Sepse përballë këtyre veprave, të tjerët nuk kanë çfarë të tregojnë. Ata flasin, ne punojmë. Ata premtojnë, ne ndërtojmë. Ata shohin qytetin si plaçkë politike, ne e shohim si amanet qytetar. Më 12 tetor, qytetarët e Prishtinës do të bëjnë zgjedhjen e tyre. Në njërën anë është stagnimi, është propaganda, është kaosi. Në anën tjetër është zhvillimi, është puna konkrete, është vizioni. Në njërën anë janë ata që flasin shumë e nuk bëjnë asgjë. Në anën tjetër jemi ne që punojmë dhe ndërtojmë. Në njërën anë janë ata që e shohin qytetin si plaçkë. Në anën tjetër jemi ne që e shohim si amanet”, tha Abdixhiku.

Kurse, Përparim Rama tha se Prishtina ka qenë dhe duhet të vazhdojë të jetë me LDK duke theksuar se në fillim të mandatit ai ka treguar se programi i Prishtinës përfundon me dy mandate.

“E me një numër të madh të projekteve si smart city që e përmenden që jemi të parët jo vetëm në Kosovë, as në rajon por ndër të parët në Evropë sepse Prishtina dinë, Prishtina donë, Prishtina mundet, Prishtina ka profesionalistë me të cilët mendojmë për të mirën dhe për të ardhmen e vendit tonë dhe së bashku shkojmë përtej, prandaj, edhe një herë 113 më 12 tetor, Prishtina e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Prishtina e secilit qytetar që e donë të mirën e kryeqytetit. E mos të harrojmë që e kemi pa që duhet të kemi ansamblenë e fortë, është kryetari i fortë me ansamblenë e fortë e së bashku e qojmë Prishtinën përtej, prandaj edhe një herë duartrokitje për këta ansambleistë të mrekullueshëm këtu që secili e donë Prishtinën më shumë se tjetri, që secili nevojat e qytetarëve i bjen këtu te ne në kabinet në qeverisjen tonë që së bashku po i bëjmë pjesë e programit tonë 2025-2029. Vetëm shkoni e shikoni në Prishtina.work numrin e projekteve që e ka bo Prishtina këto katër vitet e fundit, kemi më shumë se 1000 projekte. Më shumë se Qeveria e Kosovës në gjithë Kosovën. Kjo është Prishtina, kjo është LDK”, tha ai.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor, ku qytetarët e të gjitha komunave të Kosovës do të votojnë për kryetarë të komunave të tyre dhe për asambleistët në kuvendet komunale./EO

Shahini premton uljen e çmimit të banesave në Prishtinë

1 muaj më parë / 30 sht 2025 19:35
Besa Shahini

Kandidatja e Partisë Socialdemokrate për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini, ka prezantuar planin e saj për uljen e çmimit të banesave në kryeqytet. Ajo ka thënë se edhe pse ka numër të madh të njësive banesore të pabanuara në Prishtinë, çmimi mbetet i lartë. Sipas saj, ky problem zgjidhet ndër të tjera edhe me ndërtimin e banesave nga komuna. 

“Rreth 27 mijë banesa, pra një e treta e të gjitha banesave në Prishtinë janë të pashfrytëzuara. Një pjesë e madhe e tyre nuk kanë fleta poseduese dhe për këtë arsye pronarët nuk i hedhin në treg. Unë e kam zgjidhjen për këtë problem. Komuna i pajisë pronarët aktualë me fleta poseduese në mënyrë që ata të mund t’i fusin në treg pronat e tyre. Komuna gjithashtu ndërton njësi banesore komunale, të cilat futen në treg me çmim afër kostos së ndërtimit, kjo automatikisht e ul çmimin e banimit”, ka thënë Shahini.    

E, në Kamenicë, kandidati i PSD-së, Qendron Kastrati, që synon rikthimin në krye të komunës, premtoi ekskursione për të moshuar e programe të rregullta fizioterapie. 

Ai premtoi buxhet të garantuar për secilin fshat përmes Këshillit dhe Shoqatës së Fshatrave, duke nisur me një grant prej 200 mijë eurosh që shpërndahet proporcionalisht.

“Komuna e ka për obligim të përkujdeset për ta. Ne do të kujdesemi që të moshuarit të mos mbeten të izoluar, të përjashtuar prej kalendarit vjetor. Do të ketë ekskursione mujore, transport të siguruar falas për ata që duan të shkojnë në Banjë dhe programe të rregullta fizioterapie. Do ta themelojmë Qendrën Multifunksionale në qytet dhe secili fshat e lagje do ta ketë hapësirën e vet për moshën e tretë”, ka thënë Kastrati.

Berisha premton investime në tregjet e Prizrenit

1 muaj më parë / 30 sht 2025 19:32
Zafir Berisha

Kandidati i Bashkimit Demokratik për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha, ka premtuar se, nëse e merr besimin qytetar, gjatë qeverisjes së komunës do të bëhet menaxhim më i mirë i tregjeve. 

Ai ka thënë se tregjet duhet të jenë të pastra, me mbikëqyrje për çmime dhe mbrojtje të konsumatorit.

“Pamjet që jeni duke parë nuk vijnë nga Kabuli apo Kandahari i Afganistanit. Këto janë pamjet e tregjeve në Prizren. Në qytetin e kulturës, traditës, në qytetin e inspirimit dhe të vlerave. Këto tregje tash e 20 vjet menaxhohen nga para-politika e subjekteve që kanë qeverisur Prizrenin. Të nderuar qytetarë të Prizrenit, a mendoni se duhet të vazhdohet në Prizren me këto tregje”, ka pyetur ai, dhe deklaratës ia ka shoqëruar videon me pamje nga tregjet.

Berisha ka thënë se përveçse do të investohet që këto tregje të jenë të pastra, do të mbikëqyren edhe çmimet e do të mbrohet edhe konsumatori. 

Ai është zotuar se do të promovohen produktet vendore, me qëllim që me to tregtarët lokalë të kenë qasje në tregjet moderne.

 

Totaj premton rritje të përkrahjes financiare për nënat e reja

1 muaj më parë / 30 sht 2025 17:07
Shaqir Totaj

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, njëherit kandidat nga PDK-ja për një mandat tjetër, ka premtuar rritje të shumës së përkrahjes financiare për nënat e reja.

“Nëna Drenusha Bytyqi nga Prizreni është njëra prej shumë nënave që kanë përfituar nga programi ynë i përkrahjes për lehonat. Kjo politikë ka qenë një nga prioritetet tona dhe do të mbetet edhe në të ardhmen. Do ta rrisim edhe një herë shumën e përkrahjes për të gjitha nënat e reja, sepse kujdesi ndaj tyre është kujdes për të ardhmen e qytetit tonë.”, ka shkruar në postimin e tij në Facebook Totaj.

Ai shtoi se përkrahja për nënat dhe fëmijët është investim në të ardhmen e Prizrenit.


 

Haradinaj në Rahovec: Latifi qëndron krah çdo iniciative të qytetarëve

1 muaj më parë / 30 sht 2025 16:58
Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka qëndruar gjatë së martës në Rahovec, ku me kreun e kësaj komune dhe njëherit kandidatin e AAK-së për një mandat tjetër, Smajl Latifin, kanë vizituar fermerë, ndërmarrës e profesionistë të cilët i quajti të suksesshëm të kësaj komune.

Takim thotë se zhvilloi edhe me mësimdhënëse e infermiere, për të fuqizuar rolin e gruas në vendimmarrje.

“Diskutuam gjithashtu me mësimdhënëse dhe infermiere për fuqizimin e rolit të gruas në vendimmarrje dhe në ekzekutiv. Shpirti sipërmarrës, përkushtimi i fermerëve dhe roli i grave tregojnë potencialin e jashtëzakonshëm të Rahovecit, ku komuna dhe kryetari Smajl Latifi qëndrojnë krah qytetarëve në çdo iniciativë”, shkroi Haradinaj në rrjetin e tij social Facebook.
 

Çeku: Intervenimi te Tregu i Gjelbër të fillojë menjëherë, ka përfunduar në gjendje të tmerrshme

1 muaj më parë / 30 sht 2025 13:43
Hajrulla Çeku

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, paraditen e së martës ka vizituar Tregun e Gjelbër.

Çeku tha se në bashkëpunim me tregtarët duhet të vendoset mënyra e trajtimit dhe të intervenohet menjëherë.

“Tregu i Gjelbër i Prishtinës, edhe pse vetëm disa metra larg nga objekti i Komunës, ka përfunduar në gjendje tejet të tmerrshme. Kushtet elementare nuk janë as afër plotësimit, kurse mbijetesa e tregtarëve në atë ambient është akt rezistence. Pa humbur kohë, në bashkëpunim me tregtarët, duhet të vendoset mënyra e trajtimit të Tregut dhe intervenimi duhet të fillojë menjëherë”, shkroi në një postim në faqen e tij në Facebook.

Ismaili prezanton 10 vendimet e para për Prishtinën

1 muaj më parë / 30 sht 2025 11:42
Uran Ismaili

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, ka prezantuar 10 vendimet e para që do t’i marrë nëse e fiton garën për kryetar të Prishtinës. 

Në një konferencë për media të mbajtur të martën Ismaili, ka thënë se në javën e parë do ta hapë sheshin “Xhorxh Bush”. 
Ai ka thënë se do të pezullojë dhënien e lejeve të reja ndërtimore për 6 muajt e parë. 
Një tjetër vendim që Ismaili e ka përmendur është edhe fillimi i procedurave për krijimin e Qendrës Digjitale të Menaxhimit të Trafikut. 
Fillimi i procedurave për blerjen e 60 kamionëve të rinj për mbledhjen e mbeturinave, krijimi i taskforcës për ndriçimin e 1,000 rrugëve të Prishtinës, fillimi i procesit për ndërtimin e një strehimoreje të re për trajtimin e qenve endacakë, fillimi i procedurave për vendosjen e 200 oficerëve të sigurisë në shkolla si dhe nënshkrimi i vendimit ekzekutiv për lirimin e trotuareve të bllokuara, janë gjashtë vendimet e tjera që ai ka thënë se do t’i marrë menjëherë. 
Krijimi i taskforcës për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës është vendimi tjetër të cilin e ka përmendur Ismaili. 
Ndërkohë që vendimi i fundit që Ismaili ka thënë se do ta marrë është nënshkrimi i vendimit ekzekutiv për dyfishimin e subvencioneve për fermerë dhe agrobiznese.
Ismaili ka thënë se kryeqyteti ndodhet para një momenti vendimtar, i cili sipas tij kërkon vendime të guximshme dhe të menjëhershme. 
“Prishtina nuk ka kohë për eksperimente, për kaos e bllokada që ia vështirësojnë jetën qytetarëve. Nuk ka kohë për konflikte e akuza të pafundme politike që e mbajnë peng nëpër gjykata. Nuk ka kohë për plane 10-vjeçare e projekte mega-futuristike. Prishtina ka nevojë për ndryshim, për guxim dhe për një kryetar që u del zot punëve dhe zotimeve që jep”, ka deklaruar Ismaili. 
Ai ka theksuar se ndryshimi për një Prishtinë funksionale do të nisë menjëherë pas 13 tetorit, me vendime që sipas tij e prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve. “Në fund të mandatit tim, qytetarët do të më matin me punë. Nëse nuk i realizoj 90% të zotimeve, nuk do të kërkoj më kurrë vota për një mandat të dytë”, ka deklaruar Ismaili.

Abdixhiku në Dragash: Ne qeverisim me duar të pastra, pa afera korruptive

1 muaj më parë / 30 sht 2025 10:14
Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku është shprehur i bindur që kandidati i LDK-së për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini, do ta fitojë edhe një mandat në krye të kësaj komune. 

Kjo sipas Abdixhikut, pasi Xheladini është një kryetar shembull.

“Me votën për të, ju nuk na dhatë vetëm fitoren. Ju na dhatë dhe mundësinë dhe nderin e madh për ta udhëhequr këtë komunë. Dhe sot, teksa shikojmë katër vite më pas, jam i bindur më shumë se kurrë se ne nuk e zhgënjyem këtë besim të marrë. Sepse çdo premtim që e bëmë, e kthyem në punë. Çdo projekt që e nisëm, e çuam përpara. Çdo fjalë që e dhamë, e mbajtëm”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook, ku ka bashkëngjitur edhe disa fotografi një një tubim i mbajtur të hënën në Dragash.  
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që ta votojnë Xheladinin.

“Katër vite më pas, ne vijmë sot para jush me faqe të bardhë, me rezultate konkrete, me punë të prekshme që secili prej jush e sheh në përditshmërinë e vet. Vijmë dhe me thirrje për të vazhduar një rrugëtim impresiv; me duar të pastra, pa afera korruptive, e me projekte kapitale që kjo komunë nuk i ka parë asnjëherë më parë. Doktori edhe katër!”, ka shkruar Abdixhiku.

Berisha premton “linjë të aeroplanëve” në Prishtinë, si përgjigje për tramvajin e kundërkandidatëve

1 muaj më parë / 30 sht 2025 09:41
Beke Berisha

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë (AAK) e Kosovës për kryetar të Prishtinës është tallur me premtimet e kundërkandidatëve të tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). 

Ai ka premtuar që do ta bëjë një “linjë të aeroplanëve” Bregu i Diellit Fushë-Kosovë. 

“Mirëmbrëma, kapiteni juaj Bekë Berisha, fluturimi 174 po niset, Bregu i Diellit Fushë-Kosovë, po nisemi por kur mbërrijmë nuk e di”, thotë ai në një video të postuar në Facebook. 

Sipas tij premtimet e kundërkandidateve të tij janë “hajgare”. 

“Edhe ne dimë të bëjmë hajgare, por Prishtinës i duhet ujë, i duhen rrugë, e këto nuk fluturojnë, këto duhet t’i bëjmë bashkë”, thotë Berisha tutje në video.

Kandidati i LDK-së Përparim Rama dhe ai i LVV-së Hajrulla Çeku, kanë premtuar që do të bëjën linjë të tramvajit në kryeqytet.